Çarja e argjinaturës ne Lagunën e Vainit, që shkaktoi përmbytje në njësitë administrative Shënkoll, Zejmen dhe Kolsh, ka ardhur si pasojë e mosfunksionimit të kanalit natyror që lidh detin me lagunën.
Sipas ekspertit të mjedisit dhe pyjeve, Zef Imeraj, bllokimi i këtij kanali rriti presionin e ujërave lagunore, duke çuar në dëmtimin e argjinaturës.
“Laguna e Kote Vainit dhe e Vajnit ka natyralisht dhe të organizuar sistemin e komunikimit me detin me një kanal prej 1 metër e gjysmë natyror dhe të gjerë 20-30 metër. Nëse nuk funksionon ky kanal natyror dhe i mirëmbajtur, gjithmonë është agresuar.
Do të tërheqim vëmendjen e gjithë specialistëve se ujërat lagunorë nuk kanë presion. Presioni erdhi nga Drini. Mosbllokimi i komunikimit të lagunës me Drinin bëri ë mundur që të rritet presioni mbi digë dhe e ka dëmtuar. Kjo nuk quhet tragjedi, kjo quhet një pakujdesi e menaxhimit të lagunës. Strukturat që e janë në menaxhim lagunën janë treguar të pakujdesshme, të paafta dhe jo vigjilente”, tha Zef Imeraj.
Ai thekson se zgjidhja afatgjatë për shmangien e përmbytjeve është mirëmbajtja e kanaleve të ujërave të larta, atyre që komunikojnë detin me lagunën, si dhe mbrojtja e pyjeve që stabilizojnë ekosistemin.
“Sistemi i kanaleve të ujërave të larta, mbrojtja e pyjeve dhe rregullimi i kanalee të komunikimit të kompleksin lagunor me detin” tha Zef Imeraj.
Administrata e Zonave të Mbrojtura bën me dije se problematika ishte konstatuar që në verë, kur grykëderdhja natyrore ishte bllokuar nga sedimentet, duke rrezikuar ekosistemin dhe banorët. Për këtë arsye, ata i janë drejtuar dy herë zyrtarisht Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit për të kërkuar një eskavator për hapjen e kanalit, por kërkesa është refuzuar me argumentin se lëvizja e makinerive të rënda kërkon miratim nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Për këtë çështje Report Tv ju drejtua dhe Drejtësisë se Ujitjes dhe Kullimit, ku në përgjigje u mbajt i njëjti Qëndrim, ku theksohet se procedurat mbeten pezull për shkak se nuk dha autorizim Ministria.
Me dyshimet për shpërdorim detyre, Policia ka referuar materialet në Prokurorinë e Lezhës, e cila po heton shkaqet e përmbytjes dhe përgjegjësitë e secilit institucion.
Kujtojmë se më 19 nëntor si pasojë e çarjes së argjinaturës, uji i detit vërshoi nëpër fshatra, duke përmbytur 800 hektarë tokë dhe 5 shtëpi. Ndërsa 100 banesa të tjera u rrethuan nga uji. Fermerët pësuan dëme të mëdha në bujqësi dhe blegtori për të cilat kërkojnë dëmshpërblim nga shteti.
Komente









