SHKODER- 35 fermerë janë bllokuar në Njësinë Administrative Ana Malit nga përmbytjet e dy ditëve të fundit si pasojë e reshjeve te dendura te shiut dhe shkarkimeve nga HEC-et, ndërsa rreth 500-600 ha tokë janë nën ujë. Fshati është përmbytur nga reshjet e dendura të shiut, por edhe shkarkimet e HEC-eve. Fshati më i prekur është Oboti, ku mund të lëvizet vetëm me ndihmën e forcave të ushtrisë.

Sipas informacionit të Ministrisë së Mbrojtjes, në fshatin Obot rreth 60% e banesave kanë prezencë e uji në oborret e tyre, ndërsa mbi rrugën e Obotit ka rreth 40 cm ujë, e kalueshme vetëm për mjetet e larta. Gjithashtu ka sipërfaqe të tokës së përmbytur, kryesisht tokë bujqësore në bashkinë Shkodër, kryesisht në Njësitë Administrative Bushat, Bërdicë, Dajç, Velipojë, Ana Malit, Guri Zi, Madhe.

Probleme nga përmbytjet ka edhe në Fushë Krujë, pasi lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke rrezikuar banesat. Kjo është herë e tretë brenda pak muajve që përmbyten banesat në Fushë Krujë. Problemet nuk janë shkaktuar vetëm nga përmbytjet, por edhe nga dëbora, e cila vijon që të mbajë të bllokuar 4 fshatra të Njësisë Administrative Lekbibaj, bashkia Tropojë. Në bashkinë Klos, është e pa kalueshme rruga rurale Xibër-Tirane. Situata pritet që të përkeqësohet, pasi sot dhe nesër mbi vendin tonë do të mbizotërojë një mot me shi dhe shtrëngata. Në Alpe në lartësi do të ketë reshje të pakta dëbore.

N/koloneli Ali Mali deklaroi se FA ka marrë të gjitha masat për të përballuar situatën për të bërë të mundur lëvizjen e banorëve. Gjithashtu ai theksoi se janë angazhuar të gjitha mjetet e ushtrisë, ndërkohë që janë në gatishmëri. Deputeti i PD, Romeo Gurakuqi akuzoi se shkak për përmbytjet është bërë shkarkimi nga HEC-et, ndërsa kryetari i Njësisë Administrative Arben Ceni theksoi se situata është e rëndë, pasi niveli i ujit ka arritur mbi 1 metër.

Informacioni i plotë nga Ministria e Mbrojtjes
Gjatë natës së djeshme në të gjithë territorin e qarkut sipas informacionit të marrë nga specialisti i EC në prefekturë, situata gjatë mëngjesit të sotëm në fshatin Obot rreth 60% e banesave kanë prezencën e ujit në oborret e tyre, ndërsa mbi rrugën e Obotit ka rreth 40 cm ujë, e kalueshme vetëm për mjetet e larta.Niveli i përmbytjes në Njësinë Administrative Ana Malit, rreth 500-600 ha tokë. Janë të izoluar 35 fermerë me fermat e tyre blegtorale ku përfshihen rreth 100 krerë gjedh, 100 krerë derra dhe 300 të imta në Fshatin Obot dhe Muriqan të Nësisë Administrative Ana Malit. Ka sipërfaqe të tokës së përmbytur, kryesisht tokë bujqësore në bashkinë Shkodër, kryesisht në Njësitë Administrative Bushat, Bërdicë, Dajç, Velipojë, Ana Malit, Guri Zi, Madhe. Forcat e Armatosura që nga ora 06:30 datë 07.03.2018 kanë anagzhuar në fshatin Obot, 20 trupa, 3 varka dhe 3 mjete të rënda të cilët po vijonë evakuminin e banorëve.

Qarku Kukës
Qarku i Kukësit gjatë ditës së djeshme ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar. Akset rrugore nacionale që përshkojnë Qarkun e Kukësit vazhdojnë të jenë nën efektin e rënies së gurëve dhe dherave deri në rrëshqitje të skarpateve duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në akset rrugore Kukës-Shishtavec dhe Bajram Curri-Valbonë. Vazhdon të jetë e bllokuar Njësia Administrative Arrën, fshati Lojme,bashkia Kukës dhe 4 fshatra të Njësisë Administrative Lekbibaj, bashkia Tropojë.

Qarku Dibër
Rrugët nacionale dhe rurale në të gjithë qarkun janë te qarkullueshme pa probleme, Aksi nacional Ura e Qytetit-Zerqan, e demtuar nga rrëshqitja në një segment prej 20 ml, është kthyer i kalueshëm, pasi është punuar nga operatori kontraktor duke e mbushur me inerte. Për shkak te kësaj rrëshqitje, është dëmtuar edhe një banese e qytetarit Bexhet Murrja, duke e kthyer banesën thuajse të pa banueshme.

Në bashkinë Bulqizë, është kthyer e kalueshme rruga rurale Zogjaj-Bllace, pasi është punuar nga bashkia me mjete e forca pune. Në bashkinë Klos, është e pa kalueshme rruga rurale Xibër-Tirane. Na bashkinë Mat, si efekte i reshjeve te mbrëmshme, nga rrëshqitje toke, është dëmtuar një banesë (kthyer e pa banueshme) në fshatin Prell te njësisë administrative Rukaj. Mungesë të energjisë elektrike ka patur në dy lagje te qytetit Peshkopi dhe njësinë administrative Zall Dardhë.

Qarku Durrës
Gjatë mbrëmjes së djeshme në territorin e bashkisë dhe në të gjithë territorin e qarkut ka pasur reshje shiu të dendura për disa minuta duke krijuar probleme në trafik veçanërisht në qytet i cilipas një kohë të shkurtër është normalizuar.Si rezultat i reshjeve në rrugën që shkon drejt “ish Vilës së Zogut” është shembur një masiv dheu. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e bashkisë Durrës me mjete dhe kanë punuar deri në orët e para të mëngjesit duke e kthyer në normalitet zonën e dëmtuar.

Bashkia Krujë
Mëngjesin e sotëm në fshatrat Murqin, Mallkuç, Njësia Administrative Bubq, bashkia Krujë, ka dalë nga shtrati lumi Ishëm, duke përmbytur 50 ha tokë.Prezenca e ujit nuk ka arritur në qendrat e banuara dhe aktualisht është në rënie. Situata vazhdon të monitorohet nga forcat e bashkisë Krujë.

Qarku Korçë
Vazhdon të jetë e njëjtë situata në fshatin Kalivaç, Njësia Administrative Trebinjë, bashkia Pogradec, ka pasur rrëshqitje masive të tokës që rrezikon varrezat e fshatit. Rrëshqitje masive të tokës ka pasur dje edhe në fshatin Vërri, Njësia Administrative Proptisht, bashkia Pogradec, e cila rrezikon një pikë karburanti në aksin rrugor rural Golik-Proptisht. Bashkia Pogradec ka ngritur grupe me specialistë, të cilët kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë verifikuar situatën e krijuar nga këto dy rrëshqitje masive të tokës. Me kërkesë të QKOEC pritet që të shkojnë në vendngjarje specialistë të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar për të bërë studimin e të gjithë zonës.

Qarku Gjirokastër
Aksi rrugor rural i Njësisë Administrative Frashër që lidh fshatrat Miçan, Vërçisht dhe Ogrenj, bashkia Përmet, vazhdon të jetë ende i bllokuar si pasojë e rrëshqitjes së masivit shkëmbor.

Parashikimi i motit për sot, 7 Mars 2018.
Gjatë ditës së sotme mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot me vranësira. Në zonën veriore të vendit do të ketë reshje shiu të herë pas hershme, lokalisht shtrëngata dhe stuhi më të pranishme në pjesën e dytë të ditës. Intensiteti më i lartë i reshjeve në veri-veriperëndim. Në Alpe në lartësi reshje të pakta dëbore. Në zonën qendrore dhe jugore të vendit do të ketë reshje shiu të herë pas hershme me intensitet të ulët, lokalisht shtrëngata dhe stuhi, kryesisht në pjesën e dytë të ditës.

Parashikimi i motit për nesër, 8 Mars 2018.
Gjatë ditës së nesërme mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot me vranësira mesatare dhe të dendura, si dhe kthjellime të pakta dhe afatshkurtra. Reshje shiu të herë pas hershme me intensitet të ulët në zonën e qendrore dhe jugore të vendit. Në zonën veriore dhe kryesisht në veriperëndim reshjet do të jenë me intensitet mesatar në formën e shtrëngatave dhe stuhive kalimtare. Reshje dëbore të dobta në Alpe dhe verilindje në lartësi mbi 800 metër.

d.b/shqiptarja.com