FIER-Një efektiv policie është plagosur si pasojë e një aksidenti që u regjistrua pasditen e sotme në vendin e quajtur “Dukas Bregas”.

Sipas njoftimit, mjeti tip 'Peugeot' me drejtues 29-vjeçarin me inicialet M.H. banues në Patos u përplas me makinën e patrullës së policisë, mjetin tip "Chevrolet" me drejtues punonjësin e policisë A.M. 44 vjeç.

Si pasojë e përplasjes është dëmtuar punonjësi i policisë P.Dh, 42 vjeç, i cili ishte pasagjer në mjetin tip "Chevrolet". Pas ndihmës së parë në spitalin rajonal Fier ai u dërgua te spitali i Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar pasi ka dëmtime në krah.

Në vendngjarje shkoi grupi hetimor dhe po punon për dokumentimin ligjor dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje.