Pas një aksioni gati 3 javor të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për tregtimin e pesticideve në vendin tonë, janë vënë 9 gjoba, janë dhënë 33 paralajmërime, 5 subjekte u bllokuan, 2 licenca farmacish bujqësore u revokuan si dhe janë bllokuar gati 4 tonë pesticide, kontrabandë dhe të skaduara. Të paktën këto janë shifrat e publikuara prej datës 16 tetor e deri më tani nga AKU, në faqen zyrtare në rrjetet sociale.

Pas këtij ‘aksioni’ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se mblodhi në një takim grumbullues, eksportues, importues dhe fermerë, për të diskutuar mbi problematikat e punës së tyre.

“Fokusi i takimit ishte përdorimi i pesticideve të regjistruara dhe udhëzimi mbi praktikat e përdorimit të rregullt të tyre. Problematika kryesore mbetet përdorimi i pesticideve të palejuara nga fermerët dhe ku i sigurojnë ato. U theksua domosdoshmëria që pikat e grumbullimit të forcojnë kriteret dhe të sigurojnë dokumentacion të plotë për gjurmueshmërinë e produkteve, si edhe raport analizat përkatëse. Fokus i veçantë iu dha rolit të Farmacive Bujqësore dhe shpërndarësve të mëdhenj, të cilët duhet të tregtojnë vetëm pesticidet e autorizuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si edhe të udhëzojnë fermerët mbi përdorimin korrekt të tyre, sasitë dhe afatet e karencës, duke garantuar kështu sigurinë ushqimore”, thotë AKU në njoftim.

Tregu problematik i farmacive bujqësore, ku pesticidet që futeshin kontrabandë u shiteshin fermerëve u denoncua nga Report TV disa ditë përpara se AKU të vihej në lëvizje. Nga një hulumtim i Report TV i publikuar më 12 tetor 2025 rezultonte se ishin gjobitur 25 farmaci bujqësore për tregtim të paligjshëm pesticidesh, shitje produktesh të futura kontrabandë apo të skaduara.

Vetëm gjatë këtij viti 23 ngarkesa fruta-perime të kontaminuara me pesticide mbi normë janë identifikuar në doganat e Bashkimit Evropian. Problemi kryesor që po haset në bujqësinë shqiptare përtej përdorimit të pesticideve të palejuara është vjelja e produktit para se të kalojë afati i lejuar i përdorimit të pesticidit. Respektimi i ‘karencës’ ose i kohës që të mbarojë efekti i dëmshëm i pesticideve pasi është hedhur në produkt, është një nga kontrollet kryesore që bëhet, thotë AKU pasi produkti del jo i pastër.