Peza: Kush nuk e voton reformën
në 21 Korrik, bën vetëvrasje politike

Peza: Kush nuk e voton reformën<br />në 21 Korrik, bën vetëvrasje politike
Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza, shprehet se negociatat për reformën në drejtësi vijojnë edhe në nivele të larta, jashtë tryezës së negociatorëve. I ftuar në "45 minuta" nga Denis Minga, Peza tha se po negociohet ethshëm për të arritur një kompromis, i cili do të bënte të mundur miratimin konsensual të reformës në 21 korrik.
 
Ai tha se do të ishte vetëvrasje për këdo që do të votojë kundër reformës në drejtësi, ndërsa solli në vëmendje edhe mesazhet e forta të ambasadorit amerikan Donald Lu por edhe të përfaqësuesve të lartë të Brukselit.  
 
I pyetur për ecurinë e mëtejshme të mazhorancës, nëse reforma në drejtësi nuk miratohet të enjten, Peza tha se qeveria do të vijojë punën dhe kryeministri Edi Rama do të vijojë të jetë kryeministër. Sipas tij, qeveria është votuar në 23 qershor të 2013-ës, për të qeverisur vendin për katër vitet në vijim. 

Z.Peza, një lajm i mirë për ju është ai i z.Selami që do të votojë reformën edhe nëse nuk e voton Basha? mund të ketë vota të tjera të PD?
Reforma në drejtësi është kryetema prej ditësh. Këdo që të pyesësh sot, kanë si kryefjalë reformën në drejtësi. Duket sikur parlamenti dhe parlamentarizmi është ndarë në dy pjesë, në neo-otomanë dhe europianistë. Të cilët e kanë vënë vendin përpara një dileme Shekspiriane, nëse Shqipëria do të rrëzojë pengesën e fundit drejt integrimit, apo do të vijojë drejt një fryme neo-otomane, që do të ndërtojë një mur ndarës mes shqiptarëve dhe Brukselit nën diktaturën e një drejtësie të korruptuar. Nuk mendoj që është surprizë kjo e Selamit, po t'i referohemi qëndrimit europianist në vijimësi. Në perceptimin tim, z.Selami është një europianist. 

Kjo votë a mund të kuptojë shkëputjet e tjera?
S'besoj se mund të kenë lidhje shkak pasojë. Gjykoj se PD ka ndryshuar shumë nga pozicionet e mëparshme të saj. Dhe në 24 orët e fundit ka një vullnet më të madh për të shkuar drejt arritjes së një kompromisi. Dhe mbrëmë deri në mesnatë, gati kompromisi u arrit. Presion i madh i SHBA-BE dhe koshienca e lidershipit të PD, për këtë reformë historike, por nga ana tjetër presioni ndërkombëtar ka ardhur duke u shtuar, për t'i bërë preson të drejtpërdrejtë klasës politike shqiptare. Shqipëria është në fokusin e të gjitha kancelarive perëndimore tashmë. Ky moment një ligjvënësi në Shqipëri i vjen njëherë në jetë. Dhe duhet të jetë në anën e historisë. 

Parlamenti më i kontestuar në këto 25 vite, mos është paksa pak ironike, që ky parlament do votojë reformën më të rëndësishme në vend?
Me votimin e reformës, disa protagonistë të politikës shqiptare, do të duhet të votojnë për vete, por në fund të fundit, mund të marrësh edhe vendime që të shërbejnë pozitivisht, por mund të jetë edhe e dhimbshme për ndonjërin që do të votojë edhe kundër vetes. 

Z.Rama shprehet i sigurt për 94 vota, por sa vota ka kjo reformë sot?
Si çdo gjë tjetër, politika përfundon tek matematika. Reforma në drejtësi më shumë sesa kalkulimet e vogla matematikore, është një llogari tjetër, llogari përpara historisë, përpara vetes, elektoratit dhe historisë së partive. Ky raport, ky qëndrim dhe kjo përballje e madhe në këtë lojë të madhe pasqyrash, me një reforme që tejkalon gjithçka e bën shumë të pavëmendshme çështjen e vogël të numrave. Këtu kemi të bëjmë me qëndrime që ndajnë epoka, që ndajnë dy faza historie. S'do gjykohet mbi aritmetikën e numrave, por në qëndrimet e përgjegjshme të partive politike. Dhe do të jetë një notë e përbashkët për të gjithë klasën politike. 

Ti kthehemi pak negociatave pwr ngwrçin final, dje çfarë ndodhi me qëndrimet e tre negociatorëve?
Ka pasur një dakordësi mes negociatorëve dhe pothuajse në një masë afër 100% është rënë dakord për termat e marrëveshjes. Gjithmonë negociatat zhvillohen në prani të ekspertëve të EURALIUS e OPDAT. Ekspertët e tyre, sipas informacioneve që kam unë, kanw parë një kontradiktë që mund ta çonte zgjidhjen në Kushtetuese dhe mund ta rrëzonte sepse binte ndesh me Kushtetutën. U duk sikur u gjet zgjidhja, u pa se binte ndesh dhe është dashur një formulim për këtë pjesë.

Pse s'ka rinisur sot?
Është çështje kohe dhe mundësie e palëve. Negociatat nuk zhvillohen vetëm mes njerëzve që mblidhen në një vend, por edhe në shumë rrugë të tjera. Po negociohet ethshëm në çdo orë dhe në çdo minutë. 

Ka një merak se mos vallë një kompromis i minutës së fundit mund ta cenojë nw cilwsinw e reformws...
Fakti që kemi qenë shumë pranë zgjidhjes, nuk ka asgjë të pakapërcyeshme. PD nuk ka hequr dorë nga pretendimet e saj, por s'po heq dorë as nga përpjekjet për të shkuar te zgjidhja. 

Çfarë ka ndodhur në këto 48 orë me z.Meta?
Z.Meta është një politikan i pjekur me shumë përvojë. Është bashkëdrejtues i koalicionit qeverisës. Nga 2013-a e deri sot, në asnjë rast të vetëm, LSI nuk ka votuar asnjëherë ndryshe nga PS, çka është tregues thelbësor i mënyrës së funksionimit të koalicionit. Pra, nuk ka çedim të boshtit të koalicionit. Pastaj, tjetra është që të gjithë aktorët kërkojnë të luajnë një rol dhe si kryetar Kuvendi ka dashur të gjejë pozicionin e tij për të ruajtur një rol më të madh për çështjen e reformës në drejtësi. 

Po votat e LSI? Do jenë siç thotë z.Rama?
Votat e LSI s'mund të maten me çështje fraksionesh. Sa i përket elementëve të tjerë, e gjitha është pjesë e lojës politike. 

A janë trembur liderët nga deklaratat e ambasadorit?
S'e di çfarë ka ndodhur, se për ta kuptuar këtë duhet të jesh më pranë tyre. SHBA kurrë një çështje nuk e ka pasur më seriozisht se reformën në drejtësi. Kur SHBA e kanë shumë seriozisht një gjë, ata e kuptojnë rëndësinë dhe delikatesën e pozicionit të tyre në raport me atë çfarë kërkohet nga SHBA. 

S'do guxojë kush të dalë kundër SHBA?
Kjo është si ajo barcaleta: "Nëse i hapim luftë Amerikës, kush rri e mban me bukë SHBA pastaj". 

A do ta detyrojë SHBA politikën shqiptare që të votojë reformën në 21 korrik?
SHBA nuk e detyron, por tregon rrugën e drejtë. 

A trembet z.Berisha nga pasojat e SHBA, z.Meta, z.Basha, z.Rama?
Nuk besoj se ndonjë lider politik të arrijë të mos jetë serioz në një qëndrim kaq shumë serioz, në një çështje kaq shumë serioze për ne. 

Reforma votohet të enjten?
100% po, votohet. Por kurrë mos thuaj kurrë. Sirenat që i mbajnë liderët tanë të lidhur pas traut të anijes do t'i çojnë drejt Itakës, pasi ata e kuptojnë që vetëm ajo është rruga më e drejtë. Nëse dikush nuk shkon sipas interesit shqiptar, atëherë kjo do të ishte vetëvrasje politike. Nëse një lider politik nëse del kaq kundër në një çështje kaq të investuar nga SHBA e BE, ai nesër nuk është më partner i tyre. Një lider shqiptar s'do jetë jetëgjatë në politikë, nëse nuk ka mirëkuptimin e aleatëve.

Çfarë ndodh me qeverinë nëse nuk kalon reforma?
Kalon apo jo reforma, qeveria do të vijojë punën deri në 2017-ën. S'dua ta besoj që reforma s'do votohet. Qytetarët e kanë votuar qeverinë Rama për të qeverisur 4 vjet. Pas votimit të reformës, në 22 Korrik ne do të flasim për atë që do të ndodhë. 

Ditën e enjte, votimi do të jetë nominal, i hapur?
Varet nga kërkesat që do të bëjnë kryetarët e grupeve parlamentare. S'është përcaktuar. Por unë do të preferoja votimin e hapura nominal. 

Referendumi është mundësi?
Deri në 21 korrik nuk e shohim si mundësi. Por do të luhet e punohet me disa opsione.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mbi 9 mijë gjoba për një javë, Rrugorja bën bilancin: 22 shoferë të arrestuar dhe proceduar! 79 pezullime dhe bllokime

Mbi 9 mijë gjoba për një javë, Rrugorja bën bilancin: 22 shoferë të arrestuar dhe proceduar! 79 pezullime dhe bllokime