Pasionin për muzikën klarinetisti i angazhuar me Orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Orkestrën e RadioTelevizionit Shqiptar, Eviord Ngjeliu e ushqeu që në fëmijëri… Me të atin e xhaxhanë muzikantë, shtëpia e tij në Fier shndërrohej në një miniskenë koncertore, ku njëfarë soj edhe ai bëhej pjesë…
“Këtu kanë qenë fillimet, stimujt e parë, në familjen time”, shprehet klarinetisti Eviord Ngjeliu.
Ndoshta prej aty i ngjizi dashuria për tingujt e klarinetës, e bëri që lidhja me violinën gjatë fillimeve në shkollën “Jakov Xoxa” të qe e përkohshme…
“Ky ka qenë dhe shkaku që në vit të parë të shkollës së mesme unë i kerkoj familjes që të vazhdoj për klarinet. Pasi nisa në shkollën e mesme në Fier, e më tej studimet e larta në Konservatorin e Muzikës “Luigi Cherubini” në Firence”, shprehet klarinetisti.
Në Firence qe një nga 5 studentët që kaluan testin për të fituar të drejtën e studimit.
"E kujtoj ende sot, ka qenë një moment shumë i bukur. Dhe pastaj kam berë 6 vite shkolle, kater të lartë e dy specializim. Eksperienca ka qenë shumë e bukur. Kërkesa e llogarisë ka qenë po ashtu shumë e madhe derisa mbarova në 201o-ën”, tregon më tej.
Pasioni e nxiste që të punonte për të arritur nivele profesioniste në muzikën klasike, por nuk e mohon se në fillim vitet ‘2000 i është dashur të përballet edhe me racizmin.
“Kjo gjë më ka vrarë nga jeta shpirtërore dhe emocionale, sepse kam jetuar tërë kohës në Fier e se kam ndier diçka të tillë. Mirëpo ndonëse e ndieva racizmin dhe s'me ka infliencuar asnjëherë në instrument. Përkundrazi nga përbrenda doja që tu tregoja se ne nuk jemi ashtu siç thoshin”, shprehet ai.
Në Italinë fiqnje, përshkruan një jetë studentore aktive e plot figura frymëzuese.
“Ne, që ishim me bursë dhe si studentët më të dalluar mund të shkonim në ‘La Scala’ e të ndiqnim aktivitete muzikore. Zubin Mehta, që erdhi në TKOB, unë e kam takuar që atëherë. Po ashtu artistë të tjerë si Riçardo Muti. Nga shembulli dhe guida që të japin ata nga puna që bëjnë në orkestë,r vetvetiu ti e kupton se cila është rruga e drejtë. Vetvetiu nuk mund të gabosh. Ka qenë shumë e domosdoshme stimulimi që kam marrë nga këta instrumentistë, ndër më të njohurit në botë”, shprehet artisti.
Dashuria u bë shkas, që për më shumë se një dekadë Eviordi të krijonte karrierën e tij skenike, në Argjentinë.
“Unë luaja klarinetë e parë në orkestrën e Firences në operën “Traviata”, e cila ka një solo shumë të bukur në klarinetë në aktin e dytë. Sopranoja argjentinase që e dëgjonte Maria Deneri, pasi mbaron opera më takon. Dhe ajo ka qenë shkaku që unë shkova në Argjentinë. Pra, dashuria!”, shprehet Ngjeliu.
Në Argjentinë fitoi disa konkurse që i dhanë mundësinë të punoj me orkestrat e dirigjentët më në zë. Thotë se mendimi i rikthimit në vend e ka shoqëruar ngaherë, veçmas dëshira për të interpretuar si solist në Operan vendase.
“Është diçka që unë kam pas dëshirë të madhe prej kohësh, por më ka stepur frika, nëse do gjej apo jo një boshllëk në profesionin tim, pasi atje e kisha bërë një karrierë, ideja nëse do bëja dot të njëjtën gjë”, thotë Ngjeliu. . .
Në Pandemi mori vendimin e rikthimin në SHqipëri.
“Në 2020 pandemia ‘ndaloi’ jetën, mua më gjeti në një moment vetëm dhe megjithë dëshirën guxova. Kalova provat, audicionet dhe më duhet ta them se mikpritja ka qenë shumë e madhe nga ish-drejtoresha Zana Çela dhe drejtoresha artistike”, shprehet më tej.
Në janar të vitit 2021, shënoi daljen e parë në Teatrin e Operas.
“Vetëm nga janari deri tani unë kam qenë pjesë e 12 koncerteve, 3 si solist e 9 si pjesë e orkestrës. Në çdo nga këto koncerte është e pamundur që të mos nxjerrësh një solo të bukur. Sa herë mbaron këtë solo artisti ndihet i plotësuar, dirigjenti komunikon me ty, dhe pas kësaj soloje të ngre që të përshëndesësh publikun, të marrësh duartrokitjet... Ky është një sensacion që nuk shpjegohet me fjalë. Plotësimi dhe bindja që bëra shumë mirë që u ktheva ka qenë edhe më i fortë në gjashtë muajt e fundit. Çdo dalje është si për herë të parë dhe të jep dëshirën për të vazhduar”, tregon klarinetisti.
Projekte të tjera të operës e bëjnë të ruaj optimizmin.
“Për sezonin tjetër mund të bëjmë një koncert që ka qenë i programuar, por është shtyrë për shkak të pandemisë. Një koncert të Piazollës, kompozitorit të famshëm argjentinas. Me të gjithë orkestrën dhe instrumentistët e tjerë në violinë, fizarmonikë, edhe orkestër. Përveç koncerteve të tjera që nisin në shtator. Por ky është një projekt që më nxjerr mua në pah si solist, ndaj e veçova”, shton më tej. .
Në një kohë që të rinjtë ëndërrojnë largimin, rikthimi i Eviordit frymëzon se edhe në Shqipëri, të rinjtë mund të prekin ëndrra e suksese.
“Do guximin e vet, rikthimi patjetër që mund të ketë rrezikun e vet, pasi ne jemi vend i vogël. Artistëve u them që të kthehen që nesër, jo vetëm në art dhe në çdo profesion tjetër, por kjo gjë do guxim. Pasi atje nëse jeton 10 apo 20 vjet ti ke kaluar e përballur shumë sfida. Por unë jam optimist dhe mendoj se jemi në një moment poztiv, uroj që të jenë të shumtë ata që kthehen”, thotë ai.