Pas përplasjeve me militantët e Partisë Demokratike, të cilët i larguan nga protesta, të rinjtë vijuan tubimin para Ministrisë së Arsimit, që përshkallëzoi sërish në dhunë. Protestues të maskuar sulmuan me gurë e molotovë efektivët e policisë, ndërsa këta të fundit u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Molotovët shpërthyen në këmbët e efektivëve dhe poshtë autobotit të ujit. Një grup protestuesish, të pajisur me çadra e mushama, vazhduan të hidhnin molotovë drejt policisë, ndërsa të tjerë nisën të largoheshin nga Ministria e Arsimit dhe marshuan te Kryeministria.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:47
‘Strukur’ në çadra, protestuesit marshojnë drejt kryeministrisë (VIDEO)

Protestuesit janë larguar nga Ministria e Arsimit dhe ndërsa reshjet e shiut vijojnë, po marshojnë me çadra drejt kryeministrisë.

Ora 15:34
Shiu shpërndan protestuesit, bie pjesëmarrja (VIDEO)

Ndërhyrja e policisë me ujë, pasuar edhe nga shiu, po shpërndajnë protestuesit. Një pjesë e mirë prej tyre janë pajisur me çadra e mushama, por ata po lëvizin drejt hyrjes së “Rrugës së Durrësit.”

Disa prej tyre janë strehuar jashtë bizneseve, të cilat janë të mbyllura.

Ora 15:30
Protesta te Ministria e Arsimit/ Molotovët shpërthejnë në këmbët e efektivëve (VIDEO)

Molotovët e protestuesve po shënjestrojnë policinë, ku disa prej tyre kanë përfunduar në këmbët e efektivëve. Fatmirësisht, këto incidente kanë kaluar pa lëndime.

Ora 15:26
Flakë nën autobotin e ujit, protestuesit hedhin molotovë (VIDEO)

Protestuesit kanë nisur sulmet me molotovë te Ministria e Arsimit, ku disa prej tyre kanë përfunduar poshtë autobotit të ujë duke shkaktuar shpërthim e flakë.

Ora 15:23
Protestuesit e maskuar sulme me gurë e molotovë në drejtim të efektivëve, Policia ndërhyn me ujë me presion (VIDEO)

Protesta para Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar sërish në dhunë, pasi protestuesit e maskuar kanë sulmuar me gurë e molotovë efektivët e policisë. Për t'i shpërndarë dhe për të ndalur sulmet, Policia ka ndërhyrë me ujë me presion.

Ora 15:22
Halloween dhe protestë, ‘kllouni’ djallëzor shfaqet në turmë (VIDEO)

 

Një protestues ka shfaqur kreativitet me maskimin e tij që në vend të kapuçëve të zinj apo syzeve, të përdorë maskën e një kllouni të frikshëm. Më pas, imiton edhe një të qeshur djallëzore.

Maskimi i tij i përshtatet edhe festës së Halloween-it sot.

Ora 14:58
'Maskat' në aksion, shkulin pllakat e trotuarit dhe sulmojnë policinë (VIDEO)

 

Të maskuarit kanë shkulur pllakat e trotuarit para Ministrisë së Arsimit.

Ata kanë sulmuar edhe blutë me gurë, teksa kanë qëlluar edhe drejt institucionit.

Ora 14:54
Protestuesit zjarr koshave të mbeturinave, policia hedh ujë (VIDEO)

 

Mes sulmeve me gurë të protestuesve të maskuar ndaj policisë dhe zjarreve në koshat e mbeturinave, policia ka nisur të ndërhyjë me hedhjen e ujit. Një autobot është afruar dhe po hedh ujë për të fikur flakët në kazanët e mbeturinave.

“Polici e krimit”, dëgjohen protestuesit në kor.

Ora 14:39
Pas djegies së koshave, protestuesit hedhin molotov dhe gurë drejt Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

 

Pas djegieve të dy koshave të mbeturinave në mes të rrugës, protestuesit kanë hedhur molotov para Ministrisë së Arsimit.

Të maskuarit gjithashtu kanë gjuajtur me gurë drejt institucionit.

 

Ora 14:14
Protestuesit ndezin tymuese, u vënë flakën koshave te Ministria e Arsimit! Policia thirrje: Mos bllokoni rrugën (VIDEO)

 

Protestuesit po ndezin tymuese blu e të kuqe, si dhe po djegin kartonë e dy kosha mbeturinash në rrugën para Ministrisë së Arsimit. Gjithashtu po hedhin edhe kapsollë.

Policia po bën thirrje që të distancohen nga aktet e dhunshme. “Mos bllokoni rrugën” dhe “mos ndizni zjarre”, thotë policia.

Në gatishmëri është edhe autoboti i ujit.