LEZHE - Në një punishte të vogël në qytetin e Lezhës, mes penjve shumëngjyrësh dhe grepave, 31-vjeçari Anton Tate i përkushtohet një pasioni të veçantë. Ai merret me punë dore, një zanat që në vendin tonë zakonisht praktikohet nga gratë.
“Unë kam parë gjyshen dhe prej saj kam mësuar”, tha ai për Report TV.
Me profesion, Antoni është kuzhinier, ndërsa punimet me dorë i ka pasion që në vegjëli. Ai tregon se prej një viti është përkushtuar më së shumti.
“Këtë ëndërr kam dashur ta realizoj dhe i kam mposhtur paragjykimet”, tha më tej.
Aktualisht po dizenjon një çantë të re, e cila është punuar në tezgjah.
“Këtë çantë e kam bërë me punë dore, me dekor me lule”, tha Anton Tate.
Edhe pse kërkon shumë durim, përkushtim dhe kohë, Antoni thotë se puna me grep i jep kënaqësi të veçantë, sidomos kur sheh punimet e përfunduara që realizon me duart e tij.
“Me grep di të punoj më mirë dhe tani po mësoj tezgjahun. Unë dua ta kthej pasionin në biznes”, shprehet ai për Report TV.
31-vjeçari synon që këtë aktivitet ta kthejë edhe në një mundësi biznesi. Në këtë rrugë ai po mbështetet edhe nga mjeshtrja e njohur e artizanatit në Lezhë, Tereze Gega.
Artizania Tereze Gega thotë se Antoni është ndër të rrallët burra në vendin tonë që merret me punë dore, ndërsa vlerëson përkushtimin dhe dëshirën e tij për të mësuar më shumë rreth artizanatit, përfshirë edhe tezgjahun.
“Ka shumë prirje për punë dore dhe për stilim. Shpresoj të bëhet si Armani”, tha ajo.
Me durim dhe përkushtim, Anton Tate po i jep jetë një tradite të vjetër artizanale. Ndërsa pasioni për punën me grep mbetet motivimi i tij më i madh për të vazhduar përpara.
Komente






