Një njohës i mirë i artit dhe artistëve shqiptarë prej më shumë se 30 vitesh, kritiku dhe historiani Pino Bonanno, këto ditë ndodhej në Shqipëri për të çuar përpara një bashkëpunim të nisur me 15 artistë të arteve pamore.

Artistët bashkëkohorë shqiptarë ishin pjesë e ekspozitës ndërkombëtare “Inclusiv”, e çelur së fundmi në Galerinë Fonticus në qytetin artistik të Grožnjanit në Kroaci, një nismë e ideuar dhe drejtuar nga Bonanno dhe kuruar nga artistja shqiptare Anila Zajmi.

“Kam njohur artistë shqiptarë prej më shumë se 30 vitesh. Janë njerëz me një energji të jashtëzakonshme krijuese. Që në fillim kuptova se ishin artistë që kërkonin të eksploronin ide të reja, të zgjeronin horizontet e tyre përmes kontakteve dhe përvojave ndërkombëtare. Falë tyre, unë fillova të mësoja më shumë për Shqipërinë.  Sa herë kam pasur mundësi, kam kërkuar të krijoj marrëdhënie me artistët shqiptarë dhe t’i përfshij ata në aktivitete, si: ekspozita, konferenca dhe simpoziume. Po aq më kanë ftuar edhe ata mua, sidomos në Fakultetin e Arteve në Tiranë, ku kam mbajtur disa ligjërata. Tirana, sa herë që kthehem, më duket gjithnjë e më e mrekullueshme.”, thotë Bonanno për “Report TV”.

Bonanno rrëfen se lidhja me Shqipërinë ka edhe rrënjë personale, pasi babai i tij ka punuar dikur në Tiranë në ndërtimin e një nënstacioni elektrik, ndërsa i biri ka shërbyer në Operacionin “Pelikan”.

Sot, Bonanno jeton në Grožnjan (Grisignana), një qytet mesjetar kroat i njohur si “qyteti i artistëve”, që prej 60 vitesh është qendër e artit bashkëkohor të rajonit dhe vendtakim i mijëra artistëve ndërkombëtarë. Qyteti organizon çdo vit festivale, ekspozita, rezidenca artistike, kurse verore dhe evente muzikore.

“Ka një galeri shumë të rëndësishme, Galerinë Fonticus, ku gjatë gjithë vitit organizohen ekspozita, dhe ku verës zhvillohen festivale, koncerte, kurse, punëtori. Është një qytet që jeton me art. Kryetari i bashkisë, duke reflektuar për të ardhmen e këtij qyteti, kërkoi të forcohej bashkëpunimi ndërkombëtar. Për këtë arsye, unë u përfshiva në idenë e ndërtimit të një projekti që do të sillte në Grožnjan artistë nga vende të Ballkanit dhe më gjerë. Kështu lindi edhe bashkëpunimi me artistët shqiptarë”, shprehet ai për Report Tv.

Ekspozita në Kroaci përfshin punët e 15 artistëve të njohur të artit bashkëkohor shqiptarë: Adriana Puleshi, Alban Çela, Arben Shira, Bujar Vani, Matilda Mehmetaj, Rikarda Nova-Nenshati, Shpëtim Xhema, Zinni Veshi, Adrian Çene, Anila Zajmi-Katanolli, Arif Lushi, Fatmir Carkanji (Lordi), Nezir Ago, Shaqir Veseli dhe Zef Pepa.

“Grupi që erdhi këtë tetor ishte shumë kompakt në sensin estetik. Edhe pse secili ka individualitetin e vet, mund të dallohet qartë një vijë e përbashkët e artit bashkëkohor shqiptar. Unë e quajta këtë linjë ‘Shkolla Shqiptare e Pikturës’. Artistët shqiptarë kanë një fuqi të madhe ekspresive, një grafikë të fortë dhe një shpërthim ngjyrash që vjen nga përvoja historike e mungesës së lirisë gjatë Realizmit Socialist. Kjo e bën artin e tyre emocional, të sinqertë dhe të veçantë”, vijon ai.

Bashkëpunimi mes artistëve pritet të vazhdojë me prezantimin gjatë vitit të ardhshëm të artistëve kroatë në Shqipëri.