Një 62-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Përmet, pasi dyshohet se kishte përshtatur një ambient të banesës së tij në fshatin Qilarisht si thertore të paligjshme, ku bagëtitë thereshin jashtë kushteve higjieno-sanitare, ndërsa mbetjet e aktivitetit shkarkoheshin në lumin Vjosë.

Sipas Policisë, operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet dhe specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) Gjirokastër, pas informacioneve se në këtë ambient ushtrohej aktivitet i paligjshëm.

Gjatë kontrollit u gjet një ambient i përshtatur si thertore për bagëti të imta, ku ndodheshin dhjetëra kafshë në proces therjeje, si edhe një numër bagëtish të therura. Po ashtu, u sekuestruan dhjetëra matrikuj për bagëti, të cilët dyshohet se janë të falsifikuar.

Nga verifikimet rezultoi se mbetjet e therjes shkarkoheshin përmes një tubacioni direkt në lumin Vjosë, duke shkaktuar ndotje të ujërave dhe dëmtim të mjedisit.

AKU bllokoi menjëherë ambientin ku zhvillohej aktiviteti dhe vendosi ndaj pronarit një gjobë prej 200 mijë lekësh të rinj.

62-vjeçari i arrestuar akuzohet për veprat penale "Fshehja e të ardhurave", "Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore", "Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve" dhe "Ndotja e ujërave".

Në kuadër të të njëjtit hetim, u proceduan penalisht edhe dy veterinerë, L. D., 54 vjeç, dhe Y. H., 66 vjeç, të dy banues në Përmet, të dyshuar për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", pasi sipas Policisë nuk kanë ushtruar kontrollet dhe nuk kanë marrë masat që u ngarkon ligji për bagëtitë në pronësi të 62-vjeçarit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia e Shtetit thekson se do të vijojë kontrollet për goditjen e veprimtarive të paligjshme që dëmtojnë mjedisin, cenojnë sigurinë ushqimore dhe rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.

Njoftimi i Policisë:

Përmet-Kishte përshtatur një ambient të banesës së tij, në fshatin Qilarisht, si thertore dhe mbetjet i hidhte në lumin Vjosë, vihet në pranga 62-vjeçari.

Procedohen penalisht 2 veterinerë, për shpërdorim detyre.

AKU bllokon ambientin ku ushtrohej kjo veprimtari e paligjshme dhe ndëshkon pronarin me masë administrative 200 000 lekë të rinj.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet dhe të Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me AKU Gjirokastër, bazuar edhe në informacionet e siguruara se një shtetas kishte përshtatur një ambient si thertore jashtë kushteve minimale higjieno-sanitare dhe mbetjet e krijuara nga kjo veprimtari i hidhte në lumin Vjosë, ushtruan kontroll në këtë ambient.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. L., u konstatua një ambient i përshtatur si thertore për bagëti të imta, ku u gjetën dhjetëra bagëti në proces therjeje, si dhe një pjesë e tyre të therura. Gjithashtu, u gjetën dhjetëra matrikuj për bagëti, të dyshuara të falsifikuara.

Në vijim të kontrollit, shërbimet e Policisë dhe të AKU-së konstatuan një tubacion përmes të cilit mbetjet e therjes shkarkoheshin dhe hidheshin në lumin Vjosë, duke shkaktuar ndotje të mjedisit dhe të ujërave.

AKU ndërhyri menjëherë duke bllokuar ambientin ku ushtrohej kjo veprimtari e paligjshme, nisi procedurat administrative përkatëse dhe ndëshkoi pronarin e ambientit me masë administrative 200 000 lekë të rinj.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 62 vjeç, banues në fshatin Qilarisht, Përmet, pronar i ambientit, për veprat penale "Fshehja e të ardhurave", "Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore", "Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve" dhe "Ndotja e ujërave".

Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit L. D., 54 vjeç, dhe Y. H., 66 vjeç, të dy banues në Përmet, me detyrë veterinerë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", pasi dyshohet se nuk kanë ushtruar kontrollet dhe nuk kanë marrë masat që u ngarkon ligji për bagëtitë e 62-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur në misionin e saj për evidentimin dhe goditjen e çdo veprimtarie të paligjshme që dëmton mjedisin, cenon sigurinë ushqimore dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve.