Del jashtë kontrollit zjarri në kodrat te Kepi i Stillos deri në Katajeto në Konispol, digjen dhjetra ha pyje! 2 zjarrfikëse punojnë për shuarjen e flakëve

Situata e zjarreve në vend paraqitet më e mirë gjatë orëve të fundit, por në bashkinë e Konispolit, vatra e zjarrit vijon që të jetë aktive. Që prej mëngjesit vijon zjarri në kodrat te Kepi i Stillos deri në Katajeto në Konispol. 2 forca zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e flakëve, por zjarri është jashtë kontrollit. 

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi përmes një postimi në rrjetet sociale është shprehur se situata e zjarreve në territorin e vendit paraqitet më e mirë gjatë orëve të fundit. Vatra e fundit aktive e zjarrit në Laç është shuar përfundimisht mbrëmë gjatë natës, ndërsa në Fier flakët kanë lënë pas vetëm hirin e ullishteve dhe shkurreve të djegura.

Sipas tij pas një pune të gjatë të trupave të emergjencave civile në bashkëpunim me efektivë të FA, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile është bërë e mundur shuarja e pjesës më të madhe të vatrave aktive të zjarreve në vend. Ndërsa ditën e sotme është njoftuar përfundimi i operacionit të shërbimit zjarrfikës, ushtrisë dhe policisë së shtetit ka përfunduar në Laç dhe Fier.

'Situata e zjarreve në territorin e vendit paraqitet më e mirë, gjatë orëve të fundit. Pas një pune të gjatë të trupave të emergjencave civile në bashkëpunim me efektivë të FA, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile është bërë e mundur shuarja e pjesës më të madhe të vatrave. Në qarkun e Korçës ka një vatër aktive zjarri, në fshatin Arrëz, të bashkisë Devoll, e cila u riaktivizua pas izolimit të dy ditëve më parë. Po punohet në terren për fikjen e tij. Puna vijon edhe në malin Stilos, në bashkinë Konispol dhe fshatin Grazhdan, të bashkisë Finiq ku efektivë zjarrfikës po punojnë për shuarjen e vatrave të zjarreve. Në fshatin Jarua, në bashkinë e Fierit zjarri është shuar dhe po bëhet kontrolli i zonës. Puna ka vijuar deri në shuarjen përfundimtare të zjarreve në njësinë administrative Vergo të bashkisë Delvinë, në njësinë administrative Lopes të bashkisë Tepelenë, në Semens të Lushnjës, në fshatin Gur i Zi të bashkisë Elbasan dhe në lagjen Çlirim, bashkia Berat.'- shkruan Peleshi.

Nga ana tjetër Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaron se me personin e arrestuar mbrëmë në Levan, shkon në 23 numri i arrestuarve për veprën penale të shkatërrimit të pronës përmes zjarrit.

“Zjarret në vend…Me personin e arrestuar mbrëmë në Levan, shkon në 23 numri i arrestuarve për veprën penale të shkatërrimit të pronës përmes zjarrit. Policia e Shtetit po vijon punën për dokumentimin e dëmeve të shkaktuara mjedisore, pronës private dhe publike dhe rrezikimit të jetës së banorëve. Do t’i ndjek personalisht të gjitha këto çështje penale në procedurat gjyqësore për ndëshkimin e një krimi barbar si ky, i cili në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet deri 15 vjet burg”, thekson Balla.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:21
Vijon zjarri në kodrat nga Kepi i Stillos deri në Katajeto në Konispol

Një zjarr masiv ka përfshirë kodrat nga Kepi i Stillos deri në Katajeto, përballë fshatit Mursi në Bashkinë Konispol. Gazetari i Report Tv Limos Didani, raporton se zjarri ka dalë jashtë kontrollit. 2 automjete zjarrfikëse po punojnë për të shuar flakët. Zjarri që prej ditës së djeshme i aktivizuar në kepin e Stillos.

Ora 19:46
Zjarr në fshatin Vrinë në Sarandë

Një vatër zjarri është aktivizuar në fshatin Vrinë në Sarandë.

Lajm në përditësim...

Ora 10:29
Shuhet plotësisht zjarri në Laç, zjarrfikësit mbyllën operacionin mbrëmë! 90 ha pyll i djegur, helikopteri bëri 45 fluturime

1692718389_laczjarri.JPG

Zjarri që ra pasditen e së hënës në malin mbi qytetin e Laçit është shuar plotësisht, por ka lënë pas dëme të konsiderueshme.

Operacioni i shërbimit zjarrfikës, ushtrisë dhe policisë së shtetit ka përfunduar në orët e vona të pasdites të së mërkurës dhe tashmë nuk ka më asnjë vatër aktive.

Ndërkohë me shuarjen e plotë të flakëve, emergjencat civile kanë nisur përllogaritjen e dëmeve.Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se janë përshkuar nga zjarri mbi 90 hektarë pyje me pisha dhe bimësi, pjesa më e madhe e të cilave janë shkrumbuar plotësisht.

Kjo është hera e dy në harkun kohor të pak viteve që kurora e gjelbër mbi qytetin e Laçit përfshihet nga flaket e zjarrit, duke u zhveshur nga bimësia. Por zjarri i dy ditëve më parë ishte më problematiku, pasi flaket u përhapen me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe, duke vënë në rrezik dhe zonën e banuar.

Për të normalizuar situatën u ndërhy dhe nga ajri me helikopter, ndërsa operacioni u drejtua nga vetë Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Prefekti i Qarkut Lezhë Gjergj Prendi.

Si autor i zjarrvënies në Laç u prangos një person banor i zonës i cili po mbahet në dhomat e paraburgimit të policisë në pritje për tu njohur me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.

Ora 10:16
Fier/ Shuhet zjarri në kodrat me ullinj në fshatin Jarua, flakët rrezikuan banesat! Digjen 10 ha ullishte

 

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin Jarua të Fierit është bërë e mundur shuarja e zjarrit, që rrezikoi banesat dhe alarmoi banorët që nga mesdita e djeshme.

Zjarrfikësit kanë vijuar edhe gjatë natës betejën e tyre me flakët, të cilat “pushtuan” kodrat me ullinj dhe shkurre të fshatit Jarua.

Mësohet se nga zjarri ka djegur mbi 10 hektarë ullishte, ndërsa banesat të cilat u rrezikuan nga flakët që u përhapën me shpejtësi nuk kanë pësuar asnjë dëmtim.

Zjarri në këtë zonë shpërtheu mesditën e djeshme, duke shkaktuar edhe disa shpërthime të municionit luftarak që kishte mbetur në tokë që nga koha kur zona kishte qenë repart ushtarak.

Më vonë, të favorizuara nga era flakët janë përhapur në një territor të gjerë duke dëmtuar sipërfaqe të konsiderueshme me ullishte, shkurre dhe hamulla.

Flaket u janë afruar edhe banesave, ndërkohë që ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve të Fierit, Albpetrolit , Patosit e Roskovecit  bënë të mundur fikjen e zjarrit në orët e para të mëngjesit të sotëm

M.T/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Era: 24/08/2023 23:46

    Dhe duhej të çonim ata pak zjarrfikësit që kemi në Greqi. Kjo është ajo që thonë "i ha kurrizi"

    Përgjigju
  • ONE - pa sinjal: 24/08/2023 10:28

    Operatori celular ONE ka nderprere sherbimin per klientet e vet. Ju lutem bejeni lajm se ndryshe nuk reagojne ata

    Përgjigju
    • Toni: 24/08/2023 23:25

      Edhe une kam pasur probleme sot me One.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare