Petro Koçi: Berisha po
tallet me Nanon si në 2007

Petro Koçi: Berisha po<br />tallet me Nanon si në 2007
TIRANE- Ish-ministri i Rendit, njëherësh kreu i PSV, Petro Koçi, në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" është shprehur se Fatos Nano nuk është një figurë konsensuale për President, madje as pas distancimit nga PS dhe qëndrimeve për 21 janarin. Njëherësh, ai thotë se ish-kryeministri socialist nuk duhet t'i hyjë garës presidenciale me mendimin për të blerë votat. Koçi thotë se Berisha u tall me pretendimin e Nanos për President në vitin 2007, por që as tani nuk e pranon Nanon për kryetar shteti. Duke u shtyrë në kohë, Koçi thotë se në vitin 1997 burgu që bëri në kohën e Berishës ishte një shkollë për të. Teksa analizon ecurinë e PS ku ishte dhe drejtues i lartë në këtë parti, ai thotë se Nano gjithnjë kishte arritur marrëveshje me kundërshtarët, madje dhe me Metën, duke bërë që vetë Koçi, iniciator i katarsisit më 2002 të ishte "viktimë" e paktit Nano-Meta.

Mbaheni mend në mars të 1997 si politikani që pasi u dërguat në polici, dolët andej me flokë të qethur. Si e kujtoni është kohë?
Mbetet një nga periudhat më të zeza të historisë politike dhe shtetërore të Shqipërisë. Mund të them se në përvojën time, koha në qelinë e policisë së Sali Berishës ishte një shkolllë më vete. Viti '97 ishte një përpjekje e PD që t'i shpëtonte rënies nga pushteti duke futur vendin në kaos total, me shpresën se nevoja për të rivendosur rendin, do të përkthehej në votë për Sali Berishën. Por populli ynë u tregua shumë i mençur për mos e ngrënë atë kokërr të helmuar ulliri. Sidoqoftë anarkia e orkestruar nga shteti dhe PD, armatosja me armë e militantëve të PD dhe hapja e depove sollën fatkeqësi të pakorrigjueshme mbi jetët njerëzore. Megjithatë mund të them se zyrat e shtetit, pavarësisht politizimit të skajshëm ishin më dinjitoze se sa zyrat e sotme të shtetit.

Keni qënë për pak kohë ministër i Rendit. Si e përballuat atë detyrë, ndërkohë që në polici kishte dhe nga ata oficerë që kishin qënë aktivë më 1997?
Ka qenë një periudhë sfidash të mëdha. Nga njëra anë duhej rritur besueshmëria morale dhe profesionale e policisë së Shtetit dhe nga an tjtër jo vetëm duhej rivendosur rendi pas grushtit të dështuar të shtetit të 14 shtatorit 1998, por duhej përballuar me sukses të plotë kriza Kosovës dhe pasojat e spastrimit etnik mbi shqiptarët e Kosovës. Mendoj se mbetet një periudhë krenarie për mua. Sfida që në përgjithësi u përballuan me sukses. I mbetem përjetë mirënjohës asaj trupe policie që mbajti peshën kryesore në përballimin e ruajtjes së stabilitetit të vendit dhe sigurimin e lëvizjeve dhe qëndrimit të rreth gjysëm milioni kosovarësh që bujtën në Shqipëri në atë kohë. Kjo meritë e policisë mbetet edhe sot e kësaj dite e pamirënjohur nga shteti. Janë dekoruar lloj lloj individësh apo institucionesh, por policia akoma jo.

Keni qenë një ndër aktorët kryesorë të katarsisit të ndërmarrë nga Nano kundër qeverisjes së atëhershme të Metës. Mendoni se ishte një lëvizje e duhur dhe se ia arriti qëllimit?
Nano nuk ka qenë iniciatori, por drejtuesi i mëvonshëm i katarsisit. Kjo lëvizje u konceptua si iniciativë kundër disa sëmundjeve qeverisëse e politike të kohës që më shumë shfaqeshin në qeverinë e asaj kohe. E keqja është se rrugës ajo u administrua vetëm si projekt politik për rindarje pushtetit dhe jo si projekt që pastronte qeverisjen nga fenomenet e abuzimit me pushtetin. Prandaj ajo nuk ja arriti qëllimit, por u instrumentalizua për të ndryshuar përbërjen e qeverisë. Natyrisht edhe ky afekt nuk qe negativ në vetvete, por ishte i pamjaftueshëm për ta quajtur të suksesshme lëvizjen.

Nano asokohe ishte kundër Metës, ndërkohë që pas katarsisit, ai që u penalizua ishit ju, që ikët nga të gjitha detyrat madje dhe nga kryesia e PS, pavarësisht se ishit bashkëpuntori më i afërt i Nanos. Si e shihni atë kohë në dritën e situatës së sotme?
Kjo është histori e marrëveshjes Nano-Meta të 2002-shit, kur u shkel statuti për ta bërë Nanon Kryeministër. Unë u përcaktova si "shpërblim" për palën tjetër, duke më kërkuar largimin nga detyra e Sekretarit Organizativ. Natyrisht që nuk pranova dhe besoj mbahet mend se si 70 e ca firma për shkarkim përfunduan në vetëm 51 vota pro kundrejt 50 kundër shkarkimit. Edhe sot unë e shoh atë ngjarje siç e gjykova atë ditë. Pa asnjë ndryshim.

Mbetet thuajse proverbiale deklarata juaj pas kongresit së vitit 1999 të PS, teksa Nano dilte fitues ndaj Majkos por po bëhej llogaria e mbështetjes në ish-KPD. Kur po bëheshin bilancet mes proNanos dhe antiNanos, ju deklaruat: Këto janë raportet, por vendosen realisht me kë do të jetë vetë Nano". Dhe ai emëroi Metën kryeministër. Si i konsideroni këto lëvizje të ish-kreut socialist?
Nano ka bërë gjithmonë marrëveshje me kundërshtarët në parti. I preferonte më shumë se sa bashkëpunëtorët e tij. Mendoj se e ka tepruar me këtë duke kontribuuar në fakt pro krijimit të fraksioneve dhe fuqizimit me pushtet të tyre. Kjo fuqi e dhënë në mënyrë të pamerituar çoi edhe në rritjen e mundësive praktike të fraksionit Meta për t'u shkëputur nga PS dhe për të krijuar LSI.

Kanë filluar ethet presidenciale, Fatos Nano që nga viti 2002 po bën tentativën e tretë për të qënë kryetar shteti. Sa përfaqësuese është figura e Nanos për President Republike?
Fatos Nano ka staturë të lartë politike dhe shtetërore, por në kushtet aktuale nuk është përfaqësuese. Diferenca me socialistët dhe të majtën për krimin e 21 Janarit dhe zgjedhjet e 8 Majit e eleminon mundësinë për të përfaqësuar të majtën në këtë përpjekje personale. Nga ana tjetër ka Berishën, i cili pavarësisht kthesës në vlerësimin e figurës së Nanos nuk duket se dëshiron që ta kthejë mbrapsht rezultatin e garës mes tyre deri në 2005-ën.

Nano ka filluar takimet me liderët politikë, ka përfunduar takimin me Metën dhe Berishën, pritet takimi me Ramën. Sa shanse ka ai që të jetë president i vendit?
Gjykoj që nuk ka shumë shanse. Nuk po duket akoma ndonjë shenjë për një proces konsensual të zgjedhjes së Presidentit. Sepse futja në një garë me blerje votash do ishte një turp më shumë dhe rivulosje e menderosur e ndryshimeve kushtetuese të 21 Prillit 2008, ku PS mban përgjegjësi historike.

Eshtë diskutuar se mosdhënia e votës së deputetëve të PS për Nanon President në korrik të vitit 2007 iu përkthye PS dhe opozitës me humbjen e zgjedhjeve parlamentare të viti 2009. Mendoni se PS duhet ta mbështesë Nanon për President?
Jo, s'ka qenë kjo arsyeja e humbjes së zgjedhjeve, por përçarja PS-LSI. Nano nuk hyn fare këtu. Natyrisht që mbështetja e Nanos atëherë do ishte një taktikë e mënçur në favor të kohezionit në PS. Tani mendoj se jemi në kushte të ndryshme. Megjithatë zoti Rama po e trajton me pjekuri këtë moment, duke mos marrë flamur anti-Nano dhe duke mos marrë përsipër aventurën e garimit me shitblerje votash.

Diskutohet në koridoret e politikës se Berisha ia ka borxh Nanos mbështetjen për president pasi e ka ndihmuar atë në korrik 2007 për shmangjen e krizës presidenciale, por dhe përmes deklaratave në zgjedhjet e viti 2009. Mendoni se Nano mund t'i marrë votat e Berishës dhe të shmangë Topallin si kandidaturë?
Nuk besoj se zgjedhja e Topit mbetet meritë e Nanos. Ajo është edhe përgjegjësi e paushtruar si duhet e opozitës. Dhe nuk besoj se Berisha e pranon paraprakisht Nanon për President. Ai është tallur në 2007-ën me të njëjtin pretendim dhe nëse nuk do ketë presion ndërkombëtar për format konsensual në zgjedhjen e Presidentit atëherë ai do bëjë aventurën e radhës edhe me këtë proces. Duke zgjedhur një besnik të tijin në krye të shtetit. Nano mund ti ikte mga kontrolli në rast se zgjidhet. Jam kundër pazarit me vota të blera. Duhet marrëveshje për proces dhe parametra konsensualë.

Zgjedhja e Nanos president, mund të ndikojë në lënien sërish të PS në opozitë, për shkak të balancimit të pushteteve, pasi kështu e shpjegojnë analistët ngurrimin e mbështetjes nga Rama për Nanon?
Nuk ka lidhje. Kemi që nga 2002-shi që kemi pasur në krye të shtetit Presidentë të emëruar nga Berisha dhe kemi që nga 2005 me kryeministër Berishën. Duhet një zgjidhje e pjekur me vullnet të mirë dhe të pastër për një president konsensual.

Çfarë duhet të bëjë opozita për të fituar zgjedhjet, pasi dhe në tryezë pamë që debatet më të mëdha ishin mes Ramës dhe aleatëve, përjashtuar PBK?
PS duhet ta mendojë fitoren e zgjedhjeve si produkt të sajin dhe koalicionit që drejton. Shpresa se mekanizmi i fitores do jenë votat e marra Sali Berishës nga Bamir Topi mund të pakësojnë shanset e opozitës dhe të rrisin keqkuptimet në tregun politik dhe elektoral.

Si mund të funksionojë një koalicion jashtë PS i majtë, që bën si grupim aleancë me PS?
Me sistemin aktual kjo nuk është efektive. Pra duhen formula grupimesh dhe përqëndrim votash brenda koalicionit me PS. Gjithmonë nën logjikën e këtij Kodi. Prandaj duhen strategji të pjekuara që vënë në radhë të parë interesin kombëtar të ndërrimit të pushtetit, mbi interesat personale të njerëzve të caktuar brenda apo jashtë PS, që sakrifikojnë Koalicionin për mandatet e tyre.

Çfarë duhet të bëhet për reformën zgjedhore dhe votat e mandatet të jenë të proporcion sa më të drejtë të mundshëm?
Kërkohen ndryshime që nuk lenë jashtë përfaqësimit mijëra qytetarë që me sistemin aktual u vidhet ligjërisht vota. Apo duhen marrëveshje elektorale, lista të përbashkëta etj. që eleminojnë efktin përjashtues të Kodit, duke garantuar përfaqësim realist të faktorëve politikë brenda koalicionit.

Mendoni se roli i ndërkombëtarëve në politikën shqiptare ka qënë efikas, duke e vënë dhe në kontekstin e integrimit në BE?
Ndërkombëtarët kanë kohë që po e tolerojnë korrupsionin në Shqipëri. Dhe ka pak presion për standarde në funksionimin e Parlamentit, qeverisjes dhe institucioneve shtetërore. Dhe nuk duhet të duartrokasin marrëveshje mes forcave kryesore politike kur sjellin regres kushtetues dhe dobësim të kontrollit të qytetarit mbi politikën. Rasti më i trashë është tolerimi absurd i gjendjes jo kushtetuese në vetë Gjykatën Kushtetuese. Aty ka rënë shteti. Ka rënë Republika dhe 'yjet rrinë e vështrojnë'!

(sg/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë