Përplasjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po thellohen, teksa debati që nisi me kundërshtimin ndaj marrëveshjes për kandidatin për president është zhvendosur tashmë edhe te drejtimi i partisë.
Një nga gjashtë deputetët e LDK-së që kundërshtojnë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, Avdullah Hoti, kërkoi këtë të martë mbajtjen e një "konvente të madhe", ku sipas tij duhet të mblidhen të gjitha strukturat e partisë për të përcaktuar ekipin që do ta udhëheqë LDK-në në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas Hotit, konventa duhet të shërbejë si një moment bashkimi për partinë dhe të rivendosë besimin mes strukturave.
"LDK-ja ka nevojë urgjente për një KONVENTË të madhe, për një PAJTIM të madh për të qartësuar rrugën tonë përpara. Në këtë KONVENTË duhet të mblidhen të gjitha strukturat dhe i gjithë potenciali i LDK-së. KONVENTA duhet të jetë një BASHKIM i madh dhe një moment i ri për LDK-në. Ajo duhet të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme", shkroi Hoti.
Ai shtoi se mbi të gjitha konventa duhet të rivendosë besimin e brendshëm, duke u angazhuar personalisht për organizimin e saj.
Reagimi i Hotit vjen vetëm pak ditë pasi ai kishte propozuar Kujtim Shalën për kryetar të LDK-së dhe Hykmete Bajramin si kandidate për kryeministre. Edhe vetë Bajrami ka pranuar se mund të jetë kandidate për drejtimin e partisë.
Nuk vonoi as përgjigjja e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili reagoi me një mesazh të fortë në rrjetet sociale, duke lënë të kuptohet se pas kundërshtimit të marrëveshjes për presidentin fshihet gara për kreun e partisë.
"Mendoja se e kanë për parime e për Kosovën; por beteja qenka për kryetar të LDK-së për njëri-tjetrin. Për keqardhje! LDK njihet ndryshe. Me klasë politike që dikur jepte gjithçka për shtetin, jo me të atillë që do ta japë shtetin për vete. Zot, fali, kaq dinë; se populli s'ka për t'i falur!", shkroi Abdixhiku.
Në debat u përfshi edhe deputetja Hykmete Bajrami, duke e quajtur Abdixhikun si humbës të trefishtë të zgjedhjeve dhe njeri që e ka degraduar dhe përçarë partinë.
“Një humbës i trefishtë, humbës i zgjedhjeve të njëpasnjëshme, i degradimit dhe i përçarjes së partisë, po flet për parime, shtet, dhe ambiciet në LDK. Mbrëmë u rezervova të flisja për kryetarin e LDK-së, dhe kam munguar në medie që një kohë pikërisht për ta ruajtur shtëpinë time. Por më lejoni sot t’i përgjigjem me argumente: Ju jeni i fundit, ama bash i fundit, që mund të flisni për parime, ambicie, shtet e pushtet, sepse parimet maten me përgjegjësi. Kur i humbët në zgjedhjet e para, duhej ta mbanit premtimin dhe zotimin publik për t’u larguar. Kur e përsëritët humbjen, duhej të merrnit përgjegjësi dhe t’i hapnit rrugë një udhëheqjeje tjetër. Dhe kur shënuat një tjetër rekord humbjesh më 7 qershor, duhej të largoheshit nga udhëheqja e LDK-së, kokulur.”, ka shkruar Bajrami.
Përplasja brenda LDK-së lidhet me marrëveshjen që Abdixhiku arriti me kryeministrin në detyrë Albin Kurti për kandidimin e Bekim Sejdiut për president të Kosovës. Gjashtë deputetë të LDK-së dolën publikisht kundër kësaj marrëveshjeje, duke vënë në pikëpyetje sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit dhe duke e bërë edhe më të vështirë zhbllokimin e ngërçit politik në vend.
Më herët, Abdixhiku i kishte cilësuar qëndrimet e tyre si të papërgjegjshme, ndërsa përplasja u zgjerua edhe më tej pasi ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, doli në mbështetje të gjashtë deputetëve, duke i cilësuar ata "miq të mëdhenj të Amerikës".
Lajmi kryesor:
'Presidenti' mban 'peng' institucionet në Kosovë, Kurti zbulon lëvizjen e radhës: Jemi në bisedime, zgjedhjet nuk janë zgjidhje (VIDEO)






