KASHAR- Një aksident i rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj të enjteje në aksin Tiranë-Durrës, ku mësohet se ka humbur jetën një person.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se dy makina, tip "Fiat Panda" dhe "Audi" janë përplasur me njëra-tjetrën në Kashar, duke gjetur vdekjen njëri nga shoferët. Shqiptarja.com mëson nga burimet zyrtare se ka humbur jetën E.M, ndërsa shoferi tjetër me inicialet Xh.S është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr.6, për veprime të mëtejshme.

"Më datë 03.09.2020, rreth orës 06:05, në autostradën Tiranë-Durrës,  mjeti me drejtues Xh.S, ka aksidentuar mjetin me drejtues shtetasin E.M.,  i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes", njofton policia. 

Si pasojë e aksidentit, është krijuar një trafik i rënduar, me radhë të makinave që shkon deri në 10 km, për pasojë lëvizja është devijuar në rrugën dytësore.