PIKTURA E LEPENICËS
Kjo pikturë është bërë në një strehë shpelle, e cila ndodhet në shpatin verilindor të malit të Lepenicës në rrethin e Vlorës, në një lartësi rreth 800 m. Mbi nivelin e detit mund të zotërosh me shikim tërë luginën e mesme të lumit të Shushicës.
Ajo është realizuar në tavanin e strehës së shkëmbit, e lartë 3,5 metra, mbi një sipërfaqe të sheshtë të ndarë në dy plane. Në planin përballë (vertikal) janë vizatuar katër figura antopomorfe, të cilat janë realizuar grafikisht shumë mirë. Format e figurave njerëzore janë të bëra me vija të trasha dhe ndryshojnë nga njëra-tjetra nga pozicioni i trupit e mënyra e paraqitjes grafike të gjymtyrëve. Trupi është paraqitur me një vijë të trashë e të shkurtër. Edhe qafa me kokën janë dhënë si një vazhdim i linjës së trupit. Në hapësirën që krijohet midis katër gjymtyrëve është vizatuar nga një pikë. Gjatësia e figurave është 15-18 cm. Në planin horizontal (tavanin e strehës) janë vizatuar 15 figura antropomorfe me të njëjtën paraqitje grafike, të shpërndara pa ndonjë rregull, në të gjithë sipërfaqen prej 2,4m x 1,4m. Në katër anët e figurave antropomorfe janë vizatuar 9 figura të çrregullta gjeometrike, të ndara secila në kuadrate të vegjël me një pike në mes të çdo ndarjeje. Të gjitha figurat janë bërë me vija të trashë, me bojë minerale në ngjyrë kafe të çelët, të ruajtura mirë. Në pikëpamje të paraqitjes grafike figurat antropomorfe të Lepenicës kanë ngjashmëri të madhe me figurat antropomorfe të pikturës shkëmbore të Zhlijebit (në Bosnjën Lindore), si dhe me ato të artit shkëmbor perëndimor, e para së gjithash me ato të Valcamonica-s në krahinën e Brescia-s (Itali). Në pikëpamje të paraqitjes grafike dhe të vënies në qendër të përmbajtjes të figurave antropomorfe, piktura e Lepenicës pasqyron stadin e zhvillimit shoqëror të kohës, shprehjen e koncepteve të krijuesve të saj. Në të gjitha tiparet që e karakterizojnë, ajo bën pjesë në grupin e pikturave shkëmbore post paleolitike. Në përpjekje për një përcaktim kohor më të saktë, vlen për t‘u vënë në dukje se në krahun e djathtë të lumit të Shushicës, ballë për ballë pikturës së Lepenicës, në distancë ajrore rreth 6 km, ndodhet vendbanimi shpellor i Velçës, ku ka lulëzuar një kulturë e neolitit të vonë, që karakterizohet nga një qeramikë e pikturuar e cilësisë së lartë. Me shumë gjasa piktura e Lepenicës është një krijim i banorëve të kësaj lugine gjatë mijëvjeçarit të katërt e të tretë p.e.re.
PIKTURA E RUBIKUT
Informacionin e parë shkencor për pikturën e Rubikut e kemi nga profesor Dh. Shuteriqi, i cili pasi bën përshkrimin e pikturës, të shoqëruar me dy foto dhe një skicë, arrin në përfundimin se kemi të bëjmë me dy simbole: kryqin, domethënë feja, dhe harkun domethënë lufta, të cilat flasin për luftën fetare që bëhej midis kishave të Perëndimit e të Lindjes (revista “Monumentet”, nr. 18, 1979 fq. 65-71). Shtimi në mënyrë të ndjeshme i pikturave shkëmbore të zbuluara në Shqipëri e bëri të nevojshme rishikimin e pikturës shkëmbore të Rubikut të publikuar 28 vjet më parë, ndaj në pranverë të vitit 2007 bëmë një dokumentacion të ri, vëzhgime të hollësishme, si edhe një sërë krahasimesh me pikturat e tjera të artit shkëmbor, të cilat na çuan në një interpretim, në një datim të ri. Piktura e Rubikut gjendet 3,5 km në perëndim të qytetit të Rubikut, në periferi të fshatit Bulshizë e Epërme, në vendin e quajtur gryka e Xhudhenjve. Piktura është bërë në strehën e një shkëmbi me faqe të kthyera nga juglindja. Faqja e shkëmbit ku është pikturuar nuk është plotësisht e sheshtë, gjë që ka ndikuar në ndarjen e saj në dy pjesë. Në pjesën e majtë, me një sipërfaqe prej 4m², janë vizatuar dy rrathë me dy diametra (A1.2), një kryq me krahë të barabarta, ekstremet e të cilit mbarojnë me pika (A5) dhe një figurë qendrore e komplekse (A4) që ka gjatësinë 33 cm dhe gjerësinë 27 cm. Në qendër ka një figurë antropomorfe, ku dallohet koka në formë pike, mbi të cilën qëndron një hark, kurse në dy anët e trupit janë vizatuar 12 ndarje të vogla me forma rrethore ose katrore jo të rregullta, që kanë pika në mes.
Në pjesën e djathtë (B), në një sipërfaqe prej 2m², janë vizatuar tri figura pranë njëra-tjetrës. Në qendër është figura antropomorfe (B 8) me kokën në formën e një pike të madhe që mbulohet nga një vijë harkore, e cila bashkon dy rrathë të vegjël me pikë në mes. Krahët janë dhënë me një të vijë të gjatë e të trashë, që mbarojnë me dy harqe, të cilët gjithashtu në mes të ndarjeve kanë nga një pikë. Në pjesën e poshtme figura ka dy ndarje pa pika në mes dhe përfundon me dy zgjatime të këmbëve dhe një zgjatim në mes. Figura tjetër (B7) ka formën e një rrethi me dy diametra në pjesën e sipërme të së cilit del një pikë e madhe me një vetullore sipër saj, e njëjtë me atë të figurës qendrore. Mbi figurën qendrore është vizatuar forma e një rrethi jo të rregullt, që ka tetë ndarje jo të barabarta, gjashtë prej të cilave kanë pikë në mes (B6). Figurat e pikturës së Rubikut janë bërë me vija të trasha 2-3 cm jo shumë uniforme, ku është përdorur bojë e bardhë. Më mirë është ruajtur figura A5, B6 e B8, kurse figurat e tjera janë të dëmtuara e mund të plotësohen mbi bazën e gjurmëve që kanë mbetur në faqen e shkëmbit. Figurat antropomorfe të shoqëruara me pika, si dhe figura në formë rrethi me shumë të ndara e pikë në mes, e venë në lidhje të drejtë pikturën e Rubikut me atë të Lepenicës, kurse rrathët dhe kryqi, si simbole të kultit të diellit, janë të njëjta me pikturën e Bovillës dhe me incizimet e Reçit e të Xibrit. Me këta tregues piktura e Rubikut është një krijim i epokës prehistorike.
VIZATIMI I REÇIT
Për të mbërritur te vendi ku ndodhet vizatimi i Reçit, duhet të marrësh rrugën nacionale Peshkopi-Kukës, e pasi të mbërrish në Zall Reç, duhet të ndjekësh rrugën këmbësore përgjatë Grykë Nokës dhe pas rreth dy orë rrugë malore mbërrin në Gjur Reç, ku ndodhet një masiv shkëmbor (Kepi i Keq), në të cilin është bërë vizatimi i Reçit. Motivet janë bërë me vija të thelluara në faqen vertikale të shkëmbit, në një sipërfaqe me përmasa 1,80 metra të lartë dhe 1,75 metra të gjerë.
Në vështrim të parë mund të dallojmë tri pjesë të saj, që duhet të jenë kushtëzuar edhe nga sipërfaqja e shkëmbit, e cila ka në mes një të thelluar natyrore. Në pjesën e sipërme të vizatimit është një figurë në formën e një katërkëndëshi të çrregullt, me qoshe të rrumbullakuara, me përmasa 50 cm x 60 cm, i cili përshkohet nga vija të thelluara që e ndajnë në 14 pjesë të barabarta. Sipër katërkëndëshit është një rreth me dy diametra me madhësi 22 cm. Poshtë katërkëndëshit e shumë afër njëri-tjetrit janë bërë disa rrathë me dy apo më shumë diametra me madhësi 10-11 cm dhe një numër i madh thellimesh në formë kryqi disa prej tyre marrin formën e figurave antropomorfe. Në krahun e majtë të katërkëndëshit, në një sipërfaqe më të vogël, po shumë pranë njëra-tjetrës, përsëriten po të njëjtat incizime si rrathë, figura njerëzore dhe një katërkëndësh i vogël i rregullt. Po në krah të majtë, rreth 1,30 metra më larg është realizuar një grup tjetër me dy rrathë e disa incizime në formë kryqi. Të gjitha figurat e Reçit janë bërë me teknikën e incizimit, me vija të thelluara 2-5 mm e të gjëra 1-2mm. Linjat që formojnë figurat janë të rregullta e të ruajtura mirë. Në qendër të këtij vizatimi prehistorik është kulti i diellit, i ndërthurur me figurat antropomorfe dhe figurat e çrregullta gjeometrike. Gjetja e disa fragmenteve qeramike të epokës së bronzit në rrëzë të strehës së shpellës na shtyn ta konsiderojmë vizatimin e Reçit si një krijim të epokës së bronzit.
VIZATIMI I XIBRIT
Pranë qytezës ilire të Xibrit, e fshatit me të njëjtin emër, në rrethin e Matit, gjendet një shkëmb masiv në formë strehe, rreth 40 metra i gjatë dhe 10-12 metra i lartë, me faqe të kthyera nga lindja. Streha e shkëmbit, nga shkëmbinjtë e tjerë dallon që së largu për pozicionin që ka. Pikërisht në këtë strehë gjendet vizatimi i Xibrit. Incizimet janë bërë gjatë tërë faqes, në gjatësinë prej rreth 40 metrash. Ato fillojnë në lartësinë 0,90 m nga niveli i tokës dhe arrijnë deri në lartësinë 1,75 m. Grupi kryesor i incizimeve gjendet në krahun e djathtë të strehës dhe vazhdon në mesin e strehës e më tej deri në fundin e saj. Motivi kryesor i të gjitha incizimeve formohet nga një rreth i thelluar në shkëmb, që përshkohet nga dy diametra që e ndajnë në katër pjesë të barabarta. Rrethi, në disa raste, merr formën e një katrori me qoshe të rrumbullakëta.
Rrathët kanë madhësi të ndryshme me diametër 21-23 cm, kurse rrethi më i vogël e ka diametrin 6-7 cm. Motivi në formën e rrathëve me diametrat që priten, është i njëjtë me incizimet e Reçit, vetëm se këtu mungojnë figurat antropomorfe. Motivin e rrathëve, ose po të shprehemi ndryshe, motivin e diellit në formën e rrathëve, e kemi edhe në dy realizime të tjera të artit shkëmbor, në pikturën e Bovillës dhe në pikturën e Rubikut.
PIKTURA E BOVILLËS
Të shumta janë qendrat historike e arkeologjike në rrethinën e kryeqytetit (shpella e Pullumbasit, kalaja e Dajtit, kalaja e Persqepit, kalaja e Petrelës, kalaja e Prezës, kalaja e Ndroqit, Kisha e Shën Mërisë në Brar etj.), por mungesa e informacionit të nevojshëm e sidomos mungesa e infrastrukturës, ka bërë që ato të njihen e vizitohen shumë pak. Informacioni i qytetarit G.Reçi në verën e vitit 2006, më çoi në zbulimin e pikturës shkëmbore të Bovillës, e cila ndodhet në faqen e një shkëmbi masiv në kanionin e bukur të Bovillës në afërsi të fshatit Babrru. Ajo është bërë në një sipërfaqe relativisht të madhe, rreth 60 m² (11 m x 5.30 m) kushtëzuar nga sipërfaqja e shkëmbit që është e përshtatshme për pikturim, rrjedhimisht e ndarë në dy pjesë (A e B).
Në pjesën A, në një sipërfaqe 6 m², janë vizatuar 14 figura të bëra nga rrathë me kryq në mes. Rrethi A3 ka diametër 29 x 27 cm, i cili perimetrin e ka pjesërisht të dëmtuar dhe rrethi A6 me diametër 48 x 40 cm, me perimetër të ruajtur plotësisht. Rrathët janë bërë me bojë të bardhë me vija të gjëra 2-4 cm. Në një numër më të madh janë figurat në formë kryqi (A 1,4,5,7,8,10,12) të cilat kanë përafërsisht të njëjtën madhësi me diametër të madh 15-20 cm, të bërë me vija të gjëra, por pa shumë kujdes. Disa prej tyre kanë gjurmë të rrathëve kufizues, që dallohen me vështirësi, mbasi janë të dëmtuara.
Në pjesën B të pikturës së Bovillës, dallohet një rreth i madh me dy diametra me përmasa 69 cm x 68 cm, e gjerësi të vijave 5-7 cm, i vendosur në pikën më të lartë të gjithë pikturës 5.30 m nga niveli i tokës. Kjo figurë dallon nga të tjerat edhe për cilësinë e vizatimit dhe pozicionin që ka mbi gjithë figurat e tjera. Motivi i rrathëve që kanë të brendashkruar një kryq ose dy diametra, i pikturës së Bovillës është i njëjtë me atë të Reçit e të Xibrit, të cilët janë bërë me teknikën e incizimit. Për sa i takon përdorimit të bojës së bardhë, ngjashmëritë na çojnë te piktura e Rubikut dhe te piktura e Zhlijebit (Bosnjë). Motivi i kryqit dhe i rrathëve me kryq në mes është simbol i kultit të diellit, i përfytyruar në të njëjtën mënyrë grafike nga shumë popuj të epokës prehistorike.
PIKTURA E TRENIT
Piktura e Trenit gjendet në territorin e Shqipërisë Juglindore, buzë liqenit të Prespës së Vogël, mbi një faqe shkëmbi masiv që lartësohet madhështor mbi liqenin, në afërsi të vendbanimit prehistorik të Trenit. Piktura paraqet një skenë gjuetie të vizatuar në siluetë dhe formohet nga tri pjesë. Në pjesën qendrore janë vendosur tre kalorës të armatosur me heshta dhe tre qen që ndjekin një dre. Sipër tyre, në një largësi 60 cm, është figura e një kalorësi tjetër dhe e një qeni. Në krah të djathtë të grupit qendror, rreth 4-5 m larg dhe poshtë tyre, ruhen në gjendje jo të mirë, figurat e dy kafshëve, ndoshta e një dreri dhe një qeni. Figurat janë paraqitur në siluetë dhe në përgjithësi janë dhënë në raport të drejtë me njëra-tjetrën. Vendosja e tyre në grupe është kushtëzuar nga sipërfaqja e shkëmbit. Ato janë bërë me bojë të bardhë, që mbush gjithë figurën (M.Korkuti, Piktura e Trenit, “Studime Historike 2”, 1969, fq. 127-131). Piktura e Trenit, vepër e banorëve të epokës së hekurit të shpellës së Trenit me shumë tregues të saj qëndron shumë afër me pikturën e Lipcit (në Mal të Zi), që është e së njëjtës kohë.
PIKTURA E VLASHNJËS
Në kuadrin e projektit të përbashkët midis Institutit Arkeologjik Tiranë e Institutit Arkeologjik Prishtinë, po bëhen gërmime me karakter shpëtimi në vendbanimin prehistorik të Vlashnjës, që ndodhet 6 km në perëndim të Prizrenit (Kosovë). Drejtuesit e projektit, A.Bunguri e Sh.Gashi, më krijuan mundësinë për të parë pikturën dhe më vunë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm grafik e fotografik për pikturën shkëmbore të Vlashnjës, për të cilën i falënderoj.
Piktura e Vlashnjës ndodhet 1,5 km në perëndim të vendbanimit, pranë vendit ku lumi i Prizrenit bashkohet me Drinin e Bardhë. Në një lartësi rreth 30 metra nga niveli i lumit, mbaron pylli me shkurre e lartësohen tri masive shkëmbore, të cilat me kontrastin që krijojnë me ambientin kanë një bukuri të veçantë. Pikërisht në strehën që formon njëri nga masivet shkëmbore, mendja dhe dora e njeriut neolitik ka ngulitur në faqen e shkëmbit pjesë të botës mistiko-religjioze të jetës së tyre.Piktura është realizuar në tri plane, dy plane vertikale dhe një plan horizontal (në tavan). Faqja e shkëmbit është në formë brezash-pllakash, gjë që ka kushtëzuar edhe realizimin e pikturës në tri pjesë në një sipërfaqe prej 16 m². Në tavanin e strehës janë vizatuar 8 spirale të bëra me vija të trasha me bojë të kuqe okër. Katër spiralet e para janë vendosur në grup në një distancë 20-40 cm larg nga njëra tjetra. Spiralet që janë ruajtur të plota e kanë diametrin maksimal 34 cm. Në të djathtë të grupit të parë, me largësi 70 cm është vizatuar një spirale dyshe, me diametrin e madh 80 cm dhe të voglin 37 cm. Në planin e parë (vertikal), në një sipërfaqe prej 2,10m x 0,50m, janë vizatuar një kaproll dhe dy spirale.
Kaprolli është dhënë në profil, në gjendje qetësie me bojë uniforme që mbulon gjithë trupin. Figura ka përmasat 30 x 28 cm. Në planin e tretë, pjesa më e poshtme e faqes së shkëmbit, në një sipërfaqe prej 2m², është vizatuar me një spirale dyshe që nga përmasat është më e madhja, me diametër maksimal 78cm dhe diametër minimal 38cm. Trashësia e vijave të spirales është 2,5-3cm. Piktura e Vlashnjës ka në qendër simbolin e spirales të bërë në tërë sipërfaqen e përshtatshme për pikturim, e të përsëritur në 12 raste. Spiralet janë teke dhe në dy raste janë spirale të tipit gjyslykore. Ato janë bërë në të njëjtën mënyrë, e me të njëjtën bojë, po me madhësi të ndryshme, rrjedhimisht realizimi i tyre ka një koncept mistiko-religjioz, që është i lidhur me kultin e diellit. Në pikturën e Vlashnjës kemi të realizuar edhe figurën e një dreri, kulti i të cilit është i pranishëm edhe në pikturën e Trenit (Korçë) dhe në pikturën e Zhlijebit (Bosnjë). Piktura e Vlashnjës është vepër e banorëve prehistorikë të këtij vendbanimi.
(Përgatiti për botim: Dhurata Hamzai)