Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka u ka shprehur mirënjohjen e saj Forcave të Armatosura për ndërhyrjen e tyre gjatë reshjeve dhe përmbytjeve që përfshinë vendin në fund të muajit të kaluar.

Në një takim me ushtarakët dhe familjet e tyre, Xhaçka ka vlerësuar se performanca e FA këtë vit ka qenë në një nivel profesional të paprecedent, krahasuar me vitet e mëparshme.

“Burra dhe gra që sfidojnë veten për t’i shërbyer Shqipërisë. Jam e emocionuar nga gjithçka që kam parë në angazhimin e FA gjatë përmbytjeve. Reshjet e fundit shënuan rekord krahasuar me nivelin e reshjeve të vitit 2015, por është fakt që edhe angazhimi i FA shënoi rekord. Kjo, sepse kemi investuar dhe jemi përgatitur për këto ditë. Kemi angazhuar mijëra efektivë dhe falë kësaj arritëm të evakuojmë mbi 500 familje dhe të shpëtojmë me mijëra persona”, ka deklaruar Xhaçka.

Teksa ka nderuar me medalje 7 reparte të Forcave të Armatosura, ministrja ka vlerësuar edhe punën e prefektëve, si dhe atë të efektivëve të ardhur nga Kosova, të cilët i ka cilësuar si “krahun tjetër të shqiponjës”.

“Forcat e Armatosura do të vazhdojnë të jenë në krye të detyrës, ditë dhe natë. Na pret një organizim edhe më i mirë në vitet e ardhshme, pasi Emergjencat Civile janë në kuadrin e FA. Specialistët tanë nuk do jenë në terren vetëm për të menaxhuar emergjencat, por edhe për të bërë analiza”, ka shtuar Xhaçka. 

[gallery]25064[/gallery]

d.c./shqiptarja.com