Shefi i qarkullimit në Vlorë Rustem Plaka është pezulluar nga detyra me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, pasi në orën 01:00 pas mesnate së bashku me 9 persona të tjerë u kap duke luajtur futboll në Pyllin e Sodës, në zonën ku stërvitet ekipi i Flamurtarit.

Së bashku me Plakën u pezullua nga detyra dhe nisi hetimi disiplinor edhe për një efektiv policie me inicialet G. F. pasi konstatoi personat që po luanin futboll dhe nuk mori masë administrative ndaj tyre.

Plaka së bashku me 9 personat e tjerë thyen karantinën, pasi prej së shtunës në orën 13:00 nuk lejohet dalja nga shtëpia dhe mbi të gjitha asnjë grumbullim për shkak të koronavirusit. Por shefi i qarkullimit që duhet të jetë shembull për zbatimin e masave bëri të kundërtën. 

Gazetari i Report Tv në Vlorë, Armand Xhelili mëson se ndeshjen që po luhej në mesnatë në Pyllin e Sodës ku stërvitet ekipi i Flamurtarit e ka denoncuar një qytetar me foto dhe video te strukturat e policisë që kanë vepruar më pas.

Pas konstatimit, Policia e Shtetit vendosi pezullim nga detyra të shefit të qarkullimit dhe policit. Gjithashtu përveç gjobës 10 personat që u kapën duke luajtur futboll do të karantinohen për 14 ditë nën mbikëqyrje nga ana e policisë.

Rustem Plaka