Përplasje brenda LSI për FMN 
Vasili kundërshton Luan Ramën

Përplasje brenda LSI për FMN <br />Vasili kundërshton Luan Ramën
TIRANE - Lëvizja socialiste për integrim është shfaqur e dyzuar këtë të mërkurë përsa i përket raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe masave që duhet marrë qeveria si reflektim ndaj kritikave.

...
Rreth 2 orë e gjysmë pasi sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama doli në një deklaratë nga selia e partisë, nënkryetari i kësaj force politike Petrit Vasili u distancua nga deklarata duke thënë se qëndrimi i zotit Rama lidhur me raportin e FMN-së nuk është një qëndrim zyrtar i LSI-së, por një lexim individual i tij. Pavarësisht se kritikat  e Luan Ramës u bë nga foltorja e LSI, ato sipas tij, nuk përbëjnë qëndrimin e kësaj force politike në bashkëqeverisje me PS-në. 

Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të LSI thekson se bashkëpunimi konstruktiv me Fondin Monetar Ndërkombëtar është me rëndësi për vazhdimin me sukses të reformave të nisura.

“Qëndrimi i z. Luan Rama lidhur me raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk është një qëndrim zyrtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Është një lexim individual i tij i këtij raporti. Bashkëpunimi konstruktiv me FMN-në është me rëndësi për vazhdimin me sukses të reformave të nisura”, - sqaroi Vasili.

Rreth orës 14:00 Luan Rama doli në një deklaratë nga selia qendrore e LSI-së ku kërkoi refektimin e menjëhershëm të qeverisë në lidhje me kritikat që Fondi Monetar Ndëkombëtar i adresoi në një raport të fundit, i cili në vetvete përbënte një këmbanë alarmi për të pasi 8nga 36 rekomandimet e dhëna nga FMN-ja nuk po zbatohen në kuadër të transparencës fiskale.

Kjo nuk është hera e parë që deklarata e një eksponenti të LSI-së përgënjeshtrohen nga dikush tjetër, duke i quajtur ato personale. Një rast i ngjashëm ishte dhe ai me Spartak Brahon dhe kritikat e tij për kreun e shishit Bujar Nishani, të cilat u hodhën poshtë nga vetë kryetari i partisë Ilir Meta.

Dy ditë më parë, duke i konsideruar rrezik fiskal, FMN  bëri të ditur se janë 55 koncesione që janë dhënë nga qeveritë ndër vite, të cilat në total zënë 7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto
 
Ja thelbi i raportit te FMN-së që shqetësoi Luan Ramën e LSI-së


Deklarata e plote e Luan Rames
Më lejoni që në fokus të kësaj konference dhe natyrisht në fokus të vëmendjes së opinionit publik përmes jush, raportin më të fundit të bërë publik nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që publikoi para disa ditësh një raport mbi vlerësimin e transparencës fiskale të qeverisë shqiptare, ku përveç disa vlerësimeve pozitive për disa indikatorë fiskal në funksion të transparencës, tërhoqi vëmendjen gjithashtu për një kujdes më të madh në monitorimin e disa indikatorëve të rëndësishëm që lidhen apo që kanë impakt të drejtpërdrejtë në stabilitetin makro-ekonomik.

Natyrisht, do të duhej në fakt që të kishte një reagim zyrtar nga ana e qeverisë shqiptare për këtë raport, por duke shpresuar dhe besuar, që qeveria do të reflektojë dhe do të reagojë në veprimin e saj konkret të politikave qeverisëse, në emër të LSI dhe në zhvillim të përgjegjësive tona politike dhe qeverisëse gjithashtu, më lejoni të theksoj rëndësinë e veçantë dhe rolin specifik do të thoja unë në ndikim, gjithashtu të rëndësishëm, që ka bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si institucioni më i rëndësishëm që në vite ka ndihmuar, ka asistuar dhe ka mbikëqyrur nga afër për të gjitha hapat dhe politikat qeverisëse të qeverive shqiptare.

Raporti më i fundit i FMN-së kërkon seriozitet dhe maturi në leximin e tij. Kërkon përgjegjshmëri në reflektim, sepse sa herë që ne kemi neglizhuar apo më keq akoma, sa herë që qeveria shqiptare nuk e ka konsideruar me seriozitet qëndrimin e FMN-së, atëherë jemi ballafaquar apo jemi ndeshur me fenomene krizash apo me situata të pakëndshme të zhvillim ekonomik dhe më tepër se kaq të zhvillim social dhe politik në vend.

Më lejoni t’ju kujtoj këtu krizën e vitit 1997 apo edhe disa qëndrime të mbajtura përpara disa vitesh gjithashtu të papërgjegjshme në partneritetin dhe në bashkëpunimin me FMN-në.

Për LSI-në bashkëpunimi dhe respektimi me rigorozitet dhe konsistencë i rekomandimeve të FMN është i rëndësishëm, është i detyrueshëm dhe nga kjo pikëpamje ne ofrojmë të gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin për të bërë të mundur edhe pas raportit më të fundit të FMN-së, jo vetëm leximin, por ç’është më e rëndësishmja reflektimin e përgjegjshëm ndaj vërejtjeve apo konstatimeve që bënë raporti.

Më lejoni të theksoj, që është i rëndësishëm paralajmërimi për rrezikun financiar që bën ky raport, çka në thelb është një sirenë alarmi që kërkon reflektim të përgjegjshëm dhe konkret, duke u rikthyer në konsekuencat, në politikat e konsolidimit fiskal të kontrollit të deficitit dhe të borxhit publik. Gjithashtu, një çështje tjetër për të cilën tërheq vëmendjen raporti i FMN-së është ajo që ka të bëj me transparencën fiskale. Transparenca si një institucion, transparenca si standard i qeverisjes së mirë, transparenca si standard i komunikimit me qytetarin, është një vlerë e pakontestueshme, e pandryshueshme,e patjetërsueshme e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dhe ne insistojmë me të madhe në kthimin e kësaj vlere, në një vlerë dhe në një standard konstant dhe gjithnjë të vlefshëm të qeverisë shqiptare në raport me publikun. Sepse është anormale, nuk është korrekte do të thoja, është gjithashtu, në vlerësimin tim, alarmante që siç konstaton raporti, 10 nga 36 rekomandimet e dhëna nga FMN-ja nuk po zbatohen në kuadër të transparencës fiskale.

Një çështje tjetër për të cilën tërheq vëmendjen raporti është edhe teprimi me konçesionarët. Gati 7 % e GDP-së është e dhënë për koncesion. Natyrisht që në vlerësimin tim dhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, partneriteti publik privat është një element i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, është një dimension natyrisht dhe një vlerë e shtuar në mirëqeverisjen, por në këtë partneritet nuk është e rëndësishme të ofrohet vetëm buxheti i shtetit në kontribut financiar, por edhe vetë privati të marrë përsipër të investojë dhe jo të jetë përfitues vetëm, por edhe bashkëkontribuues në këtë proces.

Pa dashur të hyjë në detaje, apo në elementë të tjerë përbërës të këtij raporti, edhe një herë e ftoj qeverinë shqiptare të reflektojë me seriozitet, të reflektojë me përgjegjshmëri, ta lexojë në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu siç është shkruar raporti, dhe më lejoni të them dhe nuk e teproj, madje duhet lexuar më me seriozitet dhe më me konsistencë ndoshta edhe se sa rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Mirëqeverisja apo qeverisja e mirë, impaktin e parë duhet ta krijojë te jeta, tek cilësia e jetës së qytetarëve shqiptarë, te të ardhurat e familjes shqiptare, te përmirësimi i jetës së cilësisë së tyre dhe tek ofrimi i shërbimit që e bën këtë jetë të denjë dhe që e përafron atë në standardet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ku ne dëshirojmë të anëtarësohemi. Prandaj edhe një herë nga kjo konferencë për shtyp e ftoj qeverinë të jetë më e ndjeshme, më e përgjegjshme kur është fjala për standardin e qeverisjes, për mirëqeverisjen dhe për shërbimin ndaj qytetarëve shqiptar.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Begaj: Shqipëria, një portë e mirë hyrëse e biznesit italian në Ballkanin Perëndimor

Presidenti Begaj: Shqipëria, një portë e mirë hyrëse e biznesit italian në Ballkanin Perëndimor