PESHËNGRITJE - Peshëngritja shqiptare vazhdon të fitojë medalje në arenën ndërkombëtare. Pas paraqitjes së suksesshme të Esmond Markut, radha ishte e Antonino Mullisit, i cili ka dhuruar një performancë shumë të mirë në Kampionatin Evropian të moshave 15 dhe 17 vjeç që po zhvillohet në Prishtinë.

Mullisi, që garoi në kategorinë deri në 75 kilogramë për moshën deri në 17 vjeç, është shpallur kampion Evrope në stilin e shkëputjes dhe nënkampion Evrope në dygarësh, ndërsa ka vendosur edhe dy rekorde evropiane për moshën e tij.

Në stilin e shkëputjes, shqiptari ishte i pakonkurrueshëm. Mullisi ngriti 135 kilogramë, duke fituar medaljen e artë dhe njëkohësisht duke thyer rekordin evropian të moshës në këtë disiplinë.

Në stilin e shtytjes, ai realizoi një ngritje prej 156 kilogramësh, rezultat që i siguroi medaljen e bronztë.

Suksesi erdhi edhe në dygarësh. Me një total prej 291 kilogramësh, Mullisi u rendit i dyti në Evropë dhe vendosi një tjetër rekord evropian të moshës së tij. Në këtë sukses një rol të rëndësishëm kanë edhe trajnerët Artur Lagja dhe Florenc Çela.

Aventura shqiptare në këtë Evropian nuk ka përfunduar. Në pedanë pritet të zbresë edhe Maida Lozi, e cila do të konkurrojë në kategorinë deri në 77 kilogramë për moshën deri në 17 vjeç, me synimin për të shtuar të tjera medalje për Shqipërinë.