Një ndeshje futbolli nuk zgjat asnjëherë 90 minuta, por deri në vërshëllimën finale të gjyqtarit. Këtë leksion e mori Japonia që ishte shumë pranë një kualifikimi historik në çerekfinale të një kupe bote, por më pas u eliminua nga goli i minutës së 94 nga Chadli. Përmbysje rezultati nga 0-2 në 3-2 për belgët që hyn në historinë e kampionateve botërorë. Histori që ka nisur të shkruhet vite më parë. Botërori i Zvicrës 1954.
Gjermania Perëndimorë ndeshet në finale me Hungarinë favorite, që pas 8 minutash lojë udhëheq 2-0. Vetëm 10 minuta dhe gjermanët barazojnë në 2-2, për të shënuar golin e fitores 6 minuta përpara fundit të ndeshjes, duke ngritur për herë të parë dhe kupën e botës. 1966, Botërori i Anglisë. Në çerekfinale Koreja e Veriut pasi kishte eliminuar Italinë, surprizon portugezët e udhëhequr në fushë nga i madhi Eusebio, pasi në 25 minuta lojë kalojnë në avantazh 3-0.
Luzitanët reagojnë shumë shpejt duke shënuar dy gola në pjesën e parë dhe më pas 3 në të dytën duke i dhënë jetë njërës prej përmbysjeve më të mëdha në historinë e botërorëve. Në Botërorin e Meksikës në 1970, Anglia zbret në fushë si kampione në fuqi pas triumfit ndaj Gjermanisë. Në çerekfinale vjen hakmarrja për Gjermaninë Perëndimore, me sfidën që nis mirë për “3 luanët”, të cilët pas 49 minutash janë në avantazh 2-0.
Të udhëhequr në fushë nga Beckenbauer dhe Muller, gjermanët përmbysin gjithçka duke triumfuar në fund 3-2. Nuk është një përmbysje e plotë, por sfida Gjermani Perëndimore–Francë në botërorin e 1982 e meriton të jetë histori. Koha e rregullt mbyllet 1-1 me sfidën që i drejtohet shtesës. Gjelat shfrytëzojnë më së miri startin e pjesës së parë duke shënuar dy herë për të marrë avantazhin 3-1, por “manchaft” reagon po në këtë fraksion për të barazuar shifrat në 3-3. Me penallti në fund është Gjermania Perëndimore që kalon më tej.
Sërish Franca në histori, në botërorin e shtëpisë në 1998-ën, në përballjen me kroatët në gjysmëfinale. Ballkanasit që kishin befasuar të gjithë me pjesëmarrjen e tyre të parë dhe arritjen deri në gjysmëfinale, kalojnë të parët në avantazh me anë të Davor Suker. Por festa e kroatëve zgjat fare pak pasi Turam barazon një minutë më vonë për të shënuar dhe golin e dytë të sfidës, një dygolësh historik për lojtarin që çoi Francën në finalen e madhe për të triumfuar më pas ndaj Brazilit.