Teatri i ri i Kukullave në sheshin “Skënderbej” u përurua sot pas restaurimit të cilit iu nënshtrua, me një ceremoni koncerti festiv për fëmijët, me moton “Shtëpia jonë e re”.
Godina e re është në përputhje me standardet bashkëkohore të shfaqjeve audio-vizuale, me një skenë dhe auditor multifunksional, me teknologji moderne dhe imazh të kuruar në detaje.
Morën pjesë kryeministri Edi Rama, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe përfaqësues të tjerë të faktorit vendas dhe të huaj.
Prej ditës së sotme (16 Dhjetor), teatri ka hapur dyert për të gjithë vogëlushët me shfaqje të reja dhe emocionuese.
Në fjalën e tij, ambasadori Gonzato, teksa bëri edhe batuta në lidhje me projektin, u shpreh se BE-ja nuk është vetëm rregullore, standardë dhe ekonomi, por edhe kulturë dhe histori apo ruajtje e identitetit dhe trashëgimisë, ndaj edhe iu bashkua këtij projekti dhe përurimi.
“Projekti i BE për kulturën dhe shkollat janë dy nga më të rëndësishmet, programet jo vetëm të rëndësishme për ne, sepse jo vetëm restaurohen ndërtesat, që u prishën dhe nga tërmeti, si shkollat, u sjellim të mira edhe qytetarëve drejtpërdrejtë, fëmijëve, nxënësve etj. Kur na thanë në fillim se do të na duhet të përurojmë Teatrin e Kukullave, unë thashë po ç’lidhje ka BE-ja me kukullat, por pastaj e kuptova se do të ishte edhe kryeministri, atëherë thashë ndoshta nuk duhet ta filloj kështu bisedën. Por pastaj kuptova se këtu bëhet fjalë jo thjesht për një ndërtesë që të jetë teatri i kukullave, është një ndërtesë e cila ka vetëm histori, e thashë, epo atëherë sigurisht që ka kuptim që Bashkimi Europian të restaurojë edhe Teatrin e Kukullave, sepse ne restaurojmë monumente, e gjithë gjëja kishte kuptim”, u shpreh diplomati i lartë.
Por më tej ai sqaroi edhe pse BE është më shumë se rregulla e ligje.
“Siç edhe u them njerëzve dhe e ndoshta i bezdis me përsëritjet, por Bashkimi Europian nuk ka të bëjë vetëm me rregulloret, standartet, nuk ka të bëjë as vetëm me probleme ekonomie, në fakt ka të bëjë me shndërrim të të gjithë shoqërisë në një shoqëri ku të gjithë të kenë të drejta të barabarta dhe këto të drejta t’i gëzojnë të gjithë. Por është e rëndësishme që në këtë proces asimilimi, se do ju duhet të plotësoni standarde që ju vijnë nga jashtë, ju vetë të mos humbisni identitetin tuaj. E them këtë sepse shpesh, në formë të padrejtë BE-ja akuzohet sikur është ajo që i asimilon të gjithë, i bën të gjithë të barabartë dhe njësoj, por kjo nuk është e vërtetë. Pse? Sepse e gjithë forca e BE vjen nga larmia e saj. Ne sjellim talente të ndryshme, histori dhe tradita të ndryshme, kultura të ndryshme, dhe i bëjmë ato që të funksionojnë sa më mirë me njëra-tjetrën, që jo vetëm të jemi të bashkuar, por edhe të larmishëm. E të gjitha këto, fakti që jemi bashkë, përfaqësojnë vlerat e Bashkimit Europian. Ndaj kam kënaqësinë që të përurojmë këtë ndërtesë kaq të bukur, këtë pjesë të rëndësishme të historisë shqiptare, që edhe nga aspekti arkitekruror është kaq i bukur, e mbi të gjitha është për ju fëmijët”, tha ambasadori i BE.
Një ndër godinat e dëmtuara objekte të trashëgimisë kulturore si Teatri i Kukullave, teksa u hartua një projekt dhe program për 27 objekte me një vlerë të posaçme për historinë.
“Vërtetë tërmeti hapi një vrimë të madhe në tavanin e kësaj godine, por gjendja e saj prej kohësh ishte për të ardhur keq dhe në ndërkohë ne kishim nisur projektin për një tjetër godinë të Teatrit të Fëmijëve që tanimë ka filluar të marrë formë, diku në anën tjetër të bulevardit të Tiranës, aty ku është edhe hyrja në parkun e qytetit dhe që së shpejti do të çelë dyert me hapësira dhe me një program shumë më të gjerë dhe shumë më të larmishëm për fëmijët e të gjitha moshave”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë u shpreh se kjo godinë kishte histori dhe arsye për t’u mbajtur e tillë, duke theksuar se tashmë ka të gjithë kushtet e nevojshme dhe me standardet e duhura.
“Po punojmë përditë që së shpejti të hapim dhe derën tjetër, siç thashë, të Teatrit të madh të Fëmijëve dhe do të vazhdojmë të bëjmë të gjitha përpjekjet që të krijojmë sa më shumë hapësira, të krijojmë sa më shumë mundësi dhe të hapim sa më shumë dyer për aktivitete sa më të larmishme për fëmijët e kryeqytetit, por jo vetëm të kryeqytetit, por për fëmijët në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Rama.
Më tej ai theksoi se investimet e qeverisë janë shtrirë edhe në shkolla, si me laboratorët e dijes digjitale, ku 100 të parët janë tani në funksion dhe do shtrihen në të gjitha shkollat, sikurse do bëhet edhe me bibliotekat.
“Këtu ka qenë Parlamenti shqiptar dikur dhe unë uroj që juve të rriteni duke parë sa më pak Parlamentin shqiptar, deri kur të mos keni mundësi më ta evitoni, por përsa kohë keni mundësi ta evitoni, ju lutem shumë ju fëmijëve të na konsideroni kukulla dhe të silleni me ne si me kukullat, por ndryshe nga kukullat tuaja që juve i merrni afër, i përkëdhelni, ne na konsideroni si ato kukullat që është mirë të mbahen larg, që futen në skenë për të krijuar një atmosferë shqetësimi deri kur drita pastaj vjen, muzika fillon prapë dhe ata ikin nga skena. Kështu që, mund të largohem tani me shumë kënaqësi sepse nuk ka më mirë sesa të shikoni atë në vend se të më shikoni mua dhe ju kërkoj falje dhe për ata që patë para meje, sepse mos kujtoni se janë më të mirë se unë”, theksoi kryeministri.