Përtej Gjirit të Kotorit me vetëm një traget

Përtej Gjirit të Kotorit me vetëm një traget

Traget

Linja e tragetit Kamenare-Lepetane, që lidh dy brigjet e Gjirit të Kotorit në Mal të Zi, është mbajtur prej 18 shkurtit vetëm nga trageti “Vasilije”, i cili shërbente për punime të inxhinierisë hidraulike dhe për transport në det.

Përveç kapacitetit të vogël - duke qenë se mund të transportojë vetëm 20 makina dhe për këtë arsye janë shkaktuar tollovi të mëdha në të dy anët e bregdetit për ditë të tëra - anija është e diskutueshme edhe nga aspekti i sigurisë

“Nëse nuk jeni të sigurt për transport me tragetin 'Vasilije', keni mundësi që të shkoni përreth [gjirit]”, tha kryeministri i Malit të Zi në mandat teknik, Dritan Abazoviq, më 22 shkurt, duke iu përgjigjur pyetjes gazetarëve lidhur me përdorimin e anijeve pa leje dhe pa sigurim për atë punë.

Sipas dokumentit, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, Administrata e Sigurisë Detare të Tivarit ia ka lëshuar këtij trageti një certifikatë për aftësi lundruese, më 22 shkurt, pesë ditë pasi ajo filloi të transportonte pasagjerë ndërmjet dy porteve.

Më parë, Shoqata e Kapitenëve Detarë të Malit të Zi ftoi urgjentisht inspektoratet dhe Administratën e Sigurisë Detare për të përcaktuar aftësinë e saj lundruese.

“Ftojmë gjithashtu Qeverinë që, nën dritën e sigurisë, të shqyrtojë vendimin që bartëse e këtij aktiviteti detar të jetë kompania, e cila që nuk ka përvojë në menaxhimin detar”, thuhet në njoftimin e kësaj shoqate.

Pronari i tragetit të vjetër 45 vjet, “Vasilija”, është Briv Construction nga Kotorri, kompani e regjistruar për ndërtimin e objekteve.

Si filloi e tëra?

Në fillim të shkurtit, Qeveria e Malit të Zi mori përsipër menaxhimin e linjës së tragetit Kamenare - Lepetane, e cila shkurton për 30 kilometra udhëtimin midis qyteteve bregdetare të Herceg Novit, nga njëra anë, dhe Kotorrit dhe Tivatit, nga ana tjetër, të cilën, në 19 vjetët e fundit e mirëmbante kompania Trafiku Detar.

Qeveria ngarkoi kompaninë “Të mirat detare”, e cila nuk ka tragete dhe nuk merrej me transportin detar, të merrte linjën e tragetit brenda afatit prej 45 ditëve, deri në përfundimin e tenderit për dhënien e koncesionit.

Më pas, “Të mirat detare” - një kompani publike që menaxhon bregdetin - me urdhër të Qeverisë, ndërpreu kontratën me kompaninë Trafiku Detar, i cili mbante linjën me tre deri në gjashtë tragete, në varësi të nevojave. Në mesnatën e 18 shkurtit kjo kompani “parkoi” tragetet e saj.

Trafiku Detar njoftoi edhe për nisjen e një betje gjyqësore, pasi në kontratën me “Të mirat detare” ishte parashikuar që ajo të menaxhonte linjën deri në përfundim të tenderit për koncesion, i cili duhej të ishte shpallur, por nuk u shpall kurrë.

“Abazoviq e dinte për rrezikun e kompensimit”

Trafiku Detar ka kërkuar gjithashtu nga Gjykata Ekonomike që të kryejë përkohësisht trafikun e trageteve, deri në përfundim të tenderit, siç parashikohet në aneksin e kontratës që kompania ka lidhur në vitin 2019 me “Të mirat detare”.

 “Bazën e kësaj e di edhe kryeministri [Dritan Abazoviq]. Para se të merrte vendimin për ndërprerjen e kontratës, ai kishte vlerësimin e Mbrojtësit të interesave pronësore dhe juridike të Malit të Zi, i cili me vendosmëri tha se një vendim i tillë mund ta vendosë shtetin në shkallë të lartë të rrezikut për kompensim”, tha për REL-in drejtori i Trafikut Detar, Dejan Ban.

Deklaratat e Abazoviqit tregojnë se kjo ndërprerje e kontratës është vendim politik, tha ai

Tragetet dhe politika

Abazoviq ka pohuar se pronarët e Trafikut Detar janë financues të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe presidentit të shtetit, Millo Gjukanoviq.

“Bëhet fjalë për personat që ëshë dashur të financojnë fushatën presidenciale të Gjukanoviqit. Qytetarët nuk janë më të gatshëm të durojnë arrogancën e manjatëve që ndajnë një përqindje të caktuar për kreun e DPS-së”, tha Abazoviq.

Ban tha se pretendimet e tilla janë të pabaza.

“Kjo është thjesht e pavërtetë. Ai nuk dha asnjë argument, ndërkaq tani ne duhet të mbrohemi”, tha Ban.

Trafiku Detar, që më parë ishte kompani shtetërore, u ble nga vëllezërit Dejan dhe Dushan Ban në vitin 2004 - gjatë kohës kur ishte në pushtet DPS-ja e Millo Gjukanoviqit - pa tender publik, por me blerjen e aksioneve shtetërore në bursë, për 1.2 milionë euro.

Ata i paguanin kompanisë “Të mirat detare” një tarifë mujore kompensimi në vlerën prej katër për qind të të ardhurave.

Zëdhënësi i DPS-së, Millosh Nikolliq, e cilësoi deklaratën e Abazoviqit si “gënjeshtër të pastër”.

SDP i bën thirrje prokurorisë të monitorojë blerjen e trageteve

Që lidhja detare Kamenare - Lepetane të funksionojë në nivelin e deritashëm, është e nevojshme të blihen ose të merren me qira edhe pesë tragete të tjera.

Abazoviq njoftoi se Qeveria e tij do të marrë vendim që kompania “Të mirat detare” t’i blejë ato përmes procedurës emergjente të prokurimit publik, sepse, siç tha ai, është çështje e interesit publik.

“Të mirat detare”, si kompani publike, është e obliguar të zbatojë Ligjin për Prokurim Publik, i cili kërkon një procedurë dukshëm më të gjatë të prokurimit.

Njoftimi se Qeveria mund ta lirojë kompaninë “Të mirat detare” nga detyrimi për blerjen e trageteve përmes thirrjes publike, sipas kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Rashko Konjeviq, do të ishte ftesë për korrupsion të mundshëm.

“Paaftësia dhe vendimet e përgatitura keq, nuk mund të jenë arsyetim për përjashtimin e një kompanie shtetërore nga detyrimet e saj ligjore. Prandaj, nga sot Prokuroria Speciale e Shtetit duhet të monitorojë çdo vendim për këtë çështje”, ka shkruar Konjeviq në Twitter.

Çfarë thonë qytetarët?

Në të dy anët e gjirit, pranë porteve të trageteve, ka radhë të gjata të automjeteve. Për të shmangur tollovitë, ndonëse transporti aktualisht është falas, shumë njerëz vendosin të bëjnë rrugën përreth gjirit.

Nikollina dhe Emillija nga Herceg Novi përdorin tragetin çdo ditë, sepse studiojnë në Kotor.

 “Kur nuk është vërtet ndonjë ditë e rëndësishme në fakultet, përpiqemi të mos shkojmë, sepse i gjithë ai udhëtim zgjat shumë”, thonë këto studente.

Ivan është ndër ata që zgjedhin variantin më të gjatë dhe më të shtrenjtë.

“Unë vozis përreth dhe i humbi të paktën një orë e gjysmë çdo ditë, në të dy drejtimet. Më shumë preferoj të paguaj [për benzinën e shpenzuar] sesa të pres”.

Edhe Nikolla shfrytëzon shpesh linjën e tragetit, por thotë se do të “durojë gjithçka”, derisa të vijnë kohë më të mira.

“Koha më e mirë është kur shteti i merr paratë”, thotë Nikolla, i bindur se shteti do të marrë përsipër menaxhimin e linjës së tragetit, edhe pse qeveria ka shpallur tender për dhënien e koncesionit.

Dëmi për qytetarët dhe ekonominë

Zgjidhja aktuale për linjën e tragetit Kamenare - Lepetane nuk është e qëndrueshme dhe vështirëson funksionimin e komunikacionit, duke i shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë dhe qytetarëve, njoftoi Oda Ekonomike e Malit të Zi.

Ajo përkujton se ardhja e anijeve të mëdha turistike në Portin e Kotorit, nga muaji mars, do të rëndojë më tej fluksin e trafikut, i cili mund të shkaktojë dëme të drejtpërdrejta në ekonominë turistike, të krijojë pengesa të reja dhe të zgjasë kohën e udhëtimit me orë.

Kamionët dhe autobusët kanë gjithashtu probleme dhe nuk mund të përdorin transportin me tragetin “Vasilija”, për shkak të madhësisë së pamjaftueshme të tij.

Që nga 17 shkurti, ata janë riorientuar në rrugën përgjatë Gjirit të Kotorit, e cila është rreth 30 kilometra më e gjatë në një drejtim./REL

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë