Petrit Ruka: Xhirimet e
pashfaqura kurrë të Kadri Roshit

Petrit Ruka: Xhirimet e <br />pashfaqura kurrë të Kadri Roshit
Me sytë e tij plot shkëndija drite, flokët e bardhë si petk dëbore, vështrimin tretur larg në ujërat e Jonit, në një çast magjik, pa asnjë pipëtimë në pritjen e ëmbël që peshku të bjerë pre e karremit të tij... Mandej një çast me veten ku në portret parakalojnë dhjetëra gjendje, një marrëdhënie e pazakontë që ka me çastin para se të nisin xhirimet. Është një çast përgatitor.
Është Kadri Roshi, aktori me zërin magjik dhe ekspresivitetin e rrallë, xhevahiri i artit tonë skenik që i mungon jetës artistike të shqiptarëve, por edhe botës tonë të të gjallëve prej 5 vitesh. Dje një grusht njerëzish, e kujtuan, fatkeqësisht, fare pak nga kolegët e tij, të cilët s'dihet pse e kishin braktisur atë çast përkujtimor në Teatrin Kombëtar. Ndryshe nga këta indiferentë, kineasti Petrit Ruka ishte kujdesur të sillte dje 15 minuta xhirime të rralla, që na sillnin copëza intime jashtë roleve, jashtë artit, copëza jetë të Kadri Roshit. Shumica e tyre ishin shkëputur nga xhirime spontane, si kamera të fshehta nga momentet kur aktori përgatitej për të xhiruar dokumentarin Butrinti i gjallë". Mbi këtë 'thesar' filmik që petrit ruka e ruante me fanatizëm prej vitesh në shtëpinë e tij, flasim pak më gjerësisht me kineastin...

Z.Ruka, këto 15 minuta xhirime, çfarë na sjellin në kujtesë?
Janë xhirime që kryesisht janë nxjerrë nga arkivi im personal, të pa ekspozuara më parë, por janë pjesë përbërëse e punës që u bë në vitin 1997 për xhirimin e dokumentarin "Butrinti i gjallë", që i kushtohet Kadri Roshit. Me rastin e 5 vjetorit në këtë ceremoni unë vendosa të shfaq këto materiale që shfaqen për herë të parë të cilat kanë të bëjnë me aksesorë,me përgatitjet rreth xhirimeve, çaste intime të tij, momente para xhirimeve…

Çfarë kujtoni diçka gjë të veçantë gjatë atyre xhirimeve, që nga ajo kohë kur ju punonit bashkë?
Më kujtohet një këngë që ai e këndonte gjatë momenteve të pushimit në xhirime apo një kamera e fshehtë para përgatitjeve të tij për xhirim ku vihet re se si ai edhe në atë moment është duke punuar me vetveten, duke folur me vetveten, duke interpretuar… por mjaft të veçanta janë edhe xhirimet nga momentet e peshkimit, për të cilin ai e kishte një pasion të jashtëzakonshëm. Aty duket dashuria e tij për ujërat.
Ne i kemi realizuar fshehurazi këto pamje për t'i patur në arkiv...

Ku janë realizuar këto xhirime?
Kryesisht në Butrint, Libohovë, në Ballsh dhe në shumë vende të tjera... Sepse ne atëherë xhiruam pothuajse në gjithë Shqipërinë e jugut duke përfshirë Vlorën, Himarën… Është një gjeografi shumë e gjerë ajo ku ai kishte xhiruar apo jetuar.
Kadri Roshi së bashku me aktorë të tjerë, të cilët kanë qenë plejadë e shquar e artit tonë nuk janë më, çdo vit ne humbasim aktorë e artistë të mëdhenj. Si është arti ynë pas kaq vitesh, pa Kadri Roshin dhe artistët e tjerë...?
Kjo më duket si një mungesë gati-gati e pariparueshme, si një vrimë kozmike që nuk është e lehtë të mbushet. Ata ishin fatlumë sepse i takonin një brezi idealistësh por dhe janë pjellë e kohës së tyre, ku arti pavarësisht qëllimeve që subvencionohej, klima ishte më e përshtatshme se sot. Arti ishte më i organizuar pranë institucioneve përkatëse, më i subvencionuar nga shteti dhe ku publiku ishte shumë i lidhur me artin dhe të gjithë faktorët e tjerë punonin për të. Pavarësisht nga ideologjizmi ai mbetet një art shumë profesional, mjeshtëror e shumë serioz. Duhen vite që kjo situatë të rikuperohet dhe të kalojë kjo gjendje sa kaotike aq edhe jo profesionale. Jemi duke hedhur bazat por jemi ende larg një arti profesional të mirëfilltë e serioz…

A ishte në lartësinë e duhur aktiviteti përkujtimor?
Aktiviteti i sotëm ishte organizuar nga Teatri Kombëtar. Ishte i dhimbshëm fakti që pjesëmarrja ishte e vogël, ishte e pafalshme që mungonin artistë e aktorë të vetë Teatrit Kombëtar me të cilët ai ka punuar një jetë të tërë. Ishte një interesim shumë i vakët. Por kjo nuk është për faj të organizatorëve, por për faj të një indiference që të ngjall keqardhje.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti (VIDEO)

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti (VIDEO)