TIRANE- Në prag të analizës së zgjedhjeve të 21 qershorit, janë ashpërsuar debatet e brendshme në PD, mbi përgjegjësit e humbjes së thellë. Ndonëse debati ka qenë më tepër i fokusuar në aspektin e marrjes së kostove aty ku PD ka pësuar rënie në krahasim me zgjedhjet e kaluara, gradualisht përplasjet kanë sjellë edhe akuza konkrete drejtuar ish-ministrave të kabinetit “Berisha”.

Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Gjirokastër, Roland Bejko është shprehur dje se, 6 ish-ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë “Berisha”, të paktën në zgjedhjet e fundit vendore kanë punuar kundër Partisë Demokratike. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai shkon edhe më tej kur thotë se një ish-ministër demokrat, ka kontribuuar financiarisht për fushatën zgjedhore të koalicionit të majtë të PS, në Tiranë.