Autoritetet amerikane të aviacionit kanë vendosur të pezullojnë të gjitha ngritjet e mbi 10.000 avionëve në aeroportet e vendit pasditen e kësaj të premteje, për shkak të “rrethanave të jashtëzakonshme”. Deri më tani nuk është bërë e ditur rsyeja zyrtare e këtij vendimi, por sipas informacioneve paraprake, pak pas orës 15:00 me orën lokale (21:00 me orën shqiptare), janë shfaqur probleme të shumta në komunikimin radio mes qendrave të kontrollit të trafikut ajror, të cilat janë përgjegjëse për menaxhimin e avionëve në fluturim.

Ndërkohë, hapësira ajrore amerikane po zbrazet gradualisht, pasi avionët që ndodhen në ajër po vijojnë fluturimet deri në destinacionin e tyre. Qendrat e kontrollit ajror, të cilat menaxhojnë trafikun në një nga hapësirat ajrore më të ngarkuara në botë, po përgatiten për një situatë të njohur në terminologjinë e aviacionit si “ATC Zero”. Ky përcaktim nënkupton ndërprerjen e plotë të shërbimit të kontrollit të trafikut ajror, për shkak të pamundësisë së komunikimit me avionët.

Vendimi është konfirmuar edhe nga sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, përmes një reagimi në rrjetin social X.

“FAA ka urdhëruar pezullimin e ngritjes së avionëve në të gjitha aeroportet e Shteteve të Bashkuara, pas një problemi komunikimi që ka prekur të gjitha qendrat e kontrollit të trafikut ajror. Teknikët e FAA-së po hetojnë për të përcaktuar shkakun e problemit. Do të publikojmë menjëherë informacione të reja sapo t'i kemi në dispozicion”, shkroi Duffy.

Sipas informacioneve paraprake, avionëve që ndodhen aktualisht në fluturim nuk u është kërkuar të ulen në aeroportin më të afërt, siç ndodhi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Të dhënat e publikuara nga platformat e monitorimit të trafikut ajror tregojnë se avionët e linjave tregtare po vijojnë fluturimet sipas itinerareve të planifikuara.

Ndërkohë, FAA ka njoftuar se fluturimet ndërkombëtare drejt Shteteve të Bashkuara do të trajtohen rast pas rasti. Kjo do të thotë se jo të gjithë avionët mund të lejohen të hyjnë në hapësirën ajrore amerikane. Disa prej tyre mund të detyrohen të ndryshojnë itinerarin, të drejtohen drejt një destinacioni tjetër ose të kthehen në aeroportin nga janë nisur.

Pezullimi i ngritjes së avionëve në rang kombëtar, i njohur në terminologjinë e aviacionit si “ground stop”, është një masë jashtëzakonisht e rrallë në Shtetet e Bashkuara.

Rasti i fundit u regjistrua në janar të vitit 2023, kur FAA pezulloi fluturimet për shkak të problemeve me një sistem të ri njoftimesh për pilotët. Përpara këtij incidenti, trafiku ajror në të gjithë vendin ishte ndërprerë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Çdo ditë, FAA menaxhon rreth 44 deri në 45 mijë fluturime. Pasditja e së premtes është gjithashtu një nga periudhat më të ngarkuara për trafikun ajror amerikan, pasi qindra mijëra njerëz udhëtojnë për fundjavë ose kthehen në shtëpi.

Në Shtetet e Bashkuara funksionojnë 22 qendra rajonale të kontrollit të trafikut ajror, të cilat menaxhojnë lëvizjen e avionëve në hapësirën ajrore të vendit.

Në momentin kur hyri në fuqi ndalimi, në orën 21:54 me orën e Shqipërisë, sipas platformës Flightradar24, në ajër ndodheshin 4.042 avionë që kishin si destinacion Shtetet e Bashkuara.

Më shumë se 30 mijë fluturime ishin planifikuar të niseshin duke filluar nga momenti kur u vendos ndalimi kombëtar, pak para orës 16:00 me orën e bregut lindor të SHBA-së. Disa prej tyre janë anuluar, përfshirë fluturimin e orës 22:30 nga aeroporti Heathrow i Londrës drejt aeroportit JFK të Nju Jorkut.

Kompania ajrore United Airlines njoftoi se fluturimet e saj ndërkombëtare që janë nisur tashmë mund të vazhdojnë drejt destinacioneve përkatëse, ndërsa të gjitha fluturimet e brendshme janë pezulluar deri në një urdhër të dytë.

Ndërkohë, sipas CNN, që citon burime nga Administrata Federale e Aviacionit, për momentin nuk ka të dhëna që problemet në sistemin e kontrollit të trafikut ajror të jenë shkaktuar nga një sulm kibernetik./ Corriere della Sera

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 00:20
Çfarë po ndodh në Amerikë ? Gazetarja e Corriere della Sera rrëfen situatën në aeroportin e Uashingtonit pas ndalimit të fluturimeve

Pasagjerë që telefonojnë familjarët, prindër që përpiqen të qetësojnë fëmijët që qajnë dhe udhëtarë që kërkojnë një vend për të kaluar natën. Kjo është atmosfera në aeroportin ndërkombëtar Dulles të Uashingtonit, pas vendimit të autoriteteve amerikane për të pezulluar ngritjen e të gjithë avionëve në SHBA.

Gazetarja e Corriere della Sera, Monica Ricci Sargentini, e cila ndodhej në aeroport në momentin e shpalljes së ndalimit, ka rrëfyer se çfarë ndodhi mes pasagjerëve që prisnin të niseshin drejt Romës.

“Ka një alarm, të gjithë avionët duhet të qëndrojnë në tokë. Do t'ju njoftojmë”, ishte njoftimi që ndërpreu procedurat e imbarkimit në portën C5, ku pasagjerët kishin nisur të formonin radhën për fluturimin e orës 18:00 drejt kryeqytetit italian.

“Çfarë po ndodh? Pse?”, nisën të pyesnin udhëtarët, duke iu afruar sportelit.

“Nuk kemi informacione të tjera, ka një problem me kontrollorët e trafikut ajror”, u përgjigjën punonjësit e aeroportit, të cilët, sipas gazetares, dukeshin të sikletosur dhe dinin edhe më pak se pasagjerët.

Menjëherë nisën telefonatat. Udhëtarët njoftonin familjarët dhe përpiqeshin të kuptonin sa mund të zgjaste pritja.

“Unë po kërkoj një vend për të fjetur në Uashington. E kuptova që nuk do të nisemi”, tha një grua.

Pak më tutje, një familje me fëmijë të vegjël po kalonte momente të vështira. Fëmijët qanin, prindërit ishin të acaruar dhe askush nuk ishte në gjendje t'u thoshte se kur mund të hipnin në avion.

Një tjetër pasagjere, Meghan, që priste me një filxhan kafeje në dorë, përpiqej të ruante optimizmin. Ajo tregoi se një anëtar i ekuipazhit i kishte thënë se ndoshta fluturimet ndërkombëtare mund të lejoheshin, pasi avionët të dilnin nga hapësira ajrore amerikane.

Lajmi u përhap mes pasagjerëve dhe ngjalli shpresa, por ende nuk kishte asnjë konfirmim. Sipas Reuters, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) kishte vendosur t'i shqyrtonte fluturimet ndërkombëtare rast pas rasti.

Mes udhëtarëve ishte edhe Andrea, një grua 50-vjeçare që dëshironte të blinte një shtëpi në Arpino, pranë Frosinones në Itali, ku jetonte një mikeshë e saj.

Marianna, 30 vjeçe, po udhëtonte drejt Romës, ku e priste i dashuri. Ndryshe nga pasagjerët që po mendonin të gjenin një hotel, ajo nuk kishte ndërmend të largohej nga aeroporti.

“Unë do të qëndroj këtu, sepse dua të nisem”, tha ajo.

Një çift tjetër e priti situatën me më shumë qetësi: “Mirë, atëherë në vend që të kthehemi në Romë, do të qëndrojmë edhe disa ditë në Uashington”.

Ndërkohë, në aeroport qarkullonin informacione të pakta, të cilat pasagjerët ia përcillnin njëri-tjetrit. Disa tregonin çfarë kishin dëgjuar në sportel, të tjerë vazhdonin të kontrollonin telefonat.

Sipas gazetares italiane, nuk pati skena paniku, por askush nuk e dinte nëse do ta kalonte natën në avion apo do t'i duhej të gjente një dhomë hoteli.

Më pas, altoparlantët e aeroportit dhanë një tjetër njoftim.

“Siç e dini, ka një ndalim të nisjeve në të gjithë vendin. Për momentin nuk mund të vazhdojmë me imbarkimin”.

Njoftimi vijoi me një paralajmërim që i zbehu edhe më shumë shpresat për një nisje të shpejtë.

“Nuk parashikojmë ta fillojmë imbarkimin së shpejti apo në orarin e planifikuar. Ju lutemi, qëndroni ulur”.

Por pas një pritjeje të gjatë, nga altoparlantët erdhi më në fund një lajm pozitiv: nisi imbarkimi paraprak për fluturimin 887.

Të parët u thirrën personat me aftësi të kufizuara, më pas ushtarakët, pasagjerët me status të veçantë në United Airlines dhe familjet me fëmijë të vegjël.

“Mbajeni pasaportën të hapur te faqja me të dhënat personale”, ishte udhëzimi i radhës.

Pas gjithë pasigurisë dhe njoftimeve për ndalimin e fluturimeve, pasagjerët më në fund morën udhëzimet për të hipur në avion. Por për ngritjen nga aeroporti duhej ende të prisnin.

Ora 00:07
Nga Europa dhe Paqësori, mbi 3000 avionë ende në fluturim drejt SHBA-së, autoritetet vendosin rast pas rasti për mbërritjet

Një hartë e publikuar nga platforma e monitorimit të fluturimeve Flightradar24 tregon mijëra avionë në hapësirën ajrore amerikane, pavarësisht vendimit për të ndaluar ngritjet në të gjitha aeroportet e vendit.

Sipas Flightradar24, rreth 3.100 avionë që ndodhen aktualisht në ajër kanë si destinacion aeroportet amerikane, ndërsa asnjë avion tjetër nuk po lejohet të niset.

Pamjet tregojnë një përqendrim të jashtëzakonshëm avionësh mbi territorin e SHBA-së, si dhe fluturime që po afrohen nga Europa dhe Oqeani Paqësor.

Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka njoftuar se fluturimet ndërkombëtare që po mbërrijnë në SHBA do të trajtohen rast pas rasti. Kjo do të thotë se autoritetet do të vendosin veçmas për secilin fluturim nëse mund të vazhdojë drejt destinacionit të planifikuar.

Ora 23:48
SHBA ndalon fluturimet, sekretari i Sigurisë Kombëtare përpiqet të qetësojë amerikanët: Ky nuk është një 11 Shtator tjetër

Qeveria amerikane po përpiqet të qetësojë qytetarët pas pezullimit të fluturimeve në të gjithë vendin, por ende nuk ka një përgjigje se çfarë e shkaktoi problemin dhe kur mund të zgjidhet.

Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, përsëriti disa herë se “ky nuk është një tjetër 11 Shtator”, duke iu referuar sulmeve terroriste të vitit 2001.

Ai tha se për momentin nuk ka asnjë të dhënë që ndërprerja e komunikimeve të jetë shkaktuar qëllimisht, por pranoi se autoritetet ende nuk e dinë se çfarë ka ndodhur.

Sipas Mullin, problemi lidhet me një ndërprerje të telekomunikacionit dhe ekipet po punojnë për ta zgjidhur. Megjithatë, qeveria nuk e di ende as shkakun dhe as sa kohë do të duhet për rikthimin e shërbimit.

“Nuk mund të përjashtojmë asgjë”, tha ai.

Siç raporton BBC, deklaratat e ministrit tregojnë se, pavarësisht përpjekjeve për të qetësuar publikun, autoritetet amerikane kanë ende më shumë pyetje sesa përgjigje për krizën që ka prekur trafikun ajror në të gjithë vendin.

Ora 23:36
Kaos në aeroportet e SHBA-së! Mijëra pasagjerë në pritje, pamjet pas pezullimit të fluturimeve (FOTO)

Pezullimi i ngritjes së avionëve në të gjithë Shtetet e Bashkuara ka lënë pasagjerë të shumtë në pritje në aeroporte, ndërsa tabelat e fluturimeve tregojnë nisje të vonuara dhe të anuluara.

Fotografitë e publikuara nga BBC tregojnë udhëtarë që kontrollojnë telefonat në aeroportin ndërkombëtar John F. Kennedy të Nju Jorkut, në pritje të informacioneve për fluturimet e tyre.

A man and a woman stand with suitcases looking at their phones, another man is sat with his bag next to them

Në një aeroport në East Boston të Massachusetts, tabelat elektronike tregojnë disa fluturime të vonuara dhe të anuluara.

Two people stand with their backs to the camera in front of a flight board showing delayed and cancelled flights

Situatë e ngjashme paraqitet edhe në aeroportin ndërkombëtar të Orlandos, në Florida, ku pasagjerët janë ulur në dyshemenë e terminalit, pranë bagazheve të tyre, duke pritur.

People sit on the ground around a Christmas tree at an airport terminal with their luggage

Edhe në aeroportin kombëtar Ronald Reagan të Uashingtonit, udhëtarët janë grumbulluar pranë portave të nisjes, në pritje të informacioneve të reja.

A crowd of people stands about with luggage near gates at an airport terminal

Ora 23:12
SHBA ndalon fluturimet për herë të tretë në 25 vite! Nga sulmet e 11 Shtatorit tek defekti teknik i 2023-shit, ja çfarë ndodhi dy herët e tjera?

Pezullimi i ngritjes së avionëve në të gjitha aeroportet amerikane është një masë jashtëzakonisht e rrallë, e ndërmarrë në situata kur autoritetet vlerësojnë se siguria e trafikut ajror mund të jetë në rrezik.

Një nga rastet më të njohura ndodhi më 11 shtator 2001, pas sulmeve terroriste ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe Pentagonit. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi ndalimin e nisjeve të avionëve dhe më pas uljen e të gjithë avionëve civilë që ndodheshin në hapësirën ajrore amerikane. Ishte një vendim i paprecedentë, që paralizoi trafikun ajror në të gjithë vendin.

Një tjetër incident i ngjashëm u regjistrua më 11 janar 2023, kur një defekt në sistemin NOTAM, që u transmeton pilotëve informacione të rëndësishme për sigurinë e fluturimeve, detyroi FAA-në të pezullonte përkohësisht nisjet e avionëve në të gjithë SHBA-në.

Ndalimi i vitit 2023 zgjati rreth 90 minuta, por shkaktoi mijëra vonesa dhe anulime fluturimesh në aeroportet amerikane.

Ndryshe nga 11 Shtatori, kur vendimi u mor për shkak të një sulmi terrorist, incidenti i vitit 2023 lidhej me një problem teknik. Edhe pezullimi i 13 nëntorit 2026 është lidhur paraprakisht me probleme komunikimi në qendrat e kontrollit të trafikut ajror, ndërsa shkaku përfundimtar mbetet për t'u përcaktuar.

Sipas raportimit të fundit të Associated Press, incidenti i kësaj të premteje është pezullimi i tretë kombëtar i ngritjes së avionëve në SHBA, pas rasteve të viteve 2001 dhe 2023. Ndryshe nga 11 Shtatori, avionët që ndodhen në ajër nuk janë urdhëruar të ulen menjëherë.

Kriza e re ka prekur komunikimet në 22 qendrat rajonale që kontrollojnë trafikun ajror amerikan. Sipas të dhënave të FlightAware, deri në orën 16:56 me orën e bregut lindor amerikan, ishin regjistruar 7.884 fluturime me vonesë. Hetimet për shkakun e ndërprerjes vazhdojnë, ndërsa burime të cituara nga CNN thonë se informacionet paraprake nuk tregojnë për një sulm kibernetik.