Shkrimtari i njohur Fatos Kongoli është në gjendje më të mirë, pas marrjes së gjakut gjatë ditës së sotme. Pas apelit në media dje, qindra njerëz të njohur publik si Paskal Milo, Petro Koçi, gazetarë por edhe lexues të Kongolit kanë dyndur në dyert e Bankës së Gjakut në ndihmë të shkrimtarit.

Miku i tij, Fatmir Toçi konfirmon për Report Tv se ditën e sotme ka pasur qindra njerëz që nuk e kanë takuar kurrë shkrimtarin, me dëshirën për ti dhënë ndihmë. “Ishte sot komplet tjetër, nga efekti i gjakut mesa duket.. fliste më qartë”, tha Toçi për Report Tv.

Nga ana tjetër, Toçi shton se mjekët u ka thënë se ‘sa më moshë e madhe aq më pak agresive është sëmundja’, ndaj shkrimtari 72 vjeçar pritet të jetë në gjendje edhe më të mirë në ditët në vazhdim. Megjithatë, biopsia është më e rëndësishme për të treguar gjendjen e shkrimtarit Kongoli, nëse operacioni ka qenë i suksesshëm apo jo.

Shkrimtari e ka grupin B+, por kushdo që dëshiron mund të paraqitet në bankën e gjakut në QSUT dhe të dhurojë gjak, pavarësisht grupit, pasi banka e konverton në grupin që ka nevojë shkrimtari.

d.b/shqiptarja.com