Në Novoselë, përmbytjet kanë dëmtuar 11 familje të komunitetit rom, ndërsa në fshatin Fitore janë prekur 3 familje të tjera. Edhe dy ditë pas tërheqjes së ujit nga banesat, tokat përreth mbeten ende me prezencë uji dhe shume baltë.
Banorët jetojnë mes frikës e pasigurisë. Ata theksojnë se dëmet janë të konsiderueshme dhe se ndërtimi i autostradës dhe urës së re ka sjellë problematika për shkak të akumulimit të ujërave.
"Përmbytja filloi që kur u bë autostrada, ura e re."
"Frika është, sa marrim vesh që do dalë Vjosa rrimë në gatishmëri."
"Kemi 3 ditë të izoluar. Nuk erdhi njeri të na thoshte do një bidon ujë moj zonjë."
Ndërkohë, në Çerven të Fierit rreth 80 hektarë tokë bujqësore mbeten me prezence uji. Dëmet janë të mëdha, pasi të gjitha kulturat bujqësore grurë, jonxhë, lakër, presh, spinaq dhe madje edhe ullinjtë janë përmbytur.
Banorët shprehen se këto toka i disponojnë me ligjin 7501, paguajnë taksa, por nuk dëmshpërblehen, pavarësisht se përmbytjet përsëriten çdo vit.
"Na u përmbytën 150 rrënjë ullinj. Plus 1 hektarë jonxhë."
"Na ka bërë dëm kolosal. Të shkosh atje nuk hiqet as balta më, mbi ullinj, mbi jonxhë."
Argjinatura e ndërtuar ne 2017-en i mbrojti banesat nga dëmtimet, por mospastrimi i kanaleve kulluese ka bërë që uji të mos tërhiqet nga tokat bujqësore.
Deri më tani, asnjë komision nuk ka dalë në terren për të verifikuar dëmet, ndërsa banorët ende shpresojnë se do te marrin dëmshpërblime.
Komente






