Pesë shtetet e 'QUINT-it' i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës të zbatojë vendimin për Manastirin e Deçanit

Pesë shtetet e 'QUINT-it' i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës të zbatojë vendimin për Manastirin e Deçanit

Manastiri i Deçanit

Shtetet e QUINT-it, Organizatës Ndërkombëtare e përberë prej 5 shteteve, SHBA, Mbretëri e Bashkuar, Itali, Gjermani dhe Francë i kanë bërë sërish thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë.

Më 20 maj mbushen gjashtë vjet qëkur Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim që t’i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë.

Ky vendim nuk është zbatuar, pavarësisht se vendimet e Kushtetueses janë të obligueshme.

“Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në reagimin e QUINT-it.

QUINT disa herë i ka bërë thirrje Kosovës që të zbatojë vendimin e Kushtetueses.

Vendimi i Kushtetueses i vitit 2016 kundërshtohet nga qeverisja lokale e Deçanit, e cila refuzon ta zbatojë atë, duke pretenduar se ajo pronë është e kompanive shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e Manastirit të Deçanit. Autoritetet lokale në Deçan besojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese legalizoi vendimin e Sllobodan Millosheviçit nga viti 1997, kur vendosi t'i dhurojë këtë pronë Manastirit të Deçanit.

Më 4 shkurt të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti qëndrimin e tij se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i bazuar në “politikën diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë, të vitit 1997.

Kurti deklaroi se Qeveria e tij do të përpiqet t’i ruajë të drejtat legjitime të Manastirit të Deçanit, por shtoi se edhe liderët fetarë duhet të bëjnë pjesën e tyre, gjegjësisht të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut dhe marrëveshjes me popullatën lokale në Deçan.

Dioqeza e Rashkës kërkon zbatimin e vendimit të Kushtetueses

Të premten ka reaguar edhe Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, duke shprehur shqetësim për “shkeljet e vazhdueshme të të drejtave pronësore të Kishës Ortodokse Serbe nga institucionet e Kosovës”.

Dioqeza tha se deklaratat, siç i quajti, të papërgjegjshme dhe provokuese të zyrtarëve në Prishtinë, nuk i kontribuojnë stabilitetit dhe pajtimit në Kosovës dhe inkurajojnë mostolerancën etnike dhe fetare ndaj Kinës Ortodokse Serbe.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe përfaqësuesve diplomatikë në Prishtinë që të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për vendosjen e një sundimi efektiv të ligjit, të drejtave dhe respektimit të të drejtave të njeriut për Kishën Ortodokse Serbe dhe pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë.

Për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i cili ka thënë se “nuk ka sundim të ligjit në institucionet e Prishtinës”.

Edhe në raportin për të drejtat e njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit, që u publikua në prill të këtij viti, u vu në dukje refuzimi i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës për ta zbatuar këtë vendim.

Ndryshe, më 24 shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese i dërgoi një letër kryeprokurorit të atëhershëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, përmes së cilës e informoi për nxjerrjen e Aktvendimit për Mos përmbarim lidhur me aktgjykimin e vitit 2016, me të cilin Gjykata Kushtetuese vendosi që Manastiri i Deçanit është pronar i 24 hektarëve tokë dhe pyll.

Në letrën dërguar Kryeprokurorit të Shtetit, Gjykata Kushtetuese theksoi se ajo “nuk ka kompetencë për vlerësimin e përgjegjësisë për moszbatimin e aktgjykimeve të lartcekura nga autoritetet përgjegjëse” dhe ka thënë se “i takon Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë veprimet e mëtejme, sipas autorizimeve ligjore, bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”./REL

S.C//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh