LEZHE - Qyteti i Lezhës dhe të gjitha zonat përreth janë përfshirë nga një situatë e jashtëzakonshme përmbytjesh. Stuhitë e fuqishme të shiut dhe reshjet e dendura gjatë pasdites të së martës kanë paralizuar të gjithë qytetin dhe rrethinat e tij. Niveli i ujit është rritur në mënyrë të menjëhershme brenda pak minutave. Si rrjedhim është bllokuar qendra e qytetit, bulevardi “Gjergj Fishta” dhe rrugët hyrëse të qytetit dhe ato të Shëngjinit. 

Qytetarët janë bllokuar në banesa pasi niveli i ujit ka izoluar hyrjet e pallateve.  Nderkohë reshjet e shiut vazhdojne me intensitet prej disa oresh. Si pasojë e këtyre faktorëve, qytetarëve u mungon edhe energjia elektrike e cila është ndërprerë pas stuhive dhe shtrëngatave. 



Pas një situatë të tillë në qytetin e Lezhës ka mbërritur ministri i Bujqësisë Edmond Panariti. Për A1Report ministri Panariti konfirmoi situatën alarmante, i cili gjithashtu shpjegoi se situata është përkeqësuar pasi hidrovorët dolën jashtë funksionit për shkak të energjisë elektrike dhe po punohet për kthimin në normalitet të tyre. Ministri theksoi se po përgatiten për një plan B dhe për këtë ai është bashkërenduar me Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli për tu organizuar me ushtrinë dhe repartet e gjendjes civile për evakuuim e banorëve nëse situata do të përshkallëzohet edhe gjatë së mërkurës. 

Nderkohë situata po mbahet nën kontroll edhe në hidrovorët e Shkodrës.