Prej afro 1 jave vendi po përballet me reshje shiu intensive dhe periodike, duke shkaktuar përmbytje masive të rrugëve, tokave dhe objekteve të ndryshme në disa qytete të vendit, e më së shumti në Durrës.

Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” me Nertil Agalliun në Report Tv, inxhinieri hidroteknik Fitim Ballo renditi disa prej gabimeve të bëra nga shteti dhe komuniteti ndër vite, që shkaktojnë përmbytje përherë e më të mëdha.

“Është komplet gabim njerëzor. Është shkaktuar nga ndërtimet, nga projektet që janë bërë, nga hidrovoret që janë ndryshuar, pra janë shkaktuar nga njerëzit, janë shkaktuar nga specialistët, nga inxhinierët. Shkaku kryesor është se atje janë bllokuar të gjitha kanalet kulluese, ndaç kanalet kryesore, ndaç kanalet e dyta. Në zonën e banuar të kënetës së Durrësit, janë bërë rrugë, pra është vënë një tubë i vogël poshtë kanalit, ëhstë mbushur me dhe, dhe pastaj mbi të janë shtresat e rrugës. Pra nuk ka kullim, nuk janë të lidhura shtëpitë, banesat, me sistemin e kullimit, nuk janë të lidhura rrugët. Pra, të gjitha elementët atje janë të tëra të gabuara. Kush e ka bërë këtë, për mendimin tim duhet të mbajë përgjegjësi, se kjo është një gafë e madhe, është një gabim i madh. Përmbytja ka shkatërruar shtëpitë. Shtëpitë, po iu fut uji brenda, po u përmbytën, ato shtëpi shumë zor se mund të bëhen më të banueshme, për arsye se muret, dyshemeja e të tëra ngopen me ujë dhe do vite që të dalë. Atje po u fute brenda dhe po fjete, të ze tuberkulozi”,- tha Agalliu.

Urbanisti Llazar Kumaraku tha se përgjegjëse për përmbytjen janë të gjitha veprat e urbanizimit që nuk janë bërë në Shqipëri.

“Nuk janë bërë proceset e urbanizimit të kullimit të ujërave, të pastrimit të kullimit të ujërave, ndërtimi i tepërt me patjetër është një faktor i cili ngarkon në një farë mënyre sistemin dhe strukturat pararendëse. Në këtë kuptim, ato struktura pararendëse që ishin menduar për eliminimin, heqjen, grumbullimin e ujërave dhe gjëra të tjera, për një sasi të caktuar ndërtimi, nëse ne vazhdojmë të ndërtojmë më tepër pa ndryshuar infrastrukturat, pa i modifikuar infrastrukturat, pa i mirëmbajturat ato, atëherë ky është një problem që i mbingarkon”,- tha Kumaraku.