Prej dy ditësh vazhdon zëvendësimi i dëmeve në blegtori nga përmbytja e fundit për çdo fermer të prekur. Janë 2007 krerë dele dhe 32 krerë lopë që kanë nisur t'u shpërndahen fermerëve për të zëvendësuar po të njëjtin numër krerësh që rezultojnë të humbur. Edhe kjo fazë e dytë e mbështetjes për rimëkëmbjen e fermave pas përmbytjes po ndiqet nga Kryeministri Edi Rama, i cili sot ishte në fshatin Hoxharë të Komunës Darëzezë të qarkut të Fierit. Tre blegtorëve aty iu zëvendësua gjithçka e humbur në gjënë e gjallë nga përmbytja. Blegtorit Ylli Troka iu zëvendësua lopa e humbur, ndërsa blegtorëve Ruzhdi dhe Patriot Hoxha iu dorëzuan 80 dele.
Fermeri Ylli Troka falënderoi për ndihmën që do t'i mundësonte vazhdimin normal të punës. " Unë jam mbytur edhe në 2005, kam votuar për PD, jam i PD, ta dish. Këtë herë ja kam dhënë tjetrës, për arsye se nuk mu dha asnjë gjë në 2005. Nuk më sollën asnjë ndihmë. Sivjet kam marrë lopën, mbi një kuintal ushqime, barë, jonxhë, misër. Vetëm për shtëpinë kam marrë sheqer dhe oriz mbi një kuintal, po nuk besova hajde shikoji tek shtëpia ime. Hallall ta bëftë zoti ty dhe gjithë stafit që të mbështet ty. Falenderoj Kryeministrin që na ndihmoi në mënyrë korrekte dhe në kushte shumë të vështira që ne u ndodhëm nga përmbytja".
Kryeministri siguroi se do të bëhet zëvendësimi në kohë i çdo bagëtie të humbur, në mënyrë që cikli i prodhimit të vijojë normalisht. "Unë mësova që Ylli është i PD, Ruzhdiu i PS, por për ne, ata që janë dëmtuar nga përmbytjet janë shqiptarë dhe janë shqiptarë punëtorë, të cilëve ju qëndrojmë dhe do t'i qëndrojmë pranë deri në fund, pa asnjë dallim. 2007 krerë dele dhe 32 krerë lopë të rezultuara të humbura nga përmbytja do të zëvendësohen një më një dhe do të kthehen në shtëpitë ku kjo përmbytje ra si një mallkim. Por me daljen e diellit, puna do të rifillojë normalisht dhe për të përfituar edhe marsin që është muaji i qumështit për delet. Ne do të bëjmë gjithçka dhe besoj do t'ia arrijmë që të gjithë krerët t'i kthejmë në familjet fermere të dëmtuara."
Këto familje punëtore, - theksoi Kryeministri - meritojnë dhe do ta kenë të gjithë mbështetjen e qeverisë, edhe si model i krijimit të mirëqenies përmes punës. "Këto familje meritojnë respektin më të madh, meritojnë mbështetjen më të madhe, meritojnë solidaritetin më të madh, sepse janë familje që janë një shembull i madh për të gjithë Shqipërinë. Në radhë të parë, të rinjtë si djemtë e Nebiut dje dhe si djemtë e Ruzhdiut sot, janë shembull për të gjithë të rinjtë e fshatit që të mos rrinë nëpër bilardo dhe nëpër bingo, të mos presin nga Cristiano Rondaldo t'ju sigurojë të ardhurat me ndonjë gol, por të ulin kokën dhe të punojnë si të gjithë këta, sepse kështu bëhen edhe burra, por bëhen edhe të pasur. Pasi kështu ndërtohet edhe mirëqenia, edhe pasuria, edhe e ardhmja."
Blegtori Ruzhdi Hoxha rrëfen për dëshpërimin e ditës së përmbytjes, por edhe rikthimin e shpresës. "Nuk kisha mundësi që të nxirrja bagëtinë, sepse dhe po ta nxirrja do mi merrte lumi që erdhi na rrëmbeu. Shpëtova fëmijët nga rryma. Më është gjendur pranë pushteti vendor, deputetët e zonave. Më janë gjendur në kohën më të shkurtër dhe korrekte, për atë urën e vogël që unë kaloj nipërit që i çoj në kopsht në Darëzezë. Sot, Qeveria më zëvendëson kokë më kokë bagëtinë që më mori lumi. Ja di për nder. Qeveri me këmbë në tokë unë quaj këtë, në këtë situatë të tillë," - tha Ruzhdiu.
Kryeministri ritheksoi se jo vetëm solidariteti, por edhe inkurajimi i njerëzve të punës është detyrim i Qeverisë. "Ylli të tërë këta që përmende, nga unë i pari kemi bërë vetëm detyrën. Ju falenderojmë juve që jeni një shembull i shkëlqyer sesi jetohet me punë të ndershme dhe na inkurajoni që të inkurajojmë edhe ata të cilët ankohen dhe në vend se të shikojnë mundësitë që ofron toka, i rrinë tokës me kurriz," - u shpreh Kryeministri, duke bërë edhe një bisedë me nota humori me Yllin. "Ta sollëm edhe lopën që t'u mbyt, që të jesh i qetë nga kjo anë dhe të ndihmosh që PD të ngrihet, të thahet dhe PD se është përmbytur".