Aida Al Han, është një instrumentiste shqiptaro-aziatike e formuar, që këndon, shkruan dhe kompozon, por ka zgjedhur të performojë në disa prej rrugicave të Tiranës. E takojmë në “Myslym Shyri”, ndërsa moti me shi nuk favorizon.
“Skenën e kam provuar, që fëmijë. Jam rritur me violinën. Por si duket kam pasur nevojë të shkëputem, për më shumë liri”, thotë violinistja Aida Al Han.
Si të tjerë kolegë, rrëfen se ka qenë një lloj thirrje për të qenë më pranë natyrës, njerëzve, të cilët edhe në Shqipëri po tregojnë dita-ditës më shumë vlerësim për artistët e rrugës.
“Është ndjesi e bukur, me artistët e rrugës, kalimtarët mblidhemi përmes artit si të kishim lënë takim, lidhemi përmes buzëqeshjeve dhe duartrokitjeve”, tregon artistja.
Në “Pedonale”, sheshin “Skënderbej”, “Parkun e Liqenit”, apo në “Myslim Shyri” ajo improvizon pjesë të ndryshme e shoqëruar nga qeni i saj, që e quan Loçabella.
“Loccabella është shpesh e pranishme, por nuk e ka shumë qejf shiun. Ajo reagon kur njerëzit vijnë, në një farë forme bëhet pjesë e performancës”, thotë violinistja.
Artistja tregon se disa nga artistët e rrugës në Tiranë, do të ishin të denjë edhe për skena të mëdha.
“Që interpretojnë edhe në sheshe janë disa si Kristi Karkanaqe, Gazi Suko, Fabio Stoli, Andi Sulejmani e shumë të tjerë. Kemi raport shumë të mirë me njëri-tjetrin”
Të jetuarit jashtë Shqipërisë, udhëtimet e kanë ndihmuar të shikojë edhe të performojë dhe në qytete apo kryeqendra të mëdha
“Pasi ja nisa këtu dhe mora kurajë nga artdashësit shqiptarë u nisa pastaj për në Stamboll, Maqedoni, në Greqi kam qëndruar një vit gjatë karantinës, kam njohur njerëz, artistë të jashtëzakonshëm”, shprehet më tej.
Thotë se Shqipëria ka nxjerrë muzikantë të mirë, dhe ka një listë të gjatë emrash për rryma të ndryshme. Mes tyre, ka edhe artistë të mëdhenj që e kanë përkrahur në rrugëtimin e saj.
“Nga brezi më ‘retro’ mund të përmend Irma Libohovën, që në zona ku kam qenë studente më është ndodhur pranë si nënë, si shoqe. Bashkë me familjen e saj, bashkëshortin e ndjerë. Takohemi dhe kujtojmë ato kohë, si të kishin ndodhur ndje, ndonëse edhe jeta jonë tashmë ka marrë rrjedha të ndryshme, kemi stile jetese të ndryshme”, thotë Al Han.
E formuar për muzikë klasike, Aidën kalimtarët e dëgjojnë edhe duke luajtur të tjera rryma apo ‘covera’. Shumica prej tyre ndalojnë në shenjë mirënjohje.
Aida është në mbyllje të koncertit të saj, për tu rikthyer performancave të nesërmen, bashkë me Loccabellën e saj.