Mes kanionit të Langaricës dhe rrjedhës së Vjosës, Banjat e Bënjës prej vitesh janë një nga pasuritë natyrore më të veçanta të jugut të vendit.
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video në rrjetet sociale, ku vë në dukje fluksin e vizitorëve gjatë fundjavës.
Ndër të tjera kreu i qeverisë thekson se Banjat e Bënjës, ndodhen edhe në një fazë transformimi të plotë.
Punimet përfshijnë sistemimin e zonës së parkimit, ndërtimin e korsive të biçikletave, ballkone panoramike mbi kanion, hyrje të organizuar, banja publike dhe qendër shëndetësore.
Aktualisht ka nisur edhe faza e arredimit, vendosjes së parvazëve të shkallëve dhe shtrimit të dyshemesë me dru dekorativ pranë vaskave.
“Mirëmëngjes dhe me Banjat e Bënjës në Përmet, tashmë në një fazë transformimi të plotë, ku gjatë kësaj fundjave kishte një fluks të lartë vizitorësh dhe shumë qytetarë zgjodhën të kalojnë kohën mes natyrës dhe burimeve termale, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Banjat e Bënjës janë të njohura për efektet e tyre shëndetësore, veçanërisht për sëmundjet reumatizmale, muskulore, problemet e kockave dhe lëkurës.
Komente











