Banorët e fshatit Ferras vazhdojnë të përballen edhe sot me praninë e ujit në banesat e tyre, pavarësisht ndërhyrjes së djeshme nga punonjësit e bashkisë, të cilët punuan me pompa për të larguar ujin nga shtëpitë e përmbytura.

“Nuk më kishte ardhur ndonjëherë uji brenda. Erdha nga Vlora, thashë të shikoj, uji brenda 40 centimera. Unë banoj edhe në Vlorë, edhe në Fier. Argjinatura është andej, uji futet në kanal. Nuk ka punonjës të shohë nivelin e ujit, kanali bllokohet. Të gjitha janë dëmtuar. Deri tani nuk ka ardhur njeri, shpresojmë të vijnë. Turp i botës”, tha një banor.

“Çfarë do lëmë, të gjitha janë për t’u hedhur në kanal. Çfarë komisioni? Këto janë.”, shtoi një banore tjetër.

Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, një pjesë e konsiderueshme e banesave janë gjetur sërish nën ujë ndërsa dëmet e shkaktuara janë të mëdha.

Banorët raportojnë humbje të konsiderueshme jo vetëm në orendi dhe pajisje shtëpiake. Janë shënuar raste të ngordhjes së  shpendëve, ndërsa tokat e kultivuara me elb, jonnxhë, ullinj, janë tërësisht nën ujë.

Sipas banorëve, kjo përmbytje konsiderohet më e rëndë se ato të viteve të kaluara. Ata kujtojnë se edhe në përmbytjet e mëparshme kanë përfituar dëmshpërblime nga shteti, disa më pak e disa më shumë, por gjithsesi kanë marrë kompensim për dëmet e shkaktuara.

“Lumi i parë që vjen, sikur edhe 50 centimetra të jetë lartësia, ne përmbytemi. Argjinaturën nuk e kuptoj pse e bënë. Zgjidhja do ishte kjo, të bëheshe atje mbrapa. Nuk u kërkua mendimi ynë. Kur erdhëm këtu, na kishin shqyer portën. Deri tani jo, nuk ka ardhur njeri. Herët e tjera kemi ardhur, kemi marrë dëmshpërblim për një pjesë. Dëmet janë më të mëdha. Nuk bëhet më fjalë për shtëpinë.”, u shpreh një banor i prekur nga përmbytjet.

“Nuk ka ardhur njeri. Dy netë ndenja te djemtë. Asnjë ndihmë. Te përmbytjet e mëparshme na dhanë pak dëmshpërblim.", theksoi një e moshuar.

Komisionet përkatëse sipas tyre ende kanë dalë në terren, për të verifikuar dëmet dhe për te bërë vlerësimet paraprake. Megjithatë, banorët shprehen se aktualisht ndodhen në pritje, pa një informacion të qartë se sa do të jetë masa e dëmshpërblimit që do të përfitojë çdo familje.

Ata kërkojnë ndërhyrje më të shpejtë dhe mbështetje konkrete nga shteti, pasi situata mbetet e rëndë dhe jetesa e përditshme në këto kushte është bërë thuajse e pamundur.


Lajmi kryesor:

Përmbytjet/ Tërhiqen lumenjtë, nisin vlerësimet në Durrës, 1453 shtëpi me dëme! Në fshatrat buzë Vjosës shtëpitë në baltë