Petrit Vasili zgjidhet kryetar i LSI
Monika Kryemadhi zv/kryetare

Petrit Vasili zgjidhet kryetar i LSI<br />Monika Kryemadhi zv/kryetare
Ilir Meta, njeriu që themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim 13 vjet më parë, nuk është më kryetar i kësaj force politike. 

Konventa e LSI ka zgjedhur me votim të hapur dhe unanimisht Petrit Vasilin në vend të Metës i cili javën e kaluar u zgjodh President i Republikës. 

Konventa votoi edhe për zv/kryetarin e parë, pasuesin e Petrit Vasilit në këtë detyrë.

Për këtë post kandidonte vetëm deputetja e LSI, Monika Kryemadhi, njëherazi bashkëshorte e Ilir Metës. 

Edhe për Kryemadhin, votimi nga anëtarët e LSI në Konventë ishte unanim.

Ndërkohë, në fjalimin përpara anëtarëve të LSI, Petrit Vasili u shpreh se objektivi është dhe mbetet një: "LSI forcë e parë politike".  

Petrit Vasili është Kryetari i dytë i Lëvizjes Socialiste për Integrim që nga themelimi i saj në 4 tetor të vitit 2004. I zgjedhur për të drejtuar LSI-së për 14 vite ka qenë Ilir Meta, i cili u zgjodh në 28 prill President i Republikës së Shqipërisë.

Meta: Pas 24 korrikut nuk ndikohem nga bindjet politike
Nga Konventa e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" në Tiranë, për zgjedhjen e kryetarit të ri, Ilir Meta iu drejtua përmes një mesazhi të gjithë anëtarëve dhe drejtuesve të kësaj force politike. 

Përpara mbështetësve, Meta në cilësinë e presidentit të zgjedhur, u shpreh se pas datës 24 korrik, kur edhe do të bëjë betimin si i pari i shtetit, ai nuk do të ndikohet më nga bindjet politike dhe as nga fakti që ka drejtuar historikisht LSI-në. 

"Jam para një sfide të rëndësishme se pavarësisht bindjeve të mia, të cilat janë dhe do të jenë eurosocialiste, pas 24 korrikut, do dëshmoj përpara të gjithë shqiptarëve se nuk ndikohem as nga bindjet e mia politike dhe as fakti që kam qenë kryetar i LSI-së", u shpreh Meta.

Ai theksoi se edhe LSI është përpara një sfide pa Ilir Metën kryetar.

"Ju jeni një sfidë më të lehtë për mua në raport me opinionin publik që të tregoni se edhe pa Ilir Metën kryetar jeni në rrugën e pandalshme për shndërrimin e LSI në një forcë të madhe politike në Shqipëri".  

Duke iu referuar situatës politike në vend, Meta tha se detyrën e presidentit do ta ushtrojë në funksion të stabilitetit dhe dialogut politik. 

"Si president i ardhshëm do t'i jap më shumë pushtet stabilitetit dhe dialogut në interes të qytetarëve shqiptarë".

Meta foli edhe për rrugëtimin e gjatë të LSI-së duke u konfirmuar si një forcë politike në funksion të stabilitetit të vendit. Meta tha se LSI lindi për t'i dhënë fund arrogancës së pushtetit dhe çmontuar regjimin partiak të dy partive të mëdha, PD e PS. 

"LSI lindi si një parti për t'i dhënë fund arrogancës. Lindi si një sfidë kundër regjimit dy partiak.

LSI ka qenë forca më e madhe morale për demokracinë dhe zgjedhje të lira në Shqipëri. Nuk besoj se themeluesit dhe të gjithë anëtarët e votuesit e parë të LSI e kanë harruar sesi vetëm në pak muaj, duke pasur të gjithë makinerinë e pushteitt kundër saj, LSI ishte e vetmja që nuk e shkeli Kodin, që nuk u bë pjesë e superdushkut por mori 120 mijë vota të ndershme.

Superdushku konsensual për të gjithë ata që anë kuriozë mjaftojnë të bëjnë një kërkim për të parë rezultatet e partive në proporcional dhe maxhoritar për të parë se si u morën mandatet e LSI. Por LSI nuk u dorëzua, por vazhdoi të tregojë rritje aq sa në një natë të errët në prill të 2008-ës u ndryshua në mënyrë konsensuale kushtetuta e Shqipërisë për të eliminuar LSI-në.

Edhe sot e kësaj dite Shqipëria vuan pasojat e atyre ndryshimeve kushtetuese dhe të atij Kodi të mallkuar, ku qëndron një pjesë e mirë e burimit të konfliktit dhe frimës s ëpolitikës nga vota e lirë dhe e ndershme e shqiptarëve. Kurrë s'i harroj ato dy javë të grevës së urisë në Kuvendin e Shqipërisë, jo vetëm të LSI por dhe disa partive të tjera parlamentare, as mbështetësit e LSI çdo ditë përpara Kuvendit. 

Pavarësisht, ne arritëm të mbijetonim në 2009, në ato zgjedhje të cilat treguar problemet me të cilat ndeshet demokracia në Shqipëri, por u bëmë faktor stabiliteti dhe përshpejtimi të integrimit europian të Shqipërisë. E di që jo pak prej jush nuk u pajtuan me atë vendim të vëshirë për koalicionin e LSI me PD, por ajo ishte e vetmja zgjidhje për t'i shërbyer stabilitetit dhe jo kaosit. Të gjithë le ta dinë se LSI ka rol kycc në liberalizimin e vizave të qytetarëve shqiptarë. Koalicioni me PD nuk ka qenë i lehtë. Kur ka qenë në pikëpyetje marrëdhënia e Shqipëerisë me NATO, LSI ka vendosur kushtete e saj për të respektuar marrëveshjet për kursin euroatlantik të Shqipërisë. LSI do të vazhdojë të jetë forcë e integrimit europian
", tha Meta. 

Meta foli edhe për kandidatët e LSI në zgjedhjet e 18 qershorit, ku shprehu besimin se emrat e LSI janë garancia më e mirë për të çuar Shqipërinë drejt integrimit në BE. 

Kryemadhi: Zonjë s'të bën titulli por përkushtimi për vendin
Gjatë fjalës së saj të mbajtur në Konventën e LSI-së, deputetja dhe njëkohësisht bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi uroi Metën për zgjedhjen si president, ndërsa është shprehur se mbi të gjitha ndihet e nderuar që është bashkëshortja e Ilir Metës.

Ajo tha se asnjë ceremonial nuk i përcakton kufijtë e të qënit një grua e parë.

“I uroj suksese Metës në detyrën e re. Ka dhe nga ata që thonë se unë do të jem sipas protokollit zonja e parë.Ju them se unë jam e nderuar në ceremonial, por unë ndihem e nderuar që jam zonja e Ilir Metës.Unë jam zonjë vite më parë, kur nisëm rrugëtimin politik.

Asnjë ceremonial nuk i përcakton kufijtë e të qenit një grua e parë.

Ndaj këtë titull e të qënit bashkëshortja e Ilir Metës e ndaj me gratë që janë zonja të para në shtëpitë e tyre dhe tonën.Asnjë titull nuk të bën zonjë, veç përkushtimi që kë ndaj familjes dhe vendit.Ne nuk mund të premtojmë gjëra që nuk mund të arrihen, pra ne po përpiqemi që të përmirësojmë jetët tona.

I them vetes dhe familjes së madhe të LSI se çdo qelizë e imja do të jetë për të bërë Shqipërinë më të mirë. Jam e nderuar që më propozoni zëvëndës kryetare të LSI. Me rëndësi është të mbetemi me këmbë në tokë. Do realizojmë premtimin tonë”
- tha Kryemadhi.

konventa e lsi

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Zjarri në Parkun Kombëtar të Tomorit, flakët përparojnë drejt Teqesë së Kulmakut

VIDEO/ Zjarri në Parkun Kombëtar të Tomorit, flakët përparojnë drejt Teqesë së Kulmakut