TIRANE- “Shqipëria ka potenciale të mëdha dhe këto janë mundësi tërheqëse për investitorët”. Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha në ceremoninë e perurimit të terminalit të ri të doganës së Tiranës, duke e cilësuar këtë vepër si një partneritet publik dhe privat, që duhet aplikuar në të gjitha fushat.
Berisha tha se ndryshe nga PD, alternativa e opozitës është alternativë kaosi që sjell rrezik për biznesin.


Kreu i qeverisë theksoi edhe një herë se do të hiqen të gjitha barrierat për investimet e huaja, dhe do të krijohen sa më shumë mundësi për binzesin.

“Duhet të tërheqim sa më shumë investitorët, pasi vendi ka potenciale të mëdha. Do të bëjmë gjithçka nëpërmjet kësaj nisme t’u shërbejmë më mirë qytetarëve tanë, të krijojmë për ata kushte jetese, rroga më të mira, punësim më të madh”, u shpreh Berisha.

Duke iu drejtuar bizneseve, Kryeministri Berisha tha se, “Të gjithë e dini se çelësi i suksesit tuaj qëndron në respektin e lirisë së tregut. Dhe ne këtë përpiqemi të bëjmë. Ne besojmë në filozofinë tonë. Liria e tregut, iniciativa e lirë e individit është themeli i mirëqënies. Ne kemi ndërmarrë reforma të thella fiskale, ka qënë një guxim i madh nga ana e punonjësve të sistemit doganor. Po një fakt është i pamohueshëm, që pothuasje është se çdo hap që kemi bërë drejt lirisë suaj në pamje të parë do të sillte ulje por ka sjellë rritje sepse liria juaj ekonomike ka krijuar të ardhura më të mëdha. Nga viti 1992, jemi ndër të vetmit vende që kemi rritur 11 herë GDP-në”.

Kryeministri Berisha sulmoi edhe opozitën duke theksuar se alternative e saj është alternativë kaosi që sjell rrezik për biznesin.

“Alternativa tjetër është alternativa e kaosit. Një ditë thotë do vë taksën progresive dhe kur reaguam thotë se do ta vëmë atë për të ardhurat personale. Njësoj është. Taksa progresive është armiqësi për biznesin. Një ditë tjetër thotë do heq taksën për biznesin e vogël ka taksën më të vogël në Europë. Ideja për të ngushtuar bazën e pagesave të taksave është kriminale për një ekonomi. Është ide për të shembur ekonominë. Në çdo vend që i beson ekonomisë sociale zgjerohet baza e taksës. Nëse i shikon ti biznesmenët si kundërshtar ti rrënon vendin sepse nuk është ky vend i sektorit publik të prodhimit, por i sektorit privat të prodhimit” shtoi Berisha.

Gjithashtu kreu i qeverisë u kërkoi administratës së doganave më shumë transparencë dhe shërbime më të mira për biznesin. Kreu i qeverisë premtoi heqjen e çdo pengese dhe thithjen e potencialit të biznesit, si dhe theksoi se dialogu konstant me biznesmenët është i vlefshëm për suksesin e mëtejshëm.

TERMINALI I DOGANES SE TIRANES

Terminali i ri doganor i Tiranës do të jetë një terminal bashkëkohor, i parametrave europiane, sa i takon procedurave të përpunimit të mjeteve, kapaciteteve, mbajtëse, përpunese dhe magazinuese, dhe do të zgjidhë radhët e gjata në zhdoganimet e mallrave të ndryshëm.

Terminali i ri ofron një vend kontrolli fizik që të përballojë 15 trajlera në një kohë, duke mënjanuar pritjen. Ky terminal ka një sipërfaqe totale prej 75 mijë m2, me mbi 10 mijë m2 sipërfaqe magazinash doganore dhe një sipërfaqe totale në dispozicion të administratës doganore prej 2200 m2.

Me ndërtimin e kësaj vepre, dogana e Tiranës transformohet nga disa zyra që nuk përmbushin kushtet më minimale në një godinë, e cila do të ketë të gjithë parametrat e kërkuar ndërkombëtarë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)