Ping-Pong me dosjen 'Bajri'/ Gjykata çon çështjen për interpretim në Gjykatën e Lartë (që nuk funksionon)

Ping-Pong me dosjen 'Bajri'/ Gjykata çon çështjen për interpretim në Gjykatën e Lartë (që nuk funksionon)

Dosja penale që mban nr.62 ku flitet për veprimtarinë kriminale të anëtarëve të grupit “Bajri” në Shkodër, është kthyer në lojë ping-pongu, mes prokurorisë së posaçme në Tiranë SPAK, dhe gjykatës së Shkodrës. Kjo pasi të dyja këto institucione të drejtësisë shqiptare nuk pranojnë të mbajnë dhe gjykojnë këtë dosje penale, ku të pandehur janë, Behar Bajri, Enver Bajri, Safet Rustemi, Ilir Rustemi, Emrah Plakut, Astmer Bilalit, Samet Hallunit, Ismet Idrizit, Sirjan Alija, Jorida Muratit, Senad Hallunaj, Florinë Hoxha dhe Mira Nikaj.

Pas tre vendimeve të shpalljes së moskopetencës nga SPAK-u, më konkretisht në 31 janar 2020 dhe më pas nga Gjykata e Shkodrës në 19 shkurt 2020, e sërisht nga SPAK-u në mars 2020, duke kthyer dosjen penale sërisht për gjykim në gjykatën e Shkodrës, mësohet se tashmë kjo gjykatë, ka vendosur të mospranojë gjykimin e çështjes penale të grupit “Bajri”, duke vendosur shpalljen e moskopetencës dhe kalimin e çështjes në, Gjykatën e Lartë, për interpretim ligjor. Por në kushtet kur Gjykata e Lartë, ende nuk ka gjyqtarë për të gjykuar dhe ku supozohet që për gati dy vjet kjo gjykatë të formojë komplet organikën e saj me gjykatës, afatet e paraburgimit për të pandehurit kanë përfunduar.

Vendimi për shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e dosjes për interpretim lëndor në Gjykatën e Lartë, tashmë është apeluar nga prokuroria e Shkodrës dhe në ditët në vijim do ketë një vendimmarrje për ketë çështje. Prokuroria e Shkodrës, kërkon që çështja ndaj të pandehurve të kësaj dosje të gjykohet në gjykatën e këtij qyteti, por gjykata argumenton se duhet që SPAK-u, të pushojë ndaj të pandehurve akuzën e “Grupit të Strukturuar kriminal” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tek zyrtarët publikë”. Mirëpo ky konflikt ligjor i nisur mes dy institucioneve të drejtësisë në Tiranë e Shkodër, po favorizon ndjeshëm personat kryesorë të arrestuar që ndodhet në burg.

Pasi me përfundimin e afateve të paraburgimit, shuhet masa e “arrestit në burg” për liderin e këtij grupi Behar Bajri, Enver Bajri dhe të pandehurit e tjerë si Safet Rustemi, Ilir Rustemi, Astmer Bilali. Kjo situatë e përfundimit të afateve të paraburgimit si pasojë e përplasjeve institucionale do sjellë lirimin e këtyre personazheve, që u arrestuan me shumë bujë nga policia e Shtetit në shtator 2018, gjatë operacionit të koduar “Oaz”. Dosja penale e ndërtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në 31 janar 2020 u dërgua nga Tirana në Shkodër për gjykim vetëm për akuzat e “Vrasjes me paramendim”, “Kanosjes me qëllim tjetërsimin e pasurisë”, “Shpërdorim detyre” dhe “Mbajtja pa lejë të armëve luftarake”.

Behar Bajri, akuzohet nga prokuroria për “Vrasjen me paramendim” në dëm të bashkëjetueses së tij Fabiola Hyseni. Kjo ngjarje ka ndodhur në 29 qershor 2002, kur 15-vjeçarja është raportuar si e vetëvrarë me tre plumba në shtëpinë e Bajrit. Behar Bajri, i arrestuari kryesor për këtë ngjarje dhe i dyshuari nga prokuroria si personi autor për këtë vrasje, ka mohuar në mënyrë kategorike se e ka kryer këtë krim. Ndërkohë në dosje, prokuroria thotë se me të njëjtën pistoletë tip “TT” që është qëlluar 15-vjeçaria Fabjola Hyseni në vitin 2002, është qëlluar në 7 shkurt 2001 Arben Tuzi, ngjarje kjo e ndodhur në rrugën “Qemal Stafa” në Shkodër, ku ka mbetur i plagosur dhe Lulzim Molla.

Gjithashtu në dosje thuhet se Behar Bajri, Safet Rustemi, Ilir Rustemi, Astmer Bilali, Ismet Idrizi, Sirjan Alia dhe Jorida Murati, të akuzuar për gjobëvënien në ngarkim të një pronari restoranti në Shirokë, një pronar agjencie udhëtimi në Shkodër dhe një biznesmeni. Ndërsa të arrestuar të tjerë në këtë çështje penale por që tashmë janë në masa sigurie “arrest shtëpie” janë disa punonjës të personelit në Spitalin e Shkodrës, si Senad Halluni, Florine Hoxha dhe Mira Nikaj, të cilat kanë kryer punësimin e paligjshëm dhe kanë paguar pa asnjë ditë pune, Jorida Muratin, mikeshën e Behar Bajrit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja