Përurohen dy shkolla të reja, ‘Kiço Blushi’ dhe ‘Sevasti Qiriazi’,Veliaj: Bizhu që i rrisin edhe më shumë vlerën Njësisë 8

TIRANË-  “Kiço Blushi” dhe “Sevasti Qiriazi” janë dy shkollat më të reja që i shtohen kryeqytetit, me kushte bashkëkohore, klasa moderne dhe terrene sportive, të cilat mund të përdoren pas mësimit edhe nga komuniteti.

Ato u përuruan në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi deputetja e PS në Njësinë 8, Mimi Kodheli.

Veliaj tha se zona e “Bregut të Lumit”, në rrugën “Besa”, nga një zonë e lënë në harresë, po kthehet në një nga vendet më të lakmuara të kryeqytetit, pasi është shndërruar në një bizhu të arkitekturës dhe hapësirës për qytetarët.

“Zona e ‘Bregut të Lumit’ cilësohej si një realitet jashtë vëmendjes, një zonë e ndërmjetme mes lumit dhe urbanistikës së Tiranës. Çdo gjë përtej Unazës, përtej rrugës ‘5 Maji’, konsiderohej një zonë pa zot, ku ndërtohej kuturu, ku nuk kishte urbanistikë, kanalizime. I kemi harruar këto! E kemi harruar se lumi përmbyste shtëpitë. Tashmë zona e ‘Bregut të Lumit’, me investimet që kemi bërë, duke filluar nga shkolla e parë që ndërtuam, ‘Ardian Klosi’, apo gjithë lagjja e re që po zhvillohet, hapja e aksit të rrugës ‘5 Maji’, po kthehet në një nga zonat më të zhvilluara të Tiranës. Me autostradën që do të kalojë nga ana tjetër e lumit dhe 4 ura, që do e lidhin me zonën e Paskuqanit dhe Kamzës, do e bëjnë këtë zonë portën hyrëse të Tiranës. Do jetë zona ku do ketë më shumë rritje të vlerës së pronës se te 27 njësitë e Tiranës”, tha Veliaj.

Duke folur për emërtimin e dy shkollave të reja, kryebashkiaku tha se Kiço Blushi dhe Sevasti Qiriazi janë dy personalitete nga Korça, duke ironizuar deklaratat për të ardhurit në Tiranë nga opozita.

“Unë e di se, teksa afron fushata në Tiranë, plas një modë patetike e atyre që garojnë, që bëjnë garë për të treguar kush është më ‘tirons’ dhe nuk është i ardhur në Tiranë. A thua se të ardhurit kanë sjellë probleme! Në fakt, të ardhurit kanë sjellë mundësi.

Të ardhurit kanë sjellë krah pune, të ardhurit kanë sjellë talent, të ardhurit kanë sjellë sipërmarrje. Ndaj, duke filluar nga këta të ardhurit nga Korça, si Sevasti Qiriazi dhe Kiço Blushi, e deri tek ata të ardhur nga të gjithë cepat e Shqipërisë, unë besoj se ky qytet, nëse dikujt që lindi në fshatrat më të humbur të Tropojës ose në fshatrat më të humbur të Skraparit, i dha shansin që të bëhen kryeministra, president, po punove fort, po ishe anëtar i dobishëm i komunitetit, ti ia del të bësh një histori suksesi dhe respektohesh nga komuniteti”, tha Veliaj.

 

Minitrja e Arsimit, Evis Kushi falënderoi kreun e Bashkisë së Tiranës për punën e bërë, sidomos me shkollat në Tiranë. “Shkollat e reja që po ndërtohen janë me standardet më të mira bashkëkohore. Vetëm vjet në Tiranë ndërtuam 12 shkolla të reja dhe 79 në të gjithë vendin. Këto janë 2 shkollat e para që po ndërtojmë këtë vit, por dhe shumë të tjera pasojnë.

Dua të falënderoj shumë kryetarin Veliaj sepse është ndër të parët që nuk mjaftohet vetëm me infrastrukturën, por ai promovon edhe nxënësit e talentuar. Po kështu, me programin e vitit të kaluar, Tirana Kryeqyteti i Rinisë, Bashkia e Tiranës ka mbështetur shumë projekte rinore. Shumë faleminderit Erion për këtë kontribut”, tha ministrja Kushi.

Ndërsa, ministrja e Rinisë, Bora Muzhaqi shprehu gëzimin e saj për gjitha mjediset moderne dhe bashkëkohore që po bëhen në Tiranë, në mënyrë që fëmijëve të mos u mungojë asgjë. Deputetja e PS, Mimi Kodheli tha:

“Veçoj kryetarin e bashkisë Erion Veliaj, për vizionin për të ndërtuar pikërisht në këtë njësi shkollën 9-vjeçare “Kiço Blushi dhe shkollën e mesme “Sevasti Qiriazi”, për t’i dhënë më shumë dije dhe dritë dhe mjedise të duhura një zone e cila ishte totalisht një zonë informale. 20 vite më parë, kur bëja nënkryetaren e Bashkisë, kjo ishte jo vetëm një zonë informale, por totalisht e pamundur për të jetuar. Sot jetojmë në një realitet tjetër, realitet europian, komode, bashkëkohor për t’u mësuar të rinjve për ta bërë brezin që vjen brezin evropian për të cilin të gjithë po punojmë.”

S.C/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë