Pjesë e shkëputur nga “Kurban”, ekskluzive për Shqiptarja.com

...Kjo e familjes ka qenë një lajtmotiv i pandarë i yryshit politik të Saliut qyshse Ramiz Alia ua bëri peshqesh studentëve në dhjetor të vitit 1990 sekretarin e devotshëm të partisë së tij, enveristin e paepur dhe shërbëtorin e palodhur të Byrosë Politike. Më vjen ndërmend këtu sesi në ato pak minuta, Lavdi Zotit s'qenë as gjysmë ore, që qëndrova në zyrën e Partisë së sapoformuar Demokratike pas një rastësie jetësore që më mbajti larg për disa ditë nga vendi i shpërthimit të revoltës studentore kundër regjimit që prej kohësh e ëndërroja përtokë e prej disa vitesh e luftonim sa e si mundnim në Akademinë e Arteve, ky Doktori i Byrosë Politike lexonte draftdeklaratën e parë për shtyp të PD-së ku dënoheshin "huliganët e Shkodrës" dhe lartësohej "figura demokratizuese e Presidentit Alia", pastaj të nesërmen kur i tha në prapaskenën e mitingut tek Qyteti Studenti Ardian Klosit "Ti s'mund të flasësh se e ke pasur gjyshin bej dhe bashkë me Edi Ramën kërkoni të nxirrni nga birucat llumin e shoqërisë, plehrat e kombit që guxoni i quani edhe të burgosur politikë!", pastaj kur censuroi në gazetën "Rilindja Demokratike" peticionin e nënshkruar ditën e "Refleksioneve" tona bashkë me të burgosurin politik shkrimtarin Kasëm Trebeshina, nga treqind e ca studentë, pedagogë e qytetarë në Akademinë e Arteve, në adresë të Ramiz Alisë për rishikimin e figurës së Enver Hoxhës dhe lirimin e të burgosurve politikë, pak ditë më pas kur donte të na pengonte Ardianin, Kasëmin e mua, të flisnim në mitingun ku për herë të parë u godit në fjalën time hapur në shesh figura e Enverit, tek Stadiumi "Qemal Stafa", ku na e drejtoi gishtin në sy pa u mbledhur ende njerëzit duke na thënë "Ju s'mund të merrni fjalën sot se s'kemi kërkuar leje në polici për ju. Prandaj po erdhi t'ju marrë policia largohuni pa bërë zë", e duke ikur i tha dikujt të na thoshte se aty ishte e ndaluar të shahej Enver Hoxha, "aq më tepër nga ata të dy", medemek nga ne "djemtë e nomenklaturës", dhe pastaj ditë e përditë kur ia nisi politikës me libër shtëpie me njëmijë vëllime, vite me radhë, kundër kujtdo i dilte rrugës përpara me nënë, grua, motër, djalë, vajzë, vëlla, xhaxha, hallë, dajë, teze, kunetër, baxhanakë, kushërinj të parë, të dytë, të tretë, të shtatë, të qenë e të paqenë, të gjallë e të vdekur, të njohur a të panjohur, me shokë e me miq, të vërtetë a të sajuar, ose në bllok të gjithëve vrasës, zagarë, qen, bushtra, kusarë, kollovarë, hajdutë, makutë, mamuthë, perversë, pusho, homoseksualë, kriminelë, kafshë, grabitqarë, trutharë, prostituta, pusho ti, komunistë, gjaksorë, pa atdhe, pa familje, të pafe, ik ore, spiunë, denonciatorë, terroristë, puçistë, banditë, kastravec, persekutorë, bashkëpunëtorë, genocidistë, vemje, tradhtarë, shko more, imoralë, drogaxhinj, delenxhinj, gjarpërinj, faqezinj, trafikantë, mafiozë, përdhunues, zemunllarë, kumbarë, qepe se dhe aty do dal, minj, zullumzinj, ditëzinj, bixhozçinj, këpëdarë, kokëpalarë, oktapodh, dhi, ikni ore, kakërdhi, laraska, bagëti, motërsharë, pisa, leshpërgjakur, barkfëlliqur, zorrëtrashur, belpërdredhur, ik të thashë, turiqen, mbylle gojën, turimi, turikëpucë, trupeshk, pis pisi, turitepsi, turikazan, mjeranë, shpirtkatran, shpirtakrepa, shpirtkazëm, surratmajmun, jua them unë më mirë mos ua them, lecka, plehra, legen, fare hajvanë, kunguj fare, kokësahanë, derëzinj, të sëmurë, shpirtzinj, mendjendryshkur, mendjekallp, mendjefyej, pushoni aty se s'dua t'ju fyej, llapallapa, rrecka rrugësh, ju bëj qepaze, narkomanë, kopila, verdhacukë, të zgjebosur, të përdhosur, turiviça, thithlopa, inçestualë, palikarë, gradhunues, pushkatues, dobiça, të damkosur, ç'jini ju ore, të shitur, të babëzitur, të mbaruar, të pakallur, të pashpirt, të pangopur, e dini ju e dini po tani më lini, idiotë, uritha, laskarë, pusho mor kretin aty do dal, dementë, defiçentë, zuska, gradhunues, të tredhur, linçues, torturues, të përdalë, shpirtvjedhur, shpirtblerë, shpirtshitur, skizofrenë, qelbësira, qurravec, ndyrësira, pizeveng, palaço, piskuriqa, s'dua t'ua them të gjitha, lakuriqa; pastaj sigurisht e kujtoj kur e vuri familjen time për vite në majën e gjuhës dhe kur dy vjet më parë, u lëshua me kuturisjen e të marrit nga foltorja e parlamentit vrik pas nënës sime të gjorë që edhe qepjen nga pas me mikrofon të një burri të dalë duarsh kishte mangut në perëndimin e jetës së saj.

SULMI NDAJ ANETËS
I'u qep Saliu sime mëje e i ulërinte i çakërgjosur në emër të motrave e nënave shqiptare të tregonte se kush isha unë, thuaju zonjë që ke dhjetë vjet që e kuron për skizofreni tët bir, e dimë mirë ne të dy dhe ata kolegët tanë mjekë, thuaju si të rrihte yt bir dhe të nxirrte rrugëve të lagjes me këmishë nate, tregoju të vërtetën vajzave shqiptare, se si unë dhunoja gratë, se si iknin të lemerisura nga shtëpia kur u futesha në dyshek shokëve të mi, se si i kisha thyer nofullat e bërë hundët gjak gruas në publik, fol zonjë, e këto ia kërkonte në emër të grave e vajzave të Shqipërisë, me tërbimin e persekutorëve të regjimit të vjetër, që e shiste për prekje të thellë në sedrën e kryefamiljarit, burrit namuzlënduar të zakonit, shqiptarit të cenuar tek familja e fëmijët, për shkak të goditjeve të opozitës që bënin transparencë mbi përzierjen e njerëzve të tij të shtëpisë në punët e paudha të qeverisë. Pika e zezë ishte dhe është se shumëkujt kjo i duket normale, e shajnë nga shtëpia i shan nga shtëpia, s'ka faj i shkreti, ia nxinë jetën, më tha Fevziu një ditë, ndërkohë që e vërteta është se asnjëherë unë e, me ndonjë përjashtim në momente vlimi të lartë të kazanit të parlamentit, askush ndër ne, opozita e sotme që prej opozitës së tij është pështyrë me vite në mënyrën më rrugaçërore, nuk është marrë me familjen e tij, me ç'bën në jetën e me jetën e vet gruaja, vajza a djali i tij apo ai vetë, po vetëm me shprehjet e dokumentuara të konfliktittë interesit bërtitës që tregon se si jo opozita, po Saliu e lidh tryezën e qeverisë me barkun e shtëpisë.

EDI PËR TË TJERËT
Kurrë nuk jam marrë e s'do të merrem i gjallë me jetët private të të tjerëve, kundërshtari për mua s'është njeriu po vizioni, argumentet, sjelljet e veprimet politike që janë të kundërta, të ndryshme, të pa afrueshme me të miat, asnjëherë s'kam dashur të di se sa të lumtur a të palumtur janë në shtëpinë e tyre kundërshtarët e mi, nëse ndahen e rimartohen apo dashurohen pa u martuar, ose puthen e përputhen të padashuruar, si jetojnë e bashkëjetojnë nën çatitë e tyre ku, sipas meje, askush s'ka të drejtë të përgjojë vrimën e çelësit, s'u kam uruar kurrë fatkeqësira, sëmundje, probleme me fëmijët, përkundrazi uroj që të mos shohin ndonjëherë asnjë nga të këqijat e jetës personale që fati ka dashur t'i provoj vetë e assesi pastaj të këqija që vetë s'do të doja kurrë t'i shihja të kapërcenin pragun e shtëpisë sime e të preknin nënën, gruan, fëmijët apo të dashurit e mi të zemrës. Politika e futjes së hundëve në shtëpinë e tjetrit, e sulmeve mbi jetën personale e ndaj lidhjeve të gjakut të tjetrit, e denigrimit e përgojimit të njerëzve të kundërshtarit, e sulmit gojor në front ndaj një grupi shoqëror a ndaj vetë opozitës, është mjet i regjimeve, i satrapëve e i hajvanëve që kundërshtarin e konsiderojnë armik për t'u vrarë, torturuar, shkatërruar me gjithsej, ndërsa politika që ngre problemet e abuzimit të funksioneve publike përmes konfliktit të interesit, përzierjes së njerëzve të gjakut në vendimmarrjet gjatë ushtrimit të detyrës publike, përfitimeve të nxjerra si familje a si tribu ose klan nga shpërdorimi i postit zyrtar, është normalitet demokratik, shprehje e së drejtës publike, mbrojtje e parimeve e vlerave të funksionimit të një Republike Kushtetuese.

KRAHASIMI ME TË TJERËT
Në cilin vend të botës demokratike mund të ishin dëgjuar nga foltorja e parlamentit, tryeza e qeverisë a tribunat publike rrakashprehje me libër shtëpie e llafangjosje të ulëta të gjuhës së nxjerrë jatagan para popullit si ato të Saliut e të tallagjares së tij Jozefinë, së bashku me ministra e deputetë tellallë që u bëjnë jehonë fjalim më fjalim e studio më studio, për të damkosur kundërshtarin si njeri jo si alternativë, dhe në cilën jetë politike e publike të një vendi vërtet demokratik opozita s'do të kishte vënë alarmin për kapjen e segmenteve të shtetit e të vendimmarrjes nga njerëzit e familjes së kryeministrit, të kryetarit të parlamentit a të ministrave, apo për skandalet me pasuritë e me paratë publike ku do të dilnin të përfshirë familjarë e klientë të familjeve të funksionarëve më të lartë të shtetit? Ku, në çfarë pike të botës së lirë do të ndodhte që kundërshtarët politikë të merreshin me trupin e njëri-tjetrit, me babanë, nënën, gruan, vajzën, djalin, motrën a vëllanë e njëri-tjetrit kur askush nga këta s'do të kishte lidhje e as punë me punët që përfaqësimi politik u cakton kundërshtarëve në qeveri a opozitë, po njëkohësisht ku, në ç'vend, mund të ndodhte në arenën politike të botës së lirë që kundërshtarët të mos merreshin me cenimin e interesit publik përmes fuqisë së pushtetit të deleguar informalisht përmes lidhjeve të gjakut? Si mund të ndodhte në një vend të Europës së Bashkuar që pas derdhjes së tërë mynxyrave mendore të kryeministrit gjuhustër mbi të ëmën e kryetarit të opozitës, gruaja e moshuar e dhunuar verbalisht nga kryetari i qeverisë të dhunohej moralisht edhe në gjykatë, me motivacionin që kur zgjidhi gojën nga zinxhirët e etikës kryeministri ishte në krye të detyrës, prandaj padia për shpifje për shkak të detyrës nuk qëndron?

GJYQTARJA QË KTHEU PROCESIN
Askund, në asnjë rast, për asnjë arsye politike në botë, njerzillëku nuk ia le vendin kafshërisë në jetën publike e politike të cilitdo vendi ku votohet lirisht e ku njerëzit kundërvendosen në frontet e alternativave jo në barrikadat e gërdisë gojore, ashtu sikundër as që mund të imagjinohet në botën e lirë një kryegjyqtare e lartë si Ariana Fullani që, përballë një gruaje pensioniste si nëna ime, e cila detyrohet të marrë rrugën e gjyqit për të mbrojtur jo djalin po dinjitetin e saj të cenuar publikisht, të nxjerrë të pafajshëm dhunuesin kryeministër e të kthejë mbrapsht në shtëpi qytetaren që s'kërkonte asgjë përveçse t'i tregonte opinionit publik se nuk kishte asnjë të vërtetë në akuzat lehëse të kryeministrit ndaj saj dhe se ajo s'kishte asgjë për të rrëfyer publikisht nga "të vërtetat" e kllamisura prej Saliut në foltoren e turpit të asaj nate kuvendore. S'do ta kisha përmendur emrin e Arianës, nëse s'do të ishte në mes miqësia e saj me nënën time, miqësia jonë e vjetër familjare me familjen Fullani, fakt që e bëri edhe më tronditës për time ëmë dhunimin në sallën e gjyqit, ku zonja Fullani, për arsyet që ajo i di, po që s'është e vështirë të merren me mend në këtë vend, zgjodhi të bënte një padrejtësi të madhe duke fyer ligjin dhe moralin kushtetues të barazisë para ligjit në gjykimin e një çështjeje që kishte vënë përballë arrogancën e xhindosur të pushtetit me brishtësinë e një gruaje 71 vjeçare që kërkonte me krenari mbrapsht vetëm dinjitetin e rrëmbyer peng nga ekrani faqe gjithë shqiptarëve. Në mungesë të këllqeve për të marrë anën e ligjit, mundet fare mirë t'ia kishte kursyer vetes këtë turp gjykatësja e lartë, duke u tërhequr së paku me pretendimin e konfliktit të interesit, pikërisht për shkak të lidhjes në miqësi me Anetën, gjë që në rrathët e shthurur të moralit qytetar e profesional të inteligjencës së sotme shqiptare, ku për të ngrënë përsheshin e pushtetit, qetësia guhake mbi karrige vjen përpara ruajtjes së normave të atij morali, s'do kishte qenë tekembramja fundi i botës, por banaliteti i së keqes së futur thellë në shpirtrat e dobët edhe pa qenë hiç fare nevoja, siç qe për vdekëtarët
e zakonshëm në kohën e gjyqeve të diktaturës së proletariatit a për gjykatësit e asaj kohe, e bëri Arianën të zellshme në shlyerjen e turpit të foltores së Kuvendit të Shqipërisë me turpin e çekiçit të Gjykatës së Lartë.

ÇFARË NDODH ME SISTEMIN
S'është as turpi i parë e as i fundit i një gjykate të Shqipërisë së Saliut. Në konopin e gjatë të turpit të sistemit të sotëm të drejtësisë shqiptare që është lidhur fyt në qafën e çdokujt ndër shqiptarët që rruga e jetës u sjell ndesh padrejtësinë e veshur me pushtet a të ushqyer me para të pista kjo e nënës time është një dramë e vogël, e pakrahasueshme me dramat e grave të veshura zi që sikterisen si leprozët tutje nga dyert e gjykatave me vendime shfajësuese për zhdukësit e fëmijëve e burrave të tyre, me dramat e nënave që rihapin vajin kur gjykatat u japin pafajësi vrasësve të djemve e monstrave që u kanë përdhunuar vajzat, me dramat e burrave që gjunjëzohen si kuaj të qëlluar në gjoks nga çekiçët që bien për t'i zhveshur prej të drejtave që më kot kërkojnë në gjykatë në emër të Kushtetutës, të ligjit, të pronës së të parëve a të dinjitetit të nëpërkëmbur dhunshëm prej shtetit, ose horrave që mbrohen nga shteti si simbole të pandëshkueshmërisë në këmbim të favoreve të errëta që u bëjnë të pandëshkueshmëve në pushtet, me dramat e shqiptarëve të zakonshëm që nuk e kanë djalin a babën biznesmen e s'mund ta lyejnë rrotën e Tomës a shtyjnë karrocerinë e Sashenkës me para për t'i ikur padrejtësisë që u kap këmbët, e s'i lëshon po i lidh në sallat e gjyqeve dhe pastaj i hedh në lumin e të dëshpëruarve...

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ben Blushi: Çfarë kemi arritur në 112 vjet (një ilaç kundër pesimizmit)