FUSHË- KRUJË- Përplasja e një makine me një autobus udhëtarësh nga Shkodra ka rezultuar fatale për njërin nga shoferët, e ndërsa 6 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre rëndë. 

Ngjarja tragjike është regjistruar pasditen e kësaj të diele në aksin rrugor Tiranë-Fushë Krujë, në Tapizë, ku mësohet se ka humbur jetën shoferi 59-vjeçar F.Xh.. Shkak i këtij aksidenti ka qenë një ndërhyrje e gabuar e një prej automjeteve, por nuk dihet eksaktësisht nëse bëhet fjalë për veturën tip "Benz"  dhe autobusit "Volkswagen".

Po si pasojë e përplasjes janë plagosur dhe 6 pasagjerë, mes të cilëve, siç raporton gazetari i Report TV, Jul Shota është edhe një fëmijë rreth moshës 1-vjeç. Gjendja e disa prej tyre është e rëndë e për pasojë janë dërguar me ugjencë drejt spitalit të Traumës në kryeqytet. Si pasojë e aksidentit është shkaktuar edhe një trafik i rënduar që shkon deri në 10 km, çka ka bërë që edhe ambulanca të vijë me pas më shumë se 60 minutash.

Ky aks është një nga problematikët, me mungesë sinjalistike rrugore dhe ndriçimi, ku mësohet se vetëm vitin e fundit janë regjistruar mbi 10 aksidente, e megjithatë, pavarësisht kësaj nuk është marrë ende asnjë masë.