Sipas burimeve nga Policia e Shtetit mësohet se të arrestuarit janë, Iliaz Neli, 59 vjeç, lindur dhe banues në Peshkopi dhe Argjend Shehu, 29 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë.
Arrestimi i këtyre shtetasve, u krye pasi kanë kundërshtuar dhe goditur për shkak dhe gjatë ushtrimit të detyrës dy punonjës të policisë së qarkullimit rrugor. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se dy punonjësit e policisë së qarkullimit rrugor, gjatë kryerjes së shërbimit në rrugën Tercilio Kardinali, në qytetin e Peshkopisë, rreth orës 21.00, kanë konstatuar një automjet tip Mercedes Benz, i cili po udhëtonte në krahun e kundër të lëvizjes në këtë rrugë me një korsi kalimi. Me konstatimin e faktit, punonjësit e policisë kanë kryer veprimet për ndalimin e mjetit, që drejtohej nga shtetasi A.N, vjeç, 39, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë, i cili është prezentauar si punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror.
Ndërkohë që punonjësit e policisë po kryenin procedurat standarte të konstatimit të kundravajtjes rrugore, shtetasit Iliaz Neli dhe Argjend Shehu kanë dalë nga automjeti, i cili drejtohej nga shtetasi A.N, dhe kanë goditur me grushte punonjësit e policisë rrugore Sh.K dhe A.M.
Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Polisë së Qarkut Dibër menjëherë është bërë i mundur kapja dhe shoqërimi i autorëve të ngjarjes, Iliaz Neli dhe Argjend Shehu, ndaj të cilëve, pas kryerjes së veprimeve hetimore, u mor masa e arrestit në flagrancë për kryrje të veprës penale "Kundershtim i punonjesit te policise" dhe "Goditje per shkak te detyres" te kryera keto ne bashkepunim, parashikuar nga nenet 137, 236 e 25 te Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve paraprake, është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për kryerjen e veprës penale "Drejtimi i mjetit ne gjendje te dehur" shtetasi A.N, vjeç, 39, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë, punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror. Po nga veprimet hetimore paraprake ka rezultuar se drejtuesi i mjetit nuk është përfshirë në konflikt dhe se pas ngjarjes është paraqitur vetë në polici. Lidhur me këtë ngjarje është njoftuar edhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti tip merecedes benz, i cili drejtohej nga shtetasi A.N. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Dibër për ndjekje dhe hetime të mëtejshme./ATSH/