TIRANË- Me pjesëmarrje të ulët dhe sulme sporadike me gurë e molotovë ndaj policisë, vijoi protesta e të rinjve edhe këtë të shtunë në Tiranë. Pasi larguan militantët e PD-së, protestuesit marshuan në shi nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë, ku u grumbulluan rreth orës 16:00 dhe qëndruan për gati një orë e gjysmë. Gjatë kësaj kohe, një grup të maskuarish sulmuan efektivët me gurë e molotovë, ndërsa policia ndërhyri me ujë me presion për t'i sprapsur.
Më herët, protesta para Ministrisë së Arsimit ishte shoqëruar me tensione mes të rinjve dhe militantëve të Partisë Demokratike. Pas largimit të mbështetësve të PD-së, një grup protestuesish të maskuar nisi sulmet me gurë e molotovë ndaj efektivëve të vendosur para Ministrisë së Arsimit. Disa molotovë shpërthyen në këmbët e policëve dhe poshtë autobotit të ujit, ndërsa uniformat blu u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Reshjet e shiut dhe ndërhyrja e policisë bënë që një grup protestuesish të pajisur me çadra e mushama të zhvendoseshin drejt Kryeministrisë. Prej orës 16:00, protestuesit u grumbulluan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mes tyre u panë edhe Arlind Qori dhe Erald Kapri, të cilët më herët ishin akuzuar nga drejtuesit e PD-së me argumentin se ishin ata autorët që përzunë demokratët nga protesta.
Një grup protestuesish të maskuar nisën të shkulin gurë nga bulevardi dhe t'i grumbullonin për sulme ndaj policisë. Disa prej tyre përdorën edhe llastiqe, ndërsa të tjerë drejtuan lazerë ndaj autobotit të ujit.
Tensionet u përshkallëzuan kur protestuesit hodhën molotovë drejt efektivëve dhe autobotit të policisë. Rreth orës 17:15, pas sulmeve me molotovë ndaj efektivëve dhe autobotit, policia ndërhyri me ujë me presion, duke i sprapsur protestuesit drejt Piramidës. Sulmet vijuan pranë Kullave Binjake, ku molotovët shkaktuan flakë në rrugë, të cilat u shuan nga policia.
Lajmi në përditësim.....
Më herët, para se të nisnin sulmet e protestuesve para kryeministrisë, një prej tyre përqafoi një efektiv.
Policia ka ndërhyrë përsëri me ujë për të zhvendosur protestuesit, pas disa sulmeve radhazi me molotovë.
Protestuesit duket të jenë shpërndarë, ndërsa ndërhyrja është e gjithanshme, nga Piramida drejt ish-hotel ‘Dajtit’ dhe Ministrisë së Brendshme.
Protestuesit e maskuar nuk po i reshtin sulmet me molotovë drejt policisë, duke shënjestruar sërish autobotin e ujit. Policia i ka shuar flakët duke përdorur një fikëse zjarri portative.
Pas molotovëve drejt policisë, protestuesit kanë hedhur të tjerë drejt Kullave Binjake. Policia i shoi menjëherë flakët në rrugë me fikëse zjarri. Uniformat blu po bëjnë thirrje për distancim nga aktet e dhunshme.
Kanë nisur sulmet e para të protestuesve me molotovë drejt efektivëve te kryeministria. Ata kanë hedhur disa prej tyre drejt autobotit të ujit, por pa arritur ta prekin.
Policia po ndërhyn duke hedhur ujë. Vihet re se deri më tani nuk ka pasur përdorim të gazit lotsjellës. Protestuesit po sprapsen drejt Piramidës.
Protestuesit po drejtojnë lazerë drejt autobotit të ujit që ndodhet në krah të kryeministrisë. Të tjerë, të maskuar, vijojnë sulmet me gurë.
Dy protestues po përdorin gurët për të luajtur me njëri-tjetrin, duke i pasuar si ‘top’.
Protestuesi i maskuar që është bërë i famshëm për gjestet e tij paqësore, ka dhuruar sërish puthje me dorë para kamerës.
Disa protestues të maskuar po grumbullojnë gurë, i shkulin dhe i hedhin në bulevard duke përgatitur sulmet drejt kryeministrisë e efektivëve.
Disa të tjerë gjuajnë herë pas here me llastiqe.
Protestuesit janë larguar nga Ministria e Arsimit dhe ndërsa reshjet e shiut vijojnë, po marshojnë me çadra drejt kryeministrisë.
Ndërhyrja e policisë me ujë, pasuar edhe nga shiu, po shpërndajnë protestuesit. Një pjesë e mirë prej tyre janë pajisur me çadra e mushama, por ata po lëvizin drejt hyrjes së “Rrugës së Durrësit.”
Disa prej tyre janë strehuar jashtë bizneseve, të cilat janë të mbyllura.
Molotovët e protestuesve po shënjestrojnë policinë, ku disa prej tyre kanë përfunduar në këmbët e efektivëve. Fatmirësisht, këto incidente kanë kaluar pa lëndime.
Protestuesit kanë nisur sulmet me molotovë te Ministria e Arsimit, ku disa prej tyre kanë përfunduar poshtë autobotit të ujë duke shkaktuar shpërthim e flakë.
Protesta para Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar sërish në dhunë, pasi protestuesit e maskuar kanë sulmuar me gurë e molotovë efektivët e policisë. Për t'i shpërndarë dhe për të ndalur sulmet, Policia ka ndërhyrë me ujë me presion.
Një protestues ka shfaqur kreativitet me maskimin e tij që në vend të kapuçëve të zinj apo syzeve, të përdorë maskën e një kllouni të frikshëm. Më pas, imiton edhe një të qeshur djallëzore.
Maskimi i tij i përshtatet edhe festës së Halloween-it sot.
Të maskuarit kanë shkulur pllakat e trotuarit para Ministrisë së Arsimit.
Ata kanë sulmuar edhe blutë me gurë, teksa kanë qëlluar edhe drejt institucionit.
Mes sulmeve me gurë të protestuesve të maskuar ndaj policisë dhe zjarreve në koshat e mbeturinave, policia ka nisur të ndërhyjë me hedhjen e ujit. Një autobot është afruar dhe po hedh ujë për të fikur flakët në kazanët e mbeturinave.
“Polici e krimit”, dëgjohen protestuesit në kor.
Pas djegieve të dy koshave të mbeturinave në mes të rrugës, protestuesit kanë hedhur molotov para Ministrisë së Arsimit.
Të maskuarit gjithashtu kanë gjuajtur me gurë drejt institucionit.
Protestuesit po ndezin tymuese blu e të kuqe, si dhe po djegin kartonë e dy kosha mbeturinash në rrugën para Ministrisë së Arsimit. Gjithashtu po hedhin edhe kapsollë.
Policia po bën thirrje që të distancohen nga aktet e dhunshme. “Mos bllokoni rrugën” dhe “mos ndizni zjarre”, thotë policia.
Në gatishmëri është edhe autoboti i ujit.











Komente
Komento