Një prej punonjësve të firmës ‘Alb-SabInvestmet’ të nënkontraktuar nga ‘Mabco’ e Behgjet Pacollit, që ka përsipër disa punime në terminal shprehet se po pengohen të përfundojnë punimet e tyre dhe të marrin mjetet e punës.

Sipas tij, për mbylljen e punimeve nevojiten edhe rreth 10 ditë punë, por aktualisht hyrja në kantier u është bllokuar. Ata ankohen se po pengohen të vijojnë normalisht aktivitetin, ndërsa kërkojnë të lejohen të përfundojnë detyrimet e tyre dhe të tërheqin pajisjet e punës nga kantieri.

“Administratori i kompanisë time “Alb-Sab Investment” ka bërë punime këtu me gips, bojë dhe pllaka, punime dekorative dhe veshje muresh. Jemi njoftuar dje dhe kemi ardhur për punë, por nuk na kanë lejuar të hyjmë brenda objektit.

Ne këtu kemi ende veglat e punës dhe kemi punën pa përfunduar. Nuk e kuptoj arsyen se çfarë ka ndodhur me 2 kompanitë, por nuk është e drejtë të na ndalohet hyrja brenda. Ne e kemi marrëveshjen në Mabco dhe çdo gjë ka shkuar mirë deri dje. Dje, pa asnjë informacion, jemi vënë në dijeni se nuk lejohemi të hyjmë brenda. Sot kemi ardhur të mbarojmë punimet, sepse për 10–15 ditë mbaron komplet aeroporti, janë punimet e fundit.

Ne e kishim kontratën në fund të prillit. Na janë bërë edhe më parë pengesa, por jo kaq të mëdha. Janë shumë si puna ime. Kemi qenë në përfundim, kanë ngelur vetëm gjëra të vogla. Kam të gjitha veglat dhe tani po përpiqem të shkoj të marr veglat e punës”, tha Florian Hadroj.

Të njëjtën gjë ka thënë dhe Pejan Krasniqi, pjesë e kompanisë ‘Krasniqi Group’ e nënkontraktuar nga ‘Mabco’.

“Jo më shumë se 4–5 punë kanë mbetur dhe terminali dorëzohet. Unë jam nënkontraktor i Mabco-s, kam bërë mbi 90% të punimeve, që nga gipsat, shtresat, pllakat e të tjera.

Janë edhe rreth 100 metra pllaka për t’u përfunduar. Dje kemi ardhur në punë, por me urdhër të VIA-s nuk na kanë lejuar të hyjmë, pasi thonë që kontrata e Mabco-s me VIA-n ka përfunduar dhe kanë problemet e tyre.

Kjo nuk mendoj se është arsye për të pezulluar punimet. Terminali për 4–5 ditë përfundon. Mosmarrëveshja që kanë po na penalizon ne si nënkontraktorë, që të mos dorëzojmë punimet që kemi kryer. Jemi rreth 30–40 nënkontraktorë”, tha Pejan Krasniqi.


Lajmi kryesor:

Sërish tensione në aeroportin e Vlorës/ ‘2A Group’ s'lejon hyrjen në kantier të punonjësve të Pacollit! Reagon ‘Mabco’: Vetëgjyqësi kriminale nga Valon Ademi (VIDEO)