Përmbytjet nuk kanë sjellë vetëm vështirësi në qarkun e Shkodrës, por edhe ide politike të pa dëgjuara në Shqipëri. Shkodra kërkon të bëhet krahinë autonome, dhe propozimi i çuditshëm dhe i pazakontë vjen nga zyrtari i lartë i Bashkisë Shkodër, Arben Ceni. I pakënaqur nga vëmendja që kryeministri i kushton Shkodrës, Ceni, i cili është administratori i njësisë Ana e Malit, thotë se Shkodra ka mjaft resurse që mund t’i menaxhojë vetë.

“Nëse është e nevojshme, Shkodra me këto resurse që ka mund të marrë edhe autonominë, kështu do shkojë puna. 3 hidrocentralet janë në Qarkun e Shkodrës, kemi Thethin, kemi plazhin më të mirë në Shqipëri, Velipojën, kemi liqenin më të madh në Shqipëri. Të gjitha këto janë resurse, domethënë ne s’kemi nevojë. Domethënë po kërkojmë si Katalonja, të ndahemi edhe ne dhe ta menaxhojmë ne Shkodrën, pse ta vëmë në siklet Kryeministrin. Ai të vazhdojë të punojë me Vjosën me Semanin, të mos merret me Drinin e këto”

Deklarata e administratorit të njësisë Ana e Malit, Arben Ceni

Prej rreth 20 ditësh një pjesë e territorit të Shkodrës ndodhet në gjendje shumë të vështirë nga përmbytjet. Mijëra hektarë tokë dhe qindra familje janë përmbytur, ndërsa bashkia Shkodër vijon që të kërkojë shpalljen e emergjencës, por është refuzuar nga qeveria.

Deklarata e zyrtarit të lartë të bashkisë së Shkodrës është e pazakontë, ndërsa pritet reagimi i qeverisë, se si do ta komentojë ashpërsimin e toneve me këtë kërkesë radikale nga pushteti lokal. 

Në bashkinë e Shkodrës në 3 javët e fundit kanë qenë të pranishëm disa nga ministrat e qeverisë Rama për t’u njohur me problemet e qytetarëve. Gjithashtu edhe Lulzim Basha ka qenë dy herë duke i kërkuar Ramës që të shpallë emergjencën. Basha ka akuzuar qeverinë për shkarkimet nga HEC-et.