TOKIO, 27 qershor /ATSH-ANSA/ - Koreja e Veriut njoftoi se kishte përfunduar ndërtimin e një rakete taktike të precizionit të lartë për ta përdorur në rast të ndonjë krëcënimi të mundshëm ndaj sovranitetit të saj territorial. Një ditë pas lëshimit të tre raketave me rreze të shkurtër veprimi në Detin e Japonisë, agjencia zyrtare koreanoveriore e lajmeve, KCNA, pa dhënë asnjë hollësi për vendin dhe kohën, saktësoi se ''lideri Kim Jong-un drejtoi personalisht provën e kësaj rakete taktike të precizionit të lartë''. ''Prova e kaluar me sukses justifikoi performancën shkencore dhe teknologjike dhe tani ajo është një armë e fuqishme në duart e Ushtrisë Popullore të Koresë së Veriut'', shtoi KCNA-ja. Deri tani, Pheniani nuk pretendonte posedimin e një arme të tillë por, analiza e disa filmimeve të bëra nga propaganda e vendit komunist, arriti në përfundimin se kemi të bëjmë me një variant të raketës ruse KH-35. Në fillim të majit, nga hulumtimi i pamjeve satelitore të institutit amerikano-koreanojugor ''Johns Hopkins'' kishte dalë se Pheniani kishte testuar lëshimin e një apo më shumë raketave balistike ndërkontinentale./ a.jor.