Tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë vënë nën hetim, për prostitucion, shfrytëzim prostitucioni dhe përshtatja e ambienteve për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.

Në pranga ka rënë 22-vjeçari Kejvi Pocaj, i cili shfrytëzonte për prostitucion 4 vajza nga Kolumbia. 2 prej tyre, Juliana Ospina 20 vjeçe, dhe Lorena Crespo 27 vjeçe, gjithashtu janë arrestuar pasi kishin përshtatur ambientin e marrë me qira në Tiranë për të banuar së bashku me 2 vajzat e tjera, për ushtrimin e prostitucionit.

Nën hetim janë vendosur K. R., 23 vjeçe, dhe A. A., 21 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”. 

Sakaq, hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.

“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Apartamenti”. 

Goditet një rast i shfrytëzimit të prostitucionit dhe i përshtatjes së ambienteve, për prostitucion.

Identifikohet dhe arrestohet një 22-vjeçar që shfrytëzonte 4 shtetase kolumbiane, për prostitucion. 

Vihen në pranga 2 nga këto shtetase, pasi kishin përshtatur apartamentin ku banonin bashkë me 2 shtetaset e tjera kolumbiane, në Rrugën e Barrikadave, për ushtrimin e prostitucionit.

Procedohen penalisht 2 shtetaset e tjera që ushtronin prostitucion.    

Si rezultat i hetimeve intensive të kryera nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në drejtimin e Prokurorisë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Apartamenti”. 

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-K. P., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”;

-J. O., 20 vjeçe, dhe L. C., 27 vjeçe, shtetase kolumbiane, për veprat penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Prostitucioni”. 

Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetaset kolumbiane K. R., 23 vjeçe, dhe A. A., 21 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”. 

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi K. P. shfrytëzonte për prostitucion, 4 shtetaset kolumbiane. 2 prej tyre, shtetaset J. O. dhe L. C., kishin marrë me qira, një apartament në Rrugën e Barrikadave, për të banuar bashkë me 2 shtetaset e tjera, dhe e kishin përshtatur atë, për ushtrimin e prostitucionit.  

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.   

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.