BRITANI E MADHE- Heronjtë e vërtetë në këtë periudhë të vështirë pandemie që po përjeton njerëzimi janë mjekët dhe infermierët, të cilët përditë luftojnë në vijën e parë me armikun e të gjithëve, COVID-19.
Një pikturë “Game Changer” nga artisti Banksy, e dedikuar heronjve bashkëkohorë të COVID-19 është shitur në ankand nga një blerës anonim për 16.7 milionë paund dhe të ardhura do të shkojnë për personelin e shërbimit kombëtar shëndetësor në Britani.
Në pikturë shfaqet një fëmijë i cili ka “braktisur” Batmanin dhe Supermanin dhe po luan me heroin e vërtet të pandemisë, një infermiere.
"Çfarë simboli domethënës i asaj që kemi kaluar të gjithë dhe mbështetjes së pabesueshme të Shërbimit Kombëtar shëndetësor që kanë qenë aty për muaj të tërë”, u shpreh Jussi Pylkkanen, presidenti i shtëpisë së ankadnit Christie.
Piktura është vepra e fundit nga artisti i rrugëve e cila doli në ankand dhe tejkalon rekordin e mëparshëm prej 9.9 milionë paund.
“Game Changer” do të qëndrojë e ekspozuar në spitalin Southampton General, në Britaninë e Madhe aty ku u shfaq për herë të parë.