Administratori i një lokali në Përrenjas ka rënë në prangat e policisë pasi e kishte kthyer lokalin në ‘fole’ droge.
Në pranga ra edhe një 29-vjeçar për moskallëzim krimi.
Gjatë kontrolleve blutë sekuestruan 76 doza dhe sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, 3 peshore elektronike, 3 celularë, si dhe 48 100 lekë dhe 450 euro të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të operacioneve kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të bazuara te kontrollet, puna operative dhe hetimet, finalizuan në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, operacionin e koduar “Rrethinat”.
Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetasit Gj. K., 32 vjeç dhe K. R., 29 vjeç, të dy banues në Prrenjas.
Gjatë kontrolleve në lokalin që administronte 32-vjeçari, në Prrenjas, u gjetën 76 doza dhe sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, siguruar dhe përgatitur me qëllim shitjen. Gjithashtu u gjetën mjete që shërbenin për ndarjen e lëndës narkotike, në doza, si dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Ndërkaq, 29-vjeçari u kap në ambientet e këtij lokali dhe dyshohet se kishte dijeni për veprimtarinë kriminale të shtetasit Gj. K., dhe nuk kishte kallëzuar”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










