TIRANE- Kristian Demokratët reagojnë kundër heqjes së bustit të Ibrahim Rugovës, ndërsa dënojnë vlerësimet që bëhen ndaj ish-diktatorit komunist Enver Hoxha. “Nga media jemi njohur me propozimin e një partie politike për të hequr emrin e rrugës “Ibrahim Rugova” në Tiranë nën pretekstin e nderimit të një ngjarjeje me përmbajtje ideologjike. Si këshilltar i zgjedhur me votat e banorëve të Tiranës e gjej detyrë dhe përgjegjësi të deklaroj se jam kategorikisht kundër çdo akti politik e administrativ që cënon figurën historike të Presidentit të Kosovës dhe vetë imazhin e Kosovës.

Asnjë arsye, asnjë motiv politik dhe interes afatshkurtër për vota, nuk mund të vlejë në lojën denigruese ndaj personalitetit të shquar të Rugovës”, shprehet avokat Dhimitër Muslia anëtar i Këshillit Bashkiak i bashkisë Tiranë, përfaqësues dhe njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i PKD-së. Njëherësh ai është kundër rehabilitimit të Enver Hoxhës. “Kërkesa kundër tij dhe fjalimet lavdëruese për diktatorin Hoxha janë tregues negativ për Tiranën, për politikën, për qytetarët, për kujtesën tonë historike.

Vota ime është dhe mbetet kundër çdo nisme të tillë, dhe se si këshilltar i kërkoj këshillit bashkiak të marrë nisma të tjera pozitive për të bërë nderime të tjera të denja për figurat e shquara të Kosovës dhe botës shqiptare. Tirana s’është vetëm kryeqyteti i shtetit shqiptar por kryeqendra e të gjithë shqiptarëve dhe askush nuk ka të drejtë ta trajtojë jashtë këtij funksioni”, është shprehur Muslia në deklaratën e tij për mediat.


Shkrimi u publikua sot (05.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)