PRISHTINË, 24 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Grupi i Punës i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet e Detyrueshme ose të Pavullnetshme do të vizitojë Kosovën më 24-26 qershor.
Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, ekspertët e OKB-së do të takohen me përfaqësues të autoriteteve të Kosovës, me familjarë të personave të zhdukur, me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, si dhe me grupe të tjera të interesit. Ekspertët do të vizitojnë edhe Graçanicën (komunë me shumicë serbe afër Prishtinës) dhe Rezallën (komuna e Skënderajt).
Në përbërje të Grupit të Punës do të jenë: Ariel Dulitzky, Jasminka Dzumhur dhe Osman el-Hajje. Grupi i Punës, sot në Prishtinë, do pritet në takim nga kryetari i delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Personat e Zhdukur, Pajazit Nushi dhe kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj. Të enjten, më 26 qershor, ekspertët e OKB-së do të mbajnë konferencë për shtyp në Hapësirat e Përbashkëta të OKB-së, në Prishtinë. Mëse 15 vjet pas luftës, Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të mëse 1700 qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë rivendur nga familjarët në muajin mars, këtë vit, në rrethojat e Kuvendit e Qeverisë, në sheshin qendror të Prishtinës.
Ndërkohë, kanë vazhduar punët në Rudincë, afër Rashkës në Serbi, në lokacionin e varrezës masive, ku mendohet se janë groposur së paku 250 shqiptarë të vrarë e të masakruar në Kosovë, ndërsa sipas Departamentit të Mjekësisë Ligjore dhjetëra viktima janë zbuluar deri tani./k.s/